Aktualitet

Fshehën të ardhurat, bllokohen 73 milionë lekë llogari të 6 shoqërive në Tiranë

Prokuroria e Tiranës vendosi sekuestro preventive dhe bllokoi llogari bankare për gjashtë shoqëri me një total prej 73.051.436 lekë.

Sipas prokurorisë, nga hetimet rezultoi se këto subjekte kanë përdorur fatura fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Prokuroria njoftoi se këto subjekte dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme të organizuar, ku janë lëshuar dhe përdorur fatura për punime dhe shërbime të pa kryera realisht, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale.

Për këtë arsye, u vendos sekuestro preventive dhe bllokim i menjëhershëm i llogarive bankare për disa shoqëri, me vlera të konsiderueshme monetare si më poshtë:

  •  “OLT-FLOR” shpk – në vlerën 6,479,834 lekë;
  •  “OLTI-Group” shpk – në vlerën 1,542,834 lekë;
  •  “ALBAVIA” shpk – në vlerën 23,056,593 lekë (TVSH + TF);
  •  “Kukës Chrome Minerals” shpk – në vlerën 24,570,607 lekë (TVSH + TF);
  •  “Troci 2005” shpk – në vlerën 10,521,085 lekë (TVSH + TF); dhe
  • “STANDART” shpk – në vlerën 6,880,483 lekë (TVSH + TF).

Sipas prokurorisë, nga analiza financiare rezultoi se vlera e transaksioneve të dyshuara shkon mbi 73 milionë lekë, ndërsa dëmi i mundshëm ndaj buxhetit të shtetit lidhet me mosdeklarimin dhe shmangien e pagesës së tatimeve.

“Në këtë fazë të procedimit, organet është urdhëruar: Sekuestrimin e llogarive bankare në disa banka të nivelit të dytë; Bllokimin e menjëhershëm të tyre për të parandaluar lëvizjen e fondeve; Vijimin e hetimeve për identifikimin e plotë të personave të përfshirë”, njoftoi prokuroria.

Hetimet vijojnë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa nuk përjashtohet marrja e masave të tjera procedurale në vijim.