Sport

Der Klassiker dhuron spektakël, Bayern dhe Dortmund ndajnë pikët në një barazim dramatik me katër gola

Bayern Munich dhe Borussia Dortmund kanë dhuruar një përballje spektakolare në Allianz Arena, e cila është mbyllur në barazim 2-2.

Një duel me shumë emocione, përmbysje momentale dhe një gol në minutat e fundit, që nuk prodhoi fitues mes dy rivalëve të mëdhenj të futbollit gjerman.

Bavarezët kaluan në avantazh në minutën e 38-të me Konrad Laimer, i cili përfitoi nga një top i kthyer nga portieri kundërshtar. Me rezultatin 1-0 u mbyll edhe pjesa e parë.

Në fillimin e fraksionit të dytë, vëmendja u përqendrua te Harry Kane. Fituesi i Topit të Artë 2026 pati mundësinë të dyfishonte shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 56-të, por nuk arriti ta shndërronte në gol.

Dortmund përfitoi dhe reagoi katër minuta më vonë, kur Serhou Guirassy vendosi baraspeshën në 1-1.

Megjithatë, Kane u rikthye protagonist vetëm pak minuta më pas. Në minutën e 66-të, sulmuesi anglez shërbeu një asist për Dayot Upamecano, i cili riktheu Bayern-in në avantazh me golin e dytë.

Kur dukej se vendasit do të merrnin tri pikët, Borussia Dortmund goditi sërish. Në minutën e 89-të, Fábio Silva realizoi golin e barazimit, pas asistit të Konstantinos Karetsas, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Ky barazim mban të dyja skuadrat në kuotë të barabartë pikësh në krye të Bundesligës, duke bërë që gara mes dy rivalëve të vazhdojë e hapur.

Një rezultat që i lë të dyja ekipet pa fitues në Der Klassiker, por me një pikë të rëndësishme në garën për titullin kampion.