Opinion

Ermal Peçi: Besa e Ramës është me Berishën e jo me qytetarët!

Ermal Peçi: Besa e Ramës është me Berishën e jo me qytetarët!

Ka një shprehje të vjetër filozofike, por edhe shumë domethënëse, të Aristotelit, ku thuhet se miqtë e vërtetë, edhe kur nuk flasin, ndajnë fate dhe histori të njëjta. Kështu është edhe historia politike e Edi Ramës dhe Sali Berishës, të cilët edhe pse në media e paraqesin veten si kundërshtarë të ashpër dhe armiq të përbetuar të njëri-tjetrit, në fakt kanë qenë bashkëpunëtorë jashtë kamerave të medias dhe përtej sallës së Parlamentit.

Ata ndajnë fate dhe histori të njëjta, sepse kanë të njëjtin kundërshtar, i cili sot ka emrin SPAK. Ky është i vetmi kundërshtar real që i cenon pushtetin politik si Edi Ramës, ashtu edhe Sali Berishës, në një kohë kur shoqëria është e polarizuar dhe kur pushteti politik ka kapur struktura të rëndësishme ekonomike dhe sociale.

Platforma e Edi Ramës, e cila titullohet “Besa”, është vetëm një mënyrë për të tentuar zhvendosjen e fokusit publik nga përgjigjet që kryeministri duhet t’i japë opinionit publik: pse ka kaq shumë korrupsion kjo qeveri, pse çmimet e shportës janë rritur, pse çmimet e apartamenteve janë çmendur, pse nafta është ndër më të shtrenjtat në rajon, pse bujqësia shqiptare është shkatërruar dhe pse jetesa është bërë e papërballueshme për familjet shqiptare.

Kryeministri Rama zgjodhi në fakt të mos japë përgjigje për këto çështje, por në fund të flasë për një platformë morale si “Besa”. Por ajo që Edi Rama nuk e thotë dot me gojën e tij është se besën, sipas kësaj teze, ai e ka lidhur me Sali Berishën për të ruajtur një sistem politik, por jo me qytetarët e tij, me të cilët nuk ka lidhur kurrë një besë të tillë.

Ai e lidhi “Besën” me Sali Berishën që kur bëri ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2008. Ai e lidhi “Besën” me Sali Berishën edhe kur, pas vitit 2013, një pjesë e grupeve ekonomike pranë pushtetit të mëparshëm u përshtatën me realitetin e ri politik dhe ekonomik të krijuar nga qeverisja e Edi Ramës.

Ai e lidhi “Besën” me Sali Berishën edhe kur njerëz me lidhje pranë tij morën pjesë të rëndësishme në zhvillimin e sektorit të ndërtimeve në Shqipëri.

Edi Rama e lidhi “Besën” me Sali Berishën edhe kur Ilir Metën e lëviznin si një ping-pong politik mes dy kampeve, për të ruajtur ekuilibrin politik të fuqive të tyre.

Edi Rama e lidhi “Besën” me Sali Berishën edhe në momentet kur Partia Demokratike ishte në gjygj me Lulzim Bashën për legjitimitetin e saj edhe të paktën dy ish deputet të PD-së e kanë pranuar me gojën e tyre që vulën e PD-së Berishës ja dha Rama .

Edi Rama ka lidhur “Besën” me Sali Berishën edhe në sulmet ndaj SPAK-ut, ndaj Altin Dumanit dhe ndaj drejtuesve të tjerë të drejtësisë së re. Njëri me një gjuhë më të butë, tjetri me një gjuhë më të ashpër, secili me regjistrin e tij politik, por sipas kësaj formë komunikini me të njëjtin objektiv: frenimin, intimidimin dhe dobësimin e SPAK-ut.

Kjo është “besa” reale që Edi Rama ka lidhur me Sali Berishën dhe jo me Shqipërinë. Sepse besën që duhej ta kishte me qytetarët shqiptarë, për drejtësi, mirëqenie, zhvillim dhe një jetë më të mirë, ai nuk e ka mbajtur.

Edi Rama besën e ka dhënë me Berishën dhe jo me qytetarët e tij. Një besë politike që synon ruajtjen e një sistemi ku ata mbajnë kontrollin e pushtetit, ndërsa shqiptarët përballen me rritjen e kostos së jetesës, pasigurinë ekonomike dhe humbjen e besimit te politika.

Duke lidhur besën me njëri-tjetrin, Rama dhe Berisha kanë mbrojtur njëri-tjetrin politikisht dhe kanë forcuar rrethin e tyre të pushtetit, ndërsa qytetarët shqiptarë janë ata që kanë mbetur përballë pasojave të këtij modeli politik.

Kjo është besa që Edi Rama ka zgjedhur: besa me Sali Berishën për të mbijetuar politikisht dhe për t’u përballur me sfidën që quhet SPAK, por jo besa me Shqipërinë dhe me qytetarët shqiptarë.