Opinion

Frank Shkreli: Amerika dhe shqiptarët, një miqësi që nuk njeh kohë

Me rastin e mbërritjes së ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Mbërritja e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, gjeneral-lejtnantit në pension Eric Wendt, është një rast i mirë për të kujtuar jo vetëm marrëdhëniet e sotme shqiptaro-amerikane, por edhe një të vërtetë historike që është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e shumicës së shqiptarëve: Kombi shqiptar nuk ka pasur dhe nuk ka sot një mik më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kjo nuk është thjesht një shprehje emocionale e imja. Është një marrëdhënie që është ndërtuar në momente vendimtare të historisë shqiptare. Nga Presidenti Woodrow Wilson dhe qëndrimi amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, te 20 mars 1991, data e mbërritjes së delegacionit të parë zyrtar amerikan në Tiranë. Kjo miqësi është ndërtuar gjatë më shumë se një shekulli dhe është dëshmuar në disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë moderne. Ajo ka kaluar përmes periudhave të vështira, sidomos gjatë, pothuaj, një shekull komunizëm — dhe ka marrë një dimension të veçantë pas rënies zyrtare të diktaturës komuniste, — Nga Frank Shkreli – Kur historia trokiti në derë: “Liria erdhi,po a u ndërtua shteti?” | Gazeta Telegraf — te mbështetja amerikane për Kosovën dhe roli i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e saj, e deri te Shqipëria e sotme anëtare e NATO-s.

Prandaj, çdo ambasador amerikan që shkon në Tiranë nuk përfaqëson vetëm një administratë apo një qeveri të radhës. Ai përfaqëson një vend me të cilin shqiptarët kanë krijuar një lidhje të veçantë historike. Në këtë kontekst, arritja e Ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt në Shqipëri merr një kuptim të veçantë. Ai sjell në Tiranë një përvojë prej më shumë se tri dekadash në shërbim të Shteteve të Bashkuara.  Ai ka komanduar struktura të rëndësishme të Forcave Speciale amerikane dhe të NATO-s, ndërsa në karrierën e tij ka pasur edhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me forcat speciale shqiptare. Në dëgjesën e tij para Senatit amerikan, ai kujtoi përvojën me trupat shqiptare dhe vlerësoi profesionalizmin e tyre. (Senate Foreign Relations⁠). Kjo përvojë e bën njohjen e tij me Shqipërinë më konkrete. Ai nuk e njeh vendin vetëm nga dosjet diplomatike, por ai ka pasur kontakt me shqiptarë që kanë shërbyer krah për krah me amerikanët në misione ndërkombëtare.

Por, përtej marrëdhënieve shumë të rëndësishme ushtarake dhe strategjike, ekziston një dimension shumë më i gjerë i miqësisë shqiptaro-amerikane. Shqiptarët e kanë parë Amerikën si një vend ku liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor kanë qenë ideale të fuqishme tërheqse. Për brezat e shqiptarve që përjetuan diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, Shtetet e Bashkuara — si asnjë vend tjetër  në botë– përfaqësonin një dritare drejt botës së lirë.  Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf. Pikërisht për këtë arsye, marrëdhënia mes dy vendeve tona nuk duhet parë vetëm në funksion të interesave të momentit. Ajo ka një bazë historike dhe njerëzore që është shumë më e thellë. Sot Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë në NATO. Por aleanca ushtarake është vetëm një pjesë e marrëdhënies. Siguria, ekonomia, investimet, sundimi i ligjit, demokracia dhe perspektiva evropiane e Shqipërisë, janë fusha ku bashkëpunimi shqiptaro-amerikan vazhdon të ketë rëndësi për shqiptarët dhe për rajonin.

Edhe vetë Ambasadori Wendt, në deklaratën e tij para Senatit, e përkufizoi partneritetin amerikano-shqiptar si të mbështetur në interesa të përbashkëta dhe në një angazhim të përbashkët për lirinë dhe sigurinë. (Senate Foreign Relations⁠). Prandaj, mbërritja e tij në Tiranë mund të shihet si një kapitull i ri i një marrëdhënieje që ka kaluar shumë prova dhe shumë dekada.  Historikisht, Amerika ka qenë pranë shqiptarëve në momente kur historia ka kërkuar miq të vërtetë. Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf.  Dhe miqësitë e vërtetë nuk maten vetëm me deklaratat diplomatike të ditës, ose të rastit. Ato maten me kujtesën e popujve dhe me qëndrimet në momentet vendimtare.  Në këtë kuptim, mesazhi që shqiptarët mund t’i përcjellin sot Ambasadorit Të Shteteve të Bashkuara, Z. Eric Wendt në mbërritjen e tij në Tiranë, është i thjeshtë: MIRË SE VINI NË SHQIPËRI!  Mirë se vini në një vend ku Amerika nuk është thjesht një partner strategjik, por një emër që për shumë shqiptarë lidhet me lirinë, shpresën dhe mbështetjen në ditët më të vështira të ekistencës së saj.  Dhe ndërsa ambasadori i ri amerikan nis detyrën në Tiranë, është me vend të kujtojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk fillojnë sot dhe nuk mbarojnë me një ambasador.  Nga Frank Shkreli – 4 Korrik, 2026, 250-vjet Amerikë: një miqësi që ndryshoi përgjithmonë historinë e shqiptarëve — Ato janë pjesë e një historie më të madhe, historisë së miqësisë shqiptaro-amerikane. Sepse kur Amerika hyn në Tiranë, hyn edhe një histori miqësie me shqiptarët. Prandaj, siç e kam thenë shpesh herë, miqësia e shqiptarëve me Amerikën duhet ruajtur si sytë e ballit.

Sidomos sot. Shqipëria ndodhet në një rajon ku siguria nuk mund të merret si e mirëqenë. Lufta në Evropë, Rusi-Ukrainë, tensionet në Ballkanin Perëndimor, sfidat ndaj sigurisë euroatlantike dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin e Tiranës me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët e tjerë të NATO-s.  Në këto rrethana, Shqipërisë i duhet një politikë e jashtme e matur, e përgjegjshme dhe e parashikueshme. Dhe mbi të gjitha, i duhet të ruajë partneritetet që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe interesat e saj strategjike, afat-shkurtë dhe afat-gjatë.  Miqësia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jetë çështje e një partie, e një qeverie apo e një administrate të caktuar. Ajo duhet të jetë një interes i përherëshëm kombëtar shqiptar. Mund të ketë debate politike të brendshme. Mund të ketë dallime mes forcave politike. Mund të ketë edhe pikëpamje të ndryshme për mënyrën se si duhen zgjidhur problemet e vendit dhe këto janë normale në një demokraaci sado e brishtë që është. Por marrëdhënia strategjike me Shtetet e Bashkuara duhet të mbetet mbi këto ndarje politike. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria duhet të heqë dorë nga interesat e veta apo nga e drejta për të pasur pikëpamjet e saj. Përkundrazi. Një aleancë e shëndetshme midis shteteve, ndërtohet mbi respektin reciprok, besimin, transparencën dhe interesat e përbashkëta. Duke marrë parasysh zhvillimet aktuale politike në vend dhe në rajon, sot, më shumë se kurrë, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme me Uashingtonin zyrtar dhe me Shtetet e Bashkuara në përgjithsi, duke marrë parasysh edhe komunitettin e madh shqiptaro-amerikan që, historikisht, ka shërbyer si urë miqësie midis dy vendeve tona. Prandaj, mbërritja e Ambasadorit Eric Wendt në Tiranë duhet parë edhe si një mundësi për të forcuar më tej këtë partneritet dhe miqëssi në interes të dy palëve dhe dy popujve tanë.  Shqiptarët kanë shumë arsye për ta çmuar Amerikën. Historia na mëson se miqësitë e mëdha nuk duhen kujtuar vetëm kur kemi nevojë për to. Ato duhen kultivuar në ditë të mira dhe në ditë të vështira, neper të cilat po kalon sot Shqipëria.

Mbërritja në Tiranë e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, ndodh në një prej momenteve më të tensionuara të jetës politike shqiptare të viteve të fundit. Ai nis misionin e tij diplomatik në një kryeqytet ku protestat qytetare kanë vijuar për më shumë se tre muaj dhe ku përplasjet politike kanë dalë prej kohësh përtej debatit të zakonshëm parlamentar.  Protestat, të cilat kanë kaluar tashmë 100 ditë, kanë marrë një dimension më të gjerë politik dhe janë shoqëruar edhe me përplasje me policinë.  Kjo është Shqipëria që ambasadori Wendt gjen në ditën e parë të misionit të tij.  Prandaj, ardhja e Eric Wendt nuk është thjesht një ndryshim në krye të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajo përkon me një moment kur Shqipëria ka nevojë për dialog politik, institucione funksionale dhe respektim të parimeve demokratike, ndërsa aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet një prej shtyllave kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.  Në këto rrethana, pyetja nuk është se në anën e kujt do të qëndrojë ambasadori i ri, por se si diplomacia amerikane do të mund të kontribuojë në forcimin e institucioneve, dialogut dhe stabilitetit në Shqipëri, të një vendi aleat që po kalon një periudhë të vështirë politike. Sepse, në fund të fundit, Shqipëria nuk ka luksin të shpërdorojë miqësitë e saj të vërteta. Miqësia me Shtetet e bashkuara është një nga ato miqësi që shqiptarët duhet ta ruajnë si sytë e ballit.