Aktualitet

Fation Shehu emërohet drejtor i ri i Përgjithshëm i Doganave, zëvendëson Besmir Bejën

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të ketë një drejtues të ri. Fation Shehu është emri që do të marrë drejtimin e institucionit, pas largimit të Besmir Bejës, i cili qëndroi në këtë detyrë për rreth 10 muaj.

Shehu ka mbajtur për katër vite detyrën e drejtorit të Antikontrabandës, ku është angazhuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Gjatë vitit të kaluar, ai është vlerësuar me Çmimin e Parë nga SELEC, Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore, për arritjet në këtë fushë.

Emërimi i tij pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, pas propozimit përkatës.

Ndërkohë, deri më tani nuk janë bërë publike arsyet e largimit të Besmir Bejës nga drejtimi i Doganave.