Dr. Luljeta Kodra: Parashikimi i të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore që në krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Luljeta Kodra
Zv. dekane për kërkimin shkencor, Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Koncepti i sigurisë njerëzore është një nga konceptet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare publike dhe është i lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut. Të drejtat e njeriut janë shtyllat mbi të cilat mund të vlerësohet njerëzimi ynë i përbashkët. Ekuilibri i duhur midis pushteteve të një shteti dhe të drejtave të qytetarëve është një simbol i demokracisë. Të drejtat e njeriut në politikën botërore u bënë më të rëndësishme dhe të ndjeshme përmes zhvillimit të konceptit të sigurisë njerëzore. Si siguria njerëzore ashtu edhe të drejtat e njeriut kanë qëllime të përbashkëta dhe për këtë arsye përforcojnë njëra-tjetrën. E përbashkëta ndërmjet sigurisë njerëzore dhe të drejtave të njeriut mund të gjendet në qëllimin e tyre për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave themelore të qënieve njerëzore.
Koncepti i sigurisë njerëzore është një koncept i ri i të drejtës ndërkombëtare, i krijuar dhe zhvilluar pas Luftës së Ftohtë si rezultat i proceseve politike, ekonomike dhe sociale, veçanërisht të shteteve perëndimore, synimi i të cilit kryesisht është të përmirësojë funksionet e shtetit për sigurinë e individit. Siguria njerëzore konceptohet si reagim ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve që mund t’i vijnë individit, të cilave duhet t’u bëjë ballë shteti, që ka përgjegjësinë e mbrojtjes së shtetasve të vet.
Siguria njerëzore dhe sidomos komponentë të veçantë të saj si siguria sociale, e mjedisit, ekonomike, kërcënohen nga prirja dhe zhvillimet globale. Koncepti i sigurisë njerëzore legjitimon përgjegjësinë morale si dhe detyrimin për angazhim të shteteve për të garantuar jetë dhe të ardhme të sigurt të individit.
Parashikimi i të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore në aktet ndërkombëtare
Në prill të vitit 1945, kur Lufta e II-të Botërore ishte ende e pashuar, delegatët e pesëdhjetë kombeve u mblodhën në San Francisko për të krijuar një organizatë të re ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në fund të konferencës, një delegat tha:
Kur ne të kthehemi te njerëzit tanë, do t’u çojmë atyre frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë së vërtetë. Mesazhi im për çdo delegat do të ishte, të kemi besim, tek vetja dhe tek njerëzit tanë…. Me besim, frymë vëllazërimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, pavarësisht qyteteve të shpartalluara, urisë, frikës dhe humbjes, ne të kthehemi në shtëpitë tona dhe t’u kërkojmë popujve tanë që të bashkohen në sloganin e lavdishëm: “Ne kemi parë largimin e fuqive të errësirës. Ne kemi parë mëngjesin e paqtë”.
Të drejtat e njeriut, siguria dhe paqja ndërkombëtare janë arsyet kryesore të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe të nënshkrimit nga shtetet pjesëmarrëse në konferencën e San Franciskos të dokumentit bazë të kësaj organizate Kartës së Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 26 qershor 1945.
Promovimi dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave njerëzore u bë një qëllim i Kombeve të Bashkuara, pas Luftës së II-të Botërore. Nenet mbi të drejtat e njeriut që përmban Karta e Kombeve të Bashkuara shtruan rrugën për zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare që fokusohet mbi individin më shumë se mbi shtetin. Të drejtat njerëzore u konsideruan një çështje që mbetet jashtë juridiksionit ekskluziv të shteteve.
Për të përkufizuar saktë të drejtat e njeriut, u hartua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut”, e miratuar në dhjetor 1948. Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut e zhvilloi më tej çështjen e respektimit të të drejtave njerëzore dhe ndërkombëtarizimit të këtyre të drejtave, duke e konsideruar respektimin e të drejtave njerëzore si të nevojshëm për ruajtjen e paqes ndërkombëtare.
Kjo deklaratë ishte akti i parë tërësor ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, që parashikoi të drejtat klasike dhe që shërbeu si bosht orientues për të gjitha shtetet lidhur me parashikimin në aktet e tyre të brendshme të lirive dhe të të drejtave themelore për shtetasit e tyre. Ajo i nxiti kombet anëtare të zhvillonin një numër të drejtash njerëzore, civile, ekonomike dhe sociale duke i vlerësuar këto të drejta si shumë të rëndësishme për lirinë, drejtësinë dhe paqen në botë. Kjo deklaratë ishte përpjekja e parë ligjore ndërkombëtare për të kufizuar sjelljen e shteteve në raport me individët.
Vlera e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ishte e jashtëzakonshme për kohën në të cilën u hartua dhe u miratua edhe pse si akt ndërkombëtar ajo nuk pati karakter të detyrueshëm për tu zbatuar nga shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por edhe pse Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk ishte e detyrueshme për zbatim gjatë viteve parimet e Deklaratës janë konsideruar si të detyrueshme dhe janë zhvilluar më tej në instrumenta të tjera ligjore. E drejta ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut sot është e përbërë nga instrumente ndërkombëtarë dhe rajonalë, që mund të kenë formën e deklaratave, traktateve, protokolleve dhe instrumenteve të tjera. Të gjitha së bashku, ato sigurojnë një kuadër ligjor, gjithmonë në zhvillim për mbrojtjen mbarëbotërore dhe për çuarjen përpara të të drejtave të njeriut.
Thelbi i konceptit të të drejtave të njeriut të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut ashtu siç është parashikuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është aspirata për të mbrojtur dinjitetin njerëzor. Në historinë e Kushtetutave të Shqipërisë, Kushtetuta e vitit 1998 është e para që ka sanksionuar shprehimisht dinjitetin e njeriut, si një parim themelor kushtetues. Sipas saj….”dinjiteti i Njeriut, të drejtat dhe liritë e tij… janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Në respekt të dinjitetit të Njeriut, është vendosur në Kushtetutë detyrimi i organeve të pushtetit publik që, në përmbushje të detyrave të tyre, të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, thekson se “Çdo person ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë” dhe se “Çdo njeri, si anëtar i shoqërisë, ka drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të drejtave, me ndihmën e shtetit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti, për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit të tij”. Neni 28 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut parashikon se kushdo ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin të drejtat e njohura në këtë Deklaratë mund të realizohen, se siguria individuale duhet të jetë bazë në sigurinë kombëtare dhe se siguria kombëtare duhet të jetë baza e sigurisë ndërkombëtare. Siguria kombëtare dhe ndërkombëtare nuk mund të arrihet pa respekt për sigurinë individuale, për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij. Konfliktet nuk mund të parandalohen dhe paqja nuk mund të ruhet në një botë ku shkelen të drejtat individuale.
Format e pasigurisë njerëzore përveç të tjerave, përfshijnë edhe genocidin dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, që përbëjnë krime kundër njerëzimit, të përcaktuara në Statutin e Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, të vitit 1998. Është argumentuar se përdorimi i forcës ushtarake mund të justifikohet sipas të drejtës ndërkombëtare kur ajo përdoret për të shpëtuar jetën e njeriut. E ashtuquajtura ndërhyrje humanitare është shembull klasik i një kërkese të bazuar mbi sigurinë e individëve të vënë në shënjestër nga shteti i tyre. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dhënë njohje të kufizuar të ndërhyrjes humanitare gjatë viteve, por akoma ekziston një mospajtim i madh për ndërhyrjen humanitare pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit në rrethanat e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut brenda një shteti.
Annan ka bërë një interpretim të gjerë të konceptit të sigurisë, ashtu siç mund të pretendohet se u shfaq ky koncept qysh me hartimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Sipas tij “Hartuesit e Kartës së Kombeve të Bashkuara, për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga kamxhiku i luftës, e kuptuan se kjo sipërmarrje nuk mund të kishte sukses në qoftë se ngrihej mbi një bazë të ngushtë. Prandaj ata vendosën të krijojnë një organizatë për të siguruar respektimin e të drejtave themelore të njeriut, për të krijuar kushtet në të cilat do të mund të ruhet drejtësia, sundimi i ligjit, nxitja e përparimit shoqëror dhe përmirësimi i nivelit të jetës në liri. Kjo do të thotë se burrat dhe gratë kudo kanë të drejtë të jenë të qeverisur sipas pëlqimit të tyre, sipas ligjit, në një shoqëri ku të gjithë individët të mund të flasin, adhurojnë dhe organizohen lirisht, pa u ndëshkuar dhe diskriminuar. Ata duhet gjithashtu të jenë të lirë nga skamja në mënyrë që varfëria ekstreme dhe sëmundjet infektive të hiqen nga jeta e tyre, si dhe të lirë nga frika në mënyrë që jeta dhe mjetet e tyre të jetesës të jenë larg nga dhuna dhe lufta.
Përveç lirisë nga frika dhe lirisë nga skamja, Anan shton edhe lirinë për të jetuar me dinjitet. Sipas Annan, “Si organi i vetëm universal i botës me një mandat për të adresuar çështjet e sigurisë, të zhvillimit dhe të drejtave të njeriut, Kombet e Bashkuara mbajnë një peshë të veçantë në realizimin e sigurisë njerëzore, ose thënë ndryshe lirisë nga frika, lirisë nga skamja, dhe lirisë për të jetuar me dinjitet”. Komponenti i lirisë për të jetuar me dinjitet merret me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Lufta kundër varfërisë dhe ajo për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore është po aq e rëndësishme për sigurinë sa edhe lufta për liri politike dhe liri themelore.
Pasojat e mosrespektimit të të drejtave të njeriut
Të gjithë njerëzit në botë duhet të gëzojnë të drejta dhe liri themelore. Gëzimi i të drejtave dhe lirive themelore nga individët është një bazë e fuqishme për sigurimin e paqes dhe sigurisë brenda shteteve si dhe për sigurimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Shtetet sovrane kanë përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët e tyre nga të gjitha katastrofat e pashmangshme, nga vrasjet masive dhe nga vdekja prej urisë.
Shkeljet e të drejtave të njeriut paraqesin kërcënime serioze për sigurinë njerëzore. Shkeljet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë konflikte potenciale dhe prandaj mund të themi se mbrojtja e të drejtave të njeriut i shërben parandalimit të rreziqeve, kërcënimeve dhe konflikteve.
Shkeljet e të drejtave të njeriut në të shumtën e rasteve bëhen nga vetë shteti, me synim mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Një politikë e tillë shpesh çon në humbjen e legjitimitetit të qeverisë dhe eventualisht në rënien e autoritetit të shtetit.
Që kur filloi lëvizja për të drejtat njerëzore, në mesin e shekullit të XX, promovimi i të drejtave njerëzore ka konkuruar me çështjen e sigurisë kombëtare.
Të drejtat njerëzore janë thelbi i demokracisë. Sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të vitit 1948: Të gjitha qëniet njerëzore kanë lindur të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe në të drejta. Kufizimi i tyre pa një vendim gjyqësor të përshtatshëm rrezikon shtetin e së drejtës. Siguria kombëtare dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë në proporcion me njëra-tjetrën. Proporcionaliteti nënkupton balancimin e dy llojeve të interesave, interesin e shtetit për sigurinë dhe interesin e individëve në ruajtjen e të drejtave njerëzore.
E drejta ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut pranon se në disa raste është e nevojshme të kufizohen të drejtat individuale për të mbrojtur sigurinë kombëtare, ose për t’iu përgjigjur situatave të emergjencës publike. Sidoqoftë, një emergjencë e tillë muk mund të përdoret për të pezulluar disa të drejta, të cilat nuk mund të pezullohen në asnjë rrethanë. Ato përfshijnë lirinë e mendimit, të drejtën e jetës dhe të drejtën për të qenë i lirë nga tortura ose trajtimet mizore, johumane dhe degraduese.


