Gëzim Tushi: Po jetojmë izolimin, pasigurinë dhe tjetërsimin, ndaj duhet të ngrihemi ti japim njeriut dinjitet, identitet, ndjenjën e përkatësisë sociale dhe personalitet
-Të ngrihemi në këmbë kundër zgjerimit të situatës së demoralizimit social, e cila po sjell një gjendje mendore të dobësuar
– Shumë individë, nuk i japin dot zgjidhjen e duhur situatave jetike personale për shkak të problemeve të thella ekonomike
– Shpesh herë njerëzit gjejnë rrugëdalje të gabuara për të dalë nga situata, që nga “burgosja” në subjektivitetin e tyre e deri tek adoptimi me lënien në harresë apo vetëvrasjen.
– Situatat sociale me korrupsionin galopant po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar nga njeriu individualisht
-Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”
Në shoqërinë tonë tashmë patologjitë po bëhen më komplekse, nga që pakënaqësia individuale si realitet po përzihet me një lloj nihilizmi social që është fare evident. Kjo në mënyrë sintetike tregon që nuk është mirë “shëndeti i shoqërisë” shqiptare. Problemi nuk është thjesht të bëjmë këtë konstatim sociologjik, i cili nuk është i vështirë. Ajo që duhet dhe është imperative në këto momente, është që individualisht së pari dhe shoqërisht së dyti, të ngrihemi në këmbë kundër zgjerimit të situatës së demoralizimit social, e cila po sjell një gjendje mendore të dobësuar tek shumë individë, të cilët nuk i japin dot zgjidhjen e duhur situatave jetike personale. Për pasojë shpesh herë gjejnë rrugëdalje të gabuara, që nga “burgosja” në subjektivitetin e tyre e deri tek adoptimi me margjinalizimin, pse jo edhe me vetëvrasjen. Padyshim, situatat sociale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar nga njeriu individualisht. Jemi në momente kur si asnjëherë më pare, njerëzit janë të të detyruar të përballen me shtrëngesat që sjell mënyra postmoderne e jetës. Koha që jetojmë është e shoqëruar nga ngutjet për sukses, nga shpejtimi i detyruar i individit për të kapur me çdo kusht objektivat e jetës. Të gjitha këto imperativa shoqërohen në mënyrë të natyrshme me nxitime marramendëse, me nervozizma e ngutje që ndikojnë në prishjen apo ndryshimin e detyruar të ritmit të jetës. Sociologët janë të shqetësuar nga ontologjia dhe fenomenologjia që po shoqëron jetën e njeriut të kohës sonë. Kjo jetë po dobëson ndjeshëm bazat individuale për optimizëm, qëndrueshmëri e forcë, që duhen shfaqur përballë sfidave e vështirësive. Gjithnjë e më shumë, nga mungesa e kuptimit të thelbit të vërtetë të kësaj jete të vërtetë dhe jo asaj utopike, po shtohen njerëzit që ngatërrojnë realitetin e vrazhdë me “mirazhet” e “buta” të modernitetit, e cila duket sikur “befasisht” është bërë tepër komplekse dhe me kontradikta, me shpresa e dëshpërime të njëkohshme, me shkelje të forta të “tabuve sociale”. Kjo është arsyeja që jo pak njerëzve ky realitet në të cilin jetojnë u duket i zymtë dhe postmoderniteti si një realitet që erdhi tek ne me “premtime të tradhtuara”. Kjo është arsyeja pse në jetën e përditshme takojmë njerëz që nuk e kanë të qartë, nëse janë të lodhur nga vetvetja apo nga situatat që zhvillohen në realitetin tonë social. Kjo situatë po determinon një gjendje gati të “dëshpërimit të përgjithshëm”. Madje duke sjellë për pasojë ndjenjën sikur jeta postmoderne në thelbin e vet është e tillë. Për pasojë nuk ka bazë për optimizëm dhe qëndrueshmëri. Po a është e vërteta tërësisht kështu apo një pjesë e perceptimeve janë të gabuara? Personalisht mendoj se kjo situatë është edhe problem social edhe individual. Madje kjo e fundit duket më dominante dhe lidhet me “projektimet e gabuara” të synimeve të jetës personale. Sipas mendimit tim situata e mundësisë së suksesit personal apo e dështimit individual, është një situatë që vetë njeriu e “projekton” se si do të jetë. Pse njeriu po bëhet ekzistencialisht i pasigurt? Parimi i parë i kësaj jete është që individi të bëhet i vetëdijshëm përmes njohjes së vërtetë të vetes. Kur nuk beson tek vetja, është e sigurt që do jesh “humbës”. “Individi humbës” është koncept social jo i ri, por që tani është bërë më i dukshëm dhe më i pranishëm në shoqërinë tonë. Por ai nuk është i pranishëm vetëm tek ne, sepse kjo kategori sociale, është një realitet i krejt shoqërisë moderne. Nuk ka në shoqërinë liberale të bazuar kryesisht në forcën dhe aftësitë e njeriut të veçantë, ndonjë predestinim social mbrojtës. Jeta moderne është një garë që jo të gjithë arrijnë të njëjtin rezultat.
Asnjë iluzion nuk duhet të kemi për kurbën e tashme dhe të ardhme të shoqërisë.
Ajo sa vjen dhe më shumë individualiste do të bëhet, gjithnjë e më shumë njerëzit do të kenë relacione të brishta sociale mbështetëse. Do të bëhet me siguri më i thellë “hendeku,” që ndan fatin social të njeriut si jetë personale. Problemi është që të ndihmojmë që njerëzit në jetën e tyre të dinë të ndajnë “strukturën e realitetit” që nuk varet prej tyre nga dëshirat dhe mundësitë e personalizuara. Sepse pikërisht individualizmi i shoqërisë, vështirësitë e përballimit të konkurencës, ka krijuar njerëz, grupe e shtresa sociale të gjëra që jetojnë në varfëri, të margjinalizuar, të braktisur nga familja dhe fëmijët, në vetmi, njerëz me ekuilibër të brishtë social dhe energji të shteruara nga konsumi i një jete të mbyllur sedentare, pa lidhje sociale dhe botën e punës, të kapitulluar në botën iluzore të drogës, alkoolizmit dhe prostitucionit. Këto grupe sociale të margjinalizuarish, kanë tendencë të shtohen, sepse është detyrë e vështirë për shtetin dhe shoqërinë që të gjejë mënyra dhe mekanizma psiosocialë të intervenimit në botën e tyre të ngushtë e të deformuar, për të vënë në lëvizje jashtë dëshirës së tyre paketën dhe “baterinë” e energjive të shterura personale. Në këtë grup social që përjeton humbjen, padyshim futen edhe grupi shumë i madh i njerëzve vanitozë, të droguar, vjedhës, hajdutë ordinerë, prostituta të rrugës, endacakë e bredhës profesionistë, që qëndrojnë në rrugë me shpresën e vetme për të siguruar jetën sipas konceptit të tyre të deformuar social. Në këtë kontekst, është duke u konceptuar një grup social njerëzish që tentojnë të jetojnë në shoqëri duke ju shmangur normave dhe detyrimeve sociale, në emër të lirisë së tyre për të qenë identitete të pavarur nga çdo detyrim. Këta janë pjestarë të shoqërisë tonë, të lënë në vetmi, që jetojnë të pasigurt, njerëz që kanë humbur aftësinë për jetë të pavarur pozitive dhe krijuese. Më parë një gjëndje e tillë konsiderohej si anomali patologjike mendore e individit të paekulibruar dhe që psikologët e konsideronin si sjellje devijante sociale e lidhur më shumë, me traumat e fëmijërisë. Ky lloj tipi ka qënë më shumë “pacient” mjekësor dhe jo i margjinalizuar social. Ndërsa në kohën tonë ka ndryshuar koncepti i vlerësimit dhe klasifikimit të “njeriut humbës”. Është vetë shoqëria që prodhon sëmundjet e saj të zhvillimit social. Në vend të individit të “qëndrueshëm dhe të vetmjaftueshëm”, të lidhur me norma, parime sociale dhe morale, i së kaluarës, i njeriut të mbyllur dhe të determinuar brenda kufijëve të “kafazit social”, po shfaqet gjithnjë e më shumë, njeriu i “paqëndrueshëm”, “paaftë”, i paekulibruar, i “pasigurt”. Njeriu që e ndjen veten të humbur, është i shkëputur nga lidhjet e domosdoshme e të qëndrueshme, “kanalet e anëtarësisë sociale” dhe nga “besimet” e vjetra. Sociologët e kanë vërtetuar shkencërisht, se ndryshimet dhe çrregullimet në mjedisin kulturor, si rregull pasohen nga çrregullimet në personalitetin e njeriut. Në këtë moment, kontributi i shtetit, por veçanërisht i familjes, komunitetit, shoqërisë civile, është sipas mendimit tim, ilaçi i identifikuar, me efekt të njohur terapeutik social, i cili realizon zbutjen e krizës së njeriut bashkëkohor dhe mundëson, realizimin e ndjenjave të kundërta me izolimin, pasigurinë dhe tjetërsimin, duke i dhënë njeriut dinjitet, identitet, ndjenjën e përkatësisë sociale dhe personalitet.

