Genti i AKEPIT “ia luan” Mand Sharrës: Fiton oferta më e shtrenjtë, kap 93.3% të fondit
Një tjetër skandal me tenderat publikë ka shpërthyer në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Institucioni i drejtuar nga Gentian Sala ka përmbyllur një procedurë prokurimi që ngre dyshime të forta për një fitues të paracaktuar dhe mungesë të plotë të garës së lirë.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-82177-04-16-2026, me objekt përmirësimin e sistemeve të sigurisë së internetit (Implementimi i DNSSec për ccTLD.al dhe upgrade). AKEP kishte vënë në dispozicion një fond limit prej 6,000,000.00 lekësh të reja pa TVSH (rreth 72 milionë lekë të vjetra me TVSH). Në finale, fitues ka dalë Armand Sharra me kompaninë “INFOSOFT SYSTEMS”, duke marrë një vlerë prej 5,600,000.00 lekësh të reja (rreth 67 milionë lekë të vjetra me TVSH).

Skema e “garës” pa garë: Fiton kush kërkoi më shumë para
Dokumentet e këtij tenderi zbulojnë një mekanizëm të pastër që shmang çdo lloj konkurrence dhe kursimi për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave, në procedurë morën pjesë vetëm 3 kompani, por skenari i zhvillimit të saj të çon drejt një përfundimi të paracaktuar:
- Kompania “hije”: Njëra nga tre firmat pjesëmarrëse u fut në proces sa për numër, duke mos paraqitur asnjë ofertë ekonomike.
- Sfiduesi i skualifikuar: Nga dy kompanitë e mbetura që dhanë çmim, AKEP-i i Gentian Salës vendosi të skualifikojë ofertën më të lirë.
- Fituesi “maksimalist”: Në këtë mënyrë, fitues u shpall automatikisht Armand Sharra, pikërisht njeriu që kishte paraqitur ofertën më të lartë dhe më të shtrenjtë për shtetin.


Vlera fituese pothuajse 100% sa fondi limit
Ajo që e bën edhe më flagrant këtë prokurim është llogaritja e përqindjes së vlerës fituese. Kompania e Sharrës ka fituar tenderin duke prekur plot 93.3% të fondit limit.
Në praktikë, kjo do të thotë se AKEP nuk ka bërë asnjë përpjekje për të negociuar apo për të kursyer paratë e taksapaguesve. Diferenca mes asaj që shteti ishte i gatshëm të paguante dhe asaj që Sharra do të marrë është qesharake.
Kur një tender mbyllet me një vlerë kaq pranë tavanit maksimal dhe duke skualifikuar ofertat më të lira, termat “garë” dhe “transparencë” bien tërësisht, duke lënë pas vetëm dyshimet e forta për një dhuratë të pastër me paratë publike.

