I vodhi shtetit 340 MLN Euro: “Drejtësia e Re” liron Leonidha Çobon e BANKERS PETROLEUM
Mbi 340 milionë euro dëm të provuar ndaj shtetit shqiptar dhe dy dekada evazion fiskal kolosal nuk kanë mjaftuar që Drejtësia e Re të tregohet e prerë ndaj drejtuesve të hidrokarbureve. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka marrë vendimin për t’i hequr masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit Leonidha Çobos, ish-CEO-s së Bankers Petroleum, duke e lënë atë vetëm me masën e zbutur të “detyrimit për paraqitje”.
Sipas të dhënave zyrtare nga hetimet e Prokurorisë dhe auditimet tatimore, razioni i abuzimit të kompanisë më të madhe të naftës në vend kap shifra marramendëse:
- Mbi 330 Milionë Euro Tatim-Fitim i Shmangur: Përgjatë 20 viteve operim, kompania realizoi xhiro bruto prej mbi 5 miliardë dollarësh (532 miliardë lekë), por përmes fryrjes fiktive të shpenzimeve deklaroi 11.7 miliardë lekë humbje për të mos paguar asnjë qindarkë te shteti.
- Mbi 10.5 Milionë Euro Mashtrim me TVSH-në: Hetimi provoi përdorimin e skemave me fatura fiktive për të zhvatur drejtpërdrejt buxhetin e shtetit.
Pavarësisht kësaj vjedhjeje historike në nëntokën e Patos-Marinzës, kalimi i lehtë i Çobos nga qelia te liria e plotë për të udhëtuar jashtë vendit nxjerr edhe një herë në pah standardin e dyfishtë të sistemit: i ashpër me qytetarët e thjeshtë për faturat e papaguara, por “zemërgjerë” me bizneset që i shkaktojnë buxhetit të shtetit gjakderdhje qindra milionëshe.
Për kë punon “Drejtësia e Re”?
Ky vendim është fytyra e vërtetë dhe më cinike e të ashtuquajturës “Drejtësi e Re”. Kur bëhet fjalë për qytetarin e thjeshtë apo biznese të vogla, shteti tregon dhëmbët, bllokon llogari dhe vendos burg pa kuptuar. Por kur flitet për Bankers Petroleum, gjigantin që ka gërryer nëntokën e Shqipërisë për dy dekada të plota dhe dyshohet se ka futur në xhep miliona euro përmes skemave të pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave, drejtësia tregon një “zemërgjerësi” të pafund.
Të akuzohesh për miliona euro dëm ekonomik dhe pastrim parash, të kalosh nga qelia në liri, dhe tani të fitosh edhe të drejtën për të lëvizur lirshëm jashtë shtetit ndërkohë që dosja fluturon nëpër shkallët e gjykatave, tregon qartë se si funksionojnë mekanizmat e pandëshkueshmërisë për oligarkët dhe drejtuesit e korporatave të mëdha.
Çobo mund të ketë hequr detyrimin e mosdaljes jashtë shtetit, por ajo që ka dalë jashtë çdo lloj kontrolli dhe besimi është vetë sistemi i drejtësisë: i ashpër me të dobëtit, dhe çuditërisht “shumë tolerant” kur në lojë janë miliardat e naftës!


