Florian Nova: Mision diplomatik me bashkërendim të punës me NATO-n, BE dhe OKB
Komisioni i Jashtëm, seanca dëgjimore me kandidatë për ambasadorë
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi seanca dëgjimore me kandidatët për ambasadorë të Shqipërisë në disa shtete. Para anëtarëve të komisionit prezantoi platformën e tij diplomati i karrierës me përvojë të gjatë në përfaqësimin dinjitoz të shtetit shqiptar, Florian Nova që pati ushtruar detyrën më herët si zv/ ambasador i Shqipërisë në Greqi dhe Turqi. Në Budapest, si ambasador i Shqipërisë në Hungari dhe (i ngarkuar me punë) në Rumani.Gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi ishte i ngarkuar me punë në Beograd.
Florian Nova, kandidat për ambasador në Egjipti, rezident dhe në Siri, Jordani, Libi, Palestinë, Liban dhe Sudan, jo rezident.
Në fillim të fjalës së tij, Nova theksoi rëndësinë e fuqizimit të pranisë diplomatike të Shqipërisë në këtë rajon.
Përparësi, sipas tij, do të ketë Jordania duke e parë këtë shtet si një partner institucionalisht funksional.
Nova theksoi se zonat e konfliktit apo zonat kalimtare të tranzicionit si Siria, Libia dhe Sudani, por edhe Palestina dhe Libani kërkojnë një trajtim të barazpeshuar duke marrë parasysh ndjeshmërinë rajonale dhe dinamikat në terren.
Ai theksoi se gjatë misionit të tij diplomatik do të bashkërendojë punën me NATO-n, BE-në dhe OKB-në.
Duke konsideruar Egjiptin si një bazë shumë të rëndësishme për gjithë rajonin, Nova u shpreh se forcimi i bashkëpunimit do të jetë në nivel dypalësh por edhe shumëpalësh.

