Frank Shkreli : BESA NUK ËSHTË SLOGAN – ËSHTË NDËRGJEGJJA MORALE E KOMBIT
Në historinë e popujve ka fjalë që nuk janë thjesht pjesë e fjalorit. Ato janë simbole të identitetit, të karakterit dhe të ndërgjegjes së një kombi. Për shqiptarët, ka fjalë që nuk janë thjesht pjesë e fjalorit, por përfaqësojnë shtyllat morale mbi të cilat është ngritur identiteti kombëtar i shqiptarëve. Dy prej tyre janë Rilindja dhe Besa.
Për shumë shqiptarë, emri Rilindja evokon menjëherë Rilindjen Kombëtare, atë epokë të ndritur kur mendimtarë, shkrimtarë dhe patriotë, me sakrifica të jashtëzakonshme, hodhën themelet e ndërgjegjes kombëtare dhe të shtetit shqiptar. Megjithatë, në vitet e fundit kjo fjalë është përdorur nga qeveria aktuale socialiste si emërtim politik, duke zbehur për shumëkënd kuptimin e saj historik dhe simbolik. Sot duket se një fat i ngjashëm po i kanoset edhe fjalës Besa. Thjesht, një keqpërdorim i fjalëve me peshë kombëtare! Ashtu, siç u përdor dikur nga partia në pushtet sot fjala Rilindje e cila në historinë shqiptare lidhet me Rilindjen Kombëtare dhe sakrificat e rindë[sve për gjuhën, kulturën dhe shtetin shqiptar, sot po rrezikon të banalizohet edhe fjala Besa.
Kur qeveritë ose partitë politike përvetësojnë simbole të tilla për qëllime politike propagandistike, lind pyetja: a po u japin atyre përmbajtje përmes veprave, apo thjesht po përpiqen të përfitojnë nga pesha emocionale dhe historike që ato mbartin? Fjalët me peshë kombëtare nuk duhet të shërbejnë si dekor politik. Ato duhet të mbeten pronë e të gjithë shqiptarëve. Asnjë qeveri nuk mund të monopolizojë Besën, ashtu siç nuk mund të monopolizojë Rilindjen. Besa nuk shpallet; ajo mbahet. Rilindja nuk mund të dekretohet. Ajo ndërtohet me punë, ndershmëri dhe përkushtim ndaj interesit kombëtar. Prandaj vendimi i Kryeministrit Edi Rama për ta pagëzuar programin e ri qeveritar me emrin “Besa” nuk është një zgjedhje e zakonshme politike. Ai prek një trashëgimi morale që nuk i përket asnjë partie dhe asnjë qeverie. “Besa” nuk është pronë e pushtetit; ajo është pronë e Kombit shqiptar.
Në traditën shqiptare, Besa nuk ka qenë kurrë një dekor retorik, as një mjet politik. Ajo ishte fjala e dhënë, e cila nuk shkelej. Ishte garancia e nderit personal dhe e dinjitetit familjar. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi, besa përbënte një nga shtyllat kryesore të rendit shoqëror. Ajo siguronte paqen, mbronte mikun dhe vendoste besimin aty ku mungonin institucionet. Frank Shkreli/ Na ishte dikur besa e shqiptarit! |
Edith Durham, mikja e madhe e shqiptarëve, kishte mbetur e mahnitur nga pesha që kishte fjala e dhënë në jetën e tyre. Për të, besa ishte dëshmi se nderi kishte më shumë fuqi se frika dhe se morali kishte më shumë peshë se forca. Ndërkaq, Faik Konica i madh e konsideronte nderin dhe karakterin si themelet mbi të cilat mund të ndërtohej një Shqipëri e qytetëruar. Ai paralajmëronte, vazhdimisht, se një komb nuk ngrihet me fjalë të mëdha, por me përgjegjësi morale dhe me respekt ndaj së vërtetës. Edhe At Gjergj Fishta i madh, në veprën e tij, e ngriti Besën në rangun e një virtyti kombëtar. Në botën shqiptare të “Lahutës së Malcis”, nderi, fjala e dhënë dhe Besa janë shtyllat mbi të cilat qëndron dinjiteti malësorit, i burrit shqiptar dhe i kombit. Për Fishtën, shqiptari humb gjithçka kur humbet Besën. At Shtjefën Gjeçovi, në përmbledhjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit, e paraqet Besën si një nga shtyllat themelore të rendit zakonor shqiptar. Ajo ishte garanci paqeje, sigurie dhe besueshmërie. Edhe kur kishte gjakmarrje, Besa krijonte një periudhë paqeje që respektohej nga të gjitha palët, një praktikë shoqëroroe që edhe sot respektohet në malësitë tona. Kjo tregon se Besa nuk ishte një slogan emocional, por një normë juridike e morale. Edhe shkrimtari Ismail Kadare e ka trajtuar Besën si një nga simbolet më të fuqishme të qytetërimit shqiptar. Në veprat e tij, ajo nuk paraqitet thjesht si zakon, por si një kategori morale që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin kombëtar.
Por ndoshta dëshmia më e fuqishme e kësaj vlere nuk gjendet vetëm në letërsi apo në Kanun. Ajo gjendet në historinë e Luftës së Dytë Botërore. Kur mijëra hebrenj kërkonin strehë për t’i shpëtuar shfarosjes naziste, shqiptarët, pa dallime fetare, krahinore a politike të kohës, Frank Shkreli: Pse nuk përmendet roli unik i Kol Bib Mirakës për shpëtimin e hebrenjëve? | , hapën dyert e shtëpive të tyre. Ata nuk pyetën për fenë, kombin, as politikën (shiko shkrimin më lartë) apo prejardhjen e tyre. Shqiptarët e asaj kohe, pa dallim, i mbrojtën hebrenjët sepse e ndienin si detyrim moral – bazuar në Besën e dhënë. Në shumë dëshmi të mbijetuarish përsëritet e njëjta ide: shqiptarët e mbajtën fjalën, sepse kishin dhënë Besën! Pikërisht, siç dihet tanimë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, ky gjest bëri që Shqipëria të mbetej një nga rastet më të rralla në Evropë ku numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj.
Ky është kuptimi i vërtetë i Besës shqiptare. Prandaj lind pyetja: a mund të përdoret një trashëgimi e tillë si emër i një programi politik qeveritar, sot? Sigurisht që askush nuk mund ta ndalojë ligjërisht përdorimin e kësaj fjale nga një qeveri ose individ. Por, ama, ekziston edhe një përgjegjësi morale dhe kombëtare. Zakonisht, simbolet kombëtare do duhej të fitojnë respekt kur qëndrojnë mbi ndarjet politike, dhe jo kur bëhen pjesë e tyre. Duke pasur parasyssh se, normalisht, një qeveri nuk gjykohet nga emri që i vë programeve të saj, por gjykohet nga mbajtja e premtimeve, nga drejtësia që ushtron ose jo, nga transparenca dhe nga shërbimi dhe respekti ndaj qytetarëve të vet, në përgjithsi. Nëse këto mungojnë, atëherë edhe emri më fisnik rrezikon të humbasë kuptimin e tij. Se Besa nuk është një markë politike dhe as një slogan fushate. Besa është një nga vlerat më të lashta të kombit shqiptar, e mishëruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, (shpesh subjekt talljeje nga ish-regjimi komunist por edhe sot), por që sot gjithnjë përdoret Besa, në traditën gojore dhe në historinë e popullit tonë. Për shekuj me radhë, besa ka nënkuptuar fjalën e mbajtur, nderin, përgjegjësinë morale dhe kombëtare, si dhe gatishmërinë për të mbrojtur tjetrin madje edhe me sakrifica personale. Prandaj, kjo është arsyeja pse shumëkush mund ta shohë përdorimin sot të Besës për qëllime politike — si një banalizim të një ideje që, historikisht, u përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve partiake, politike, krahinore a fetare. Në mendimin tim, është e turpshme që vlera historike dhe kombëtare e Besës të monopolizohet në këtë mënyrë, nga cilado parti, qeveri, parti apo lider politik, qoftë.
Si mund të përdoret ose të konsiderohet Besa si një strategji komunikimi të një program politik. Besa nuk është logo, as slogan. Historia nuk do të kujtojë emrin e një programi qeveritar politik me këtë emër, por do të kujtojë nëse fjala e dhënë u mbajt apo u thye. Sepse, në traditën shqiptare, besa nuk matet me deklarata, as me programe politike. Ajo matet me vepra. Dhe kjo është arsyeja pse Besa duhet të mbetet e paprekshme, gjithmonë mbi politikën dhe jo të monopolizohet, politikisht, në këtë mënyrë! Për ata që kanë sensin dhe respektin e historisë, Besa dhe vlera tjera kombëtare duhet të mbeten dhe të ruhen si porosi e të parëve, si nder i shqiptarit dhe jo të çoroditet dhe të përdoret nga politika për qëllimet e saja të rastit.
Besa shqiptare nuk ka lindur në zyrat e shtetit dhe nuk është krijuar nga politika. Ajo ka lindur në jetën e shqiptarëve ndër shekuj, në familje, në fis, në kuvend dhe në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ajo ishte garancia më e fortë e fjalës së dhënë, shumë kohë përpara se të ekzistonin kontratat e shkruara, manipulimet politike, apo institucionet moderne shtetërore. Shqiptari mund të humbiste pasurinë, por jo Besën. Humbja e besës nënkuptonte humbjen e nderit… humbjen e gjithçkaje.
Simbolet dhe vlerat që u kanë mbijetuar shekujve meritojnë respekt të veçantë, sepse ato nuk janë pronë e qeverive të radhës. Janë pasuri e mbar; Kombit. Besa është amanet i brezave që paraprinë. Ajo nuk fitohet me një vendim qeverie dhe nuk shpallet me konferenca për shtyp ose në mtingje partiake. Ajo fitohet çdo ditë, me ndershmëri, përgjegjësi dhe mbajtje të fjalës. Se Besa e shqiptarit nuk shitet pazarit!
Nëse politika shqiptare dëshiron t’i shërbejë vërtetë Besës, nuk ka nevojë ta përdorë si slogan. Mjafton ta zbatojë si parim. Vetëm atëherë fjala “Besa” do të ruaj madhështinë që i kanë dhënë historia, kultura dhe ndërgjegjja e Kombit shqiptar. “Besa, kjo mrekulli e botës shqiptare, me të cilën ndiesia heroike e detyrës dhe e nderës, e shëroi gjatë shekujve plagën etnike të indvidualizmës”, At Zef Valentini — Frank Shkreli: Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri, gjithmonë për mirë! |
Kjo është arsyeja pse BESA duhet të mbetet mbi politikën, si porosi i të parëve, si nder i shqiptarit dhe si një nga dhuratat më të çmuara që Kombi shqiptar i ka dhënë qytetërimit evropian dhe më gjërë. Besa nuk shpallet me dekret, ajo provohet. Besa as nuk trashëgohet me pushtet, as nuk dekretohet nga pushteti, por fitohet me karakter.
Frank Shkreli

