Sport

Gjermania nis sonte misionin e Kupës së Botës, zbulohet emri i “gardianit” që do të mbrojë portën

Gjermania është gati të nisë aventurën e saj në Kupën e Botës 2026, duke zbritur sonte në fushë në orën 19:00.

Ndeshja e parë i rezervon një përballje ndaj Curacaos, ku “Panzerat” hyjnë me ëndrra dhe ambicie të mëdha për të treguar menjëherë forcën e tyre në këtë turne.

Tekniku i kombëtares, Julian Nagelsmann, ka mbyllur të gjitha dilemat dhe tashmë ka vendosur për formacionin titullar që do të hedhë nga minuta e parë. Një nga pikëpyetjet më të mëdha ka qenë pikërisht zgjedhja e portierit, por duket se eksperienca ka triumfuar sërish.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, nuk do të ketë asnjë surprizë në katërkëndësh: trajneri i ka besuar çelësat e portës legjendës Manuel Neuer. Pavarësisht se tashmë ka mbushur 40 vjeç, Neuer vazhdon të mbetet një pikë referimi absolute për gjermanët. Sfidën e sotme ai nuk do ta harrojë lehtë, pasi po përgatitet të zbresë në fushë për herë të 125-të me fanellën e përfaqësueses, duke shënuar një tjetër gur kilometrik në karrierën e tij të jashtëzakonshme.