Frank Shkreli: Fishta nuk mposhtet nga vandalët!
Përkime shqetësuese në ditët e protestave: Rastësi apo sinjale që kërkojnë përgjigje zyrtare?
Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
Çfarë ironie e hidhur! Në vigjiljen e 155-vjetorit të lindjes së Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës, në Lezhë u prish statuja e “Lahutës së Malësisë”, vepra e madhe e Fishtës. Nuk është e qartë se kush ishte përgjegjës, por njoftohet ne median lokale se një grup të rinjsh që morën pjesë në një protestë degraduan në akte vandalizmi duke prishur statujën e “Lahutës së Malësisë” në qendër të qytetit Lezhë.
Fatkeqsisht, Shqipëria dhe Lezha, që mburren me historinë e vet, me heronjtë, poetët dhe rilindësit kombëtarë, ende nuk kanë arritur të deshmojnë se si t’i nderojnë e t’i mbrojnë siç duhet, figurat që i dhanë emër, gjuhë dhe dinjitet Kombit shqiptar. At Gjergj Fishta nuk ishte thjesht një poet. Ai ishte një ndërgjegje kombëtare, një zë i fuqishëm i shqiptarizmës dhe një nga mjeshtrit më të mëdhenj të gjuhës shqipe. Me “Lahutën e Malësisë”, Fishta i ngriti historisë shqiptare një monument që nuk mund t’a rrëzojë as koha, as harresa dhe as dora e vandalëve.
Pamje nga vandalizmi i monumentit të “Lahutës së Malcís”, në Lezhë — një simbol i identitetit kombëtar shqiptar që përfaqëson kryeveprën e Poetit kombëtar, Gjergj Fishtës.
Prandaj, vandalizimi i monumentit të “Lahutës së Malësisë”, në Lezhë është një akt që meriton dënimin e pakushtëzuar të shoqërisë shqiptare. Autorët duhet të identifikohen dhe të përgjigjen para ligjit. Por përgjegjësia nuk mbaron me ndëshkimin e atyre që kryen aktin. Ajo shtrihet edhe te institucionet vendore dhe qendrore, që duhet të kujdesen për edukimin kulturor të brezave dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare.
Nuk mund të kërkohhet nga të rinjtë të respektojnë Fishtën, nëse institucionet shqiptare nuk u mësojnë rininë se kush ishte ai dhe çfarë përfaqëson vepra e tij. Nuk mund të pretendohet se nderojmë historinë, nëse figurat e mëdha shqiptare, si Gjergj Fishta, vazhdojnë të trajtohen me shpërfillje, anashkalim e shpifje, ndërsa monumentet e tyre mbeten të pambrojtura. Një komb që harron poetët e vet rrezikon të humbasë zërin e tij. Një komb që lejon përdhosjen e trashëgimisë së vet rrezikon të humbasë edhe respektin për veten. Sot, nga Lezha, duhet të dëgjohet një thirrje e qartë: mjaft me shpërfilljen e figurave kombëtare! Mjaft me harresën selektive! Mjaft me trajtimin e historisë shqiptare si një pronë të përkohshme të politikës së ditës! Turp! Fishta nuk i përket asnjë partie, asnjë pushteti dhe asnjë ideologjie. Ai i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë. Vepra e tij është pasuri e gjuhës shqipe dhe pjesë e pandashme e trashëgimisë, historike dhe kulturore e të gjithë shqiptarëve. Le ta kuptojnë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe të gjithë ata që ende nuk e njohin madhështinë e Fishtës se mund të dëmtohet një monument, por nuk mund të shkatërrohet një vepër e pavdekshme. Mund të përdhoset një simbol, por nuk mund të fshihet historia që ai përfaqëson. Fishta u përball me ndalimin dhe përjashtimin e veprës së tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për pothuaj gjysëm shekulli dhe vazhdon të anashkalohet deri në ditët e sotëme. Sot, detyra e të gjithëve është të mos lejojmë që harresa, shpërfillja apo vandalizmi ta godasin sërish trashëgiminë e At Gjergj Fishtës.
Lezha duhet të jetë vendi ku ky akt anti-kombëtar kthehet në një pikënisje për më shumë përgjegjësi qytetare, më shumë edukim kombëtar dhe më shumë respekt për kulturën shqiptare. Dhe nëse duam t’i bëjmë një nder të vërtetë At Gjergj Fishtës në këtë 155-vjetor të lindjes, nuk mjafton të dënohet vandalizmi. Veprat e At Gjergj Fishtës. duhet të lexohen e të studiohen në shkolla, të përfshihen veprat e Fishtës, denjësisht, në jetën kulturore të shqiptarëve dhe t’u përcjellen brezave të rinj si një trashëgimi që nuk duhet të humbasë kurrë. Sepse Fishta nuk është vetëm kujtimi i një të kaluare të lavdishme. Ai është një provë e ndërgjegjes dhe simbol i identitetit kombëtar të shqiptarëve, edhe në ditët e sotëme.
Shqetësues është fakti se këto incidente të fundit po ndodhin pikërisht gjatë ditëve të protestave të qytetarëve dhe studentëve. A është ky një shenjë fatzezë se dora e zezë anti-shqiptare po përdorë protestat legjitime të studentëve dhe të qytetarve shqiptarë për të mbjellë farën e mosmaerrveshjeve të tjera në radhët e shqiptarëve. Nëse bëhet fjalë për ngjarje të rastësishme apo nëse ekziston ndonjë lidhje ndërmjet tyre, kjo është një çështje tjetër që kërkon hetim serioz dhe sqarim nga institucionet përgjegjëse. Megjithatë, përkimi kohor nuk mund të shpërfillet, sidomos kur ngjarjet prekin drejtpërdrejt lirinë e shprehjes, sigurinë dhe simbolet e identitetit kombëtar të shqiptarëve, përfshir Gjergj Kastriotin -Skenderbe dhe At Gjergj Fishten. Në një shoqëri demokratike, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje, ndërsa institucionet kanë detyrimin të garantojnë transparencë, të zbardhin rrethanat e këtyre incidenteve dhe të identifikojnë përgjegjësit, pa lejuar që dyshimet të zëvendësojnë faktet. Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është se çfarë Shqipërie po u lihet brezave të ardhshëm — një Shqipëri që nderon bijtë e saj të mëdhenj, apo një Shqipëri që i kujton ata vetëm kur u vandalizohen monumentet? Përgjigjja nuk duhet të vonojë. Fishta nuk mposhtet nga vandalët! Por Shqipëria dhe Lezha duhet të dëshmojnë se janë të denja për At Gjergj Fishtën!


