Drafti për QKB/ Shqipëria synon të modernizojë regjistrimin e biznesit
Shqipëria synon të modernizojë rrënjësisht sistemin e regjistrimit të bizneseve, duke e bërë më të shpejtë, më transparent dhe më të aksesueshëm për investitorët vendas e të huaj. Ambicia është përmirësimi i klimës së biznesit dhe forcimi i pozicionit konkurrues të vendit në rajon, përmes reduktimit të burokracisë, digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe shkëmbimit automatik të informacionit tregtar.
Këto objektiva parashikohen në projektligjin për ndryshimin e ligjit nr. 131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të paraqitur për shqyrtim në Kuvend, i cili synon të transformojë mënyrën e funksionimit të QKB-së dhe marrëdhënien e saj me komunitetin e biznesit.
Sipas relacionit shoqërues, efekti i menjëhershëm i pritshëm i reformës është përmirësimi i klimës së biznesit dhe i pozicionit konkurrues të Shqipërisë në rajon, ndërsa në planin afatgjatë synohet rritja e investimeve të huaja direkte dhe e numrit të kompanive që zhvillojnë aktivitet ndërkufitar.
Një nga shtyllat kryesore të reformës është integrimi i regjistrit tregtar shqiptar me sistemin europian të ndërlidhjes së regjistrave të biznesit, BRIS (Business Registers Interconnection System). Kjo do të mundësojë shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian, duke lehtësuar verifikimin e kompanive dhe aksesin në informacionin tregtar.
Përmes këtij mekanizmi, të dhënat bazë të shoqërive shqiptare do të jenë të aksesueshme falas nga vendet anëtare të BE-së, ndërsa autoritetet shqiptare do të mund të marrin informacione të përditësuara mbi statusin e kompanive europiane që operojnë në Shqipëri.
Informacioni do të përfshijë emrin e shoqërisë, formën ligjore, selinë, numrin unik të identifikimit, identifikuesin unik europian (EUID), organet drejtuese, degët e regjistruara dhe statusin juridik.
Në këtë mënyrë, nëse një kompani mëmë në një vend të BE-së çregjistrohet, dega e saj në Shqipëri do të çregjistrohet automatikisht. Po kështu, ndryshimet që lidhen me likuidimin, falimentimin, bashkimet apo ndarjet ndërkufitare do të shkëmbehen elektronikisht ndërmjet regjistrave.
QKB plotësisht digjitale
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me modelin e ofrimit të shërbimeve. Projektligji parashikon shfuqizimin e konceptit të sporteleve qendrore dhe sporteleve të shërbimit, duke e orientuar aktivitetin e QKB-së drejt një modeli plotësisht elektronik.
Sipas relacionit, shërbimet për publikun do të realizohen përmes sportelit elektronik, duke reduktuar nevojën për dokumentacion fizik dhe paraqitje pranë institucionit.
Reforma synon gjithashtu të krijojë kushtet që investitorët e huaj të mund të kryejnë procedurat e regjistrimit të biznesit në distancë, duke përdorur mjetet e identifikimit elektronik të lëshuara në vendet e Bashkimit Europian.
Kjo pritet të ulë kostot administrative dhe të lehtësojë hyrjen e investitorëve të huaj në tregun shqiptar.
Në relacion përmenden si shembuj Estonia, Lituania dhe Polonia, ku 75–85% e bizneseve të reja regjistrohen online, duke ilustruar përfitimet e digjitalizimit të procedurave tregtare.
Shërbime edhe në anglisht dhe më shumë transparencë
Projektligji parashikon që QKB-ja të ofrojë informacion dhe këshillim edhe në gjuhën angleze, veçanërisht për investitorët e huaj dhe subjektet që kryejnë veprimtari ndërkufitare.
Institucioni do të vendosë në dispozicion modele standarde elektronike të dokumenteve të themelimit të shoqërive, përfshirë statutet dhe aktet e themelimit, si dhe informacion mbi detyrat e organeve drejtuese.
Ndryshimet synojnë gjithashtu forcimin e transparencës për administratorët e shoqërive tregtare. Përmes sistemit të ndërlidhjes do të shkëmbehen edhe të dhëna mbi personat që janë të ndaluar të ushtrojnë funksione administrimi në shoqëritë tregtare.
QKB-ja do të ketë gjithashtu të përcaktuara shprehimisht funksionet për mbajtjen dhe administrimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, duke zgjeruar përgjegjësitë e saj në drejtim të transparencës së strukturave të pronësisë.
Një pjesë e shërbimeve të QKB-së në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike Kombëtare
Reforma parashikon edhe një model të ri bashkëpunimi institucional, përmes delegimit të pjesshëm të disa funksioneve të QKB-së te Dhoma Ekonomike Kombëtare.
Sipas projektligjit, bashkëpunimi do të përfshijë identifikimin, verifikimin, saktësimin, certifikimin dhe përditësimin periodik vjetor të Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) për subjektet e regjistruara.
Dhoma Ekonomike Kombëtare do të angazhohet gjithashtu në informimin e bizneseve mbi detyrimet ligjore dhe procedurale, këshillimin për regjistrimet dhe ndryshimet në regjistrin tregtar, si dhe për procedurat që lidhen me licencat, autorizimet dhe pronarët përfitues.
Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në ofrimin e shërbimeve dytësore, përfshirë analiza ekonomike, studime dhe statistika zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pa tarifa të reja për bizneset, kostoja e reformës rreth 10 milionë lekë
Projektligji nuk parashikon vendosjen e taksave, tarifave apo detyrimeve të reja financiare për subjektet private.
Shërbimet e QKB-së, përfshirë regjistrimin e degëve dhe marrjen e ekstrakteve, do të vijojnë të ofrohen sipas tarifave ekzistuese.
Ndërkohë, zbatimi i reformës do të kërkojë investime për përshtatjen e sistemeve informatike, lidhjen me platformën europiane BRIS, trajnimin e punonjësve dhe informimin e komunitetit të biznesit.
Sipas vlerësimit paraprak, shpenzimet shtesë nuk pritet të tejkalojnë rreth 10 milionë lekë gjatë tre viteve të para pas miratimit të ligjit.
Financimi parashikohet të realizohet kryesisht nga buxhetet ekzistuese të institucioneve përgjegjëse, ndërsa një pjesë e kostove teknologjike mund të mbulohet përmes asistencës ndërkombëtare. /ekofin.al


