‘Fenomen i denoncuar’/ Xhaferri: Transporti i nxënësve drejt shkollave në mëshirë të shoferëve të alkoolizuar…
Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Besart Xhaferri, ka ngritur alarmin për sigurinë e transportit të nxënësve, duke denoncuar rastet e përsëritura të drejtimit të mjeteve nga shoferë në gjendje të dehur.
Në postimin e tij në Facebook, Xhaferri thekson se fenomeni është paralajmëruar prej tij që në shtator 2025 dhe kërkon masa urgjente për të shmangur tragjedi të tjera.
Postimi i plotë:
Kur shqiptarët ende nuk e kanë marrë veten nga tragjedia në Durrësin e Ri, ku dy fëmijë humbën jetën si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga një shofer i alkoolizuar, sot në Elbasan u ndalua një shofer furgoni që transportonte nxënës dhe drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ky është një realitet që duhet ta shohin ata që na flasin për “klasa inteligjente”, ndërkohë që informalitetin në çështjen e transportit të nxënësve e kam denoncuar që më 17 shtator 2025 dhe për këtë kam folur edhe në Parlament.
Rasti i Elbasanit, ku shoferi që transportonte nxënës ishte në gjendje të dehur, nuk është i izoluar, ndaj duhen marrë masa urgjente.
Dreqi ta hajë, duhet të marrë dikush përgjegjësi, sepse është jeta e fëmijëve tanë në lojë.
Ndaj lëreni propagandën, para se tragjedia e radhës të na pikëllojë të gjithëve.

