Aktualitet

“Vijon të jetë në kushte denigruese”/ Veliaj në burgun e Fierit, avokati Ndreca: Nuk ka ujë në qeli, ministri Gogu duhet të reagojë

Një ditë pas transferimit në burgun e Fierit, Erion Veliaj vijon të qëndrojë në të njëjtat kushte, të cilat përshkruhen si denigruese, në sektorin më të vështirë të institucionit.

Sipas Ndrecës, pas takimit me familjarët, Veliaj paraqitet më i qetë emocionalisht. Ndreca shtoi gjithashtu se Drejtorisë së Burgjeve iu deshën 32 orë për të dhënë një njoftim zyrtar lidhur me transferimin, duke e cilësuar çështjen si “sekret shtetëror”.

“Është më i qetë emocionalisht, sepse ka takuar familjarët dhe bashkëshorten. Sot ka ndërruar dhomën, ka kaluar në një dhomë më dritë natyrale, por vijon në kushte të njëjta, denigruese dhe të papërshtatshme, në sektorin më të vështirë të burgut.

Nuk ka akoma vend ku të vërë rrobat, nuk ka ujë. Tashmë është e qartë më në fund përse u vonua, si u vonua dhe sipas një informacioni të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve qenka një sekret. U dashkan 32 orë, të vijë Avokati i Popullit, të flasin anëtarë të grupit të PS, që pas 32 orësh të marrim vesh se kjo qenka sekret. Do të kërkojmë informacion, nuk do ta lëmë me kaq.

Me këtë fjalën sekret shtetëror të hiqet e drejta për ta ankimuar. Do të vijojmë të shohim procedurën sesi dhe kush e ka klasifikuar. Nuk ka ende një përgjigje të duhur dhe ligjore nga Drejtoria e Burgjeve. Duhej paraqitur edhe vendimi që i është dhënë për të klasifikuar këtë vendim. Do t’i kërkojmë zyrtarisht dhe do të vijojmë më tej.

Do të ishte e drejtë elementare që institucioni të japi aktin që cenon të drejtat për individin. I vështirësohet kryerja e detyrës z.Veliaj, avokatit të tij dhe familjarët e kanë më larg. U desh 32 orë që një institucion të na thoshte se është sekret, kur mund ta thoshin në fillim.

Këto i japin të drejtë anëtarëve të grupit të PS ndaj z.Gogu, sepse ky i fundit nuk ka reaguar ende zyrtarisht, në ndryshim nga Avokati i Popullit, që ishte dje këtu dhe reagoi menjëherë.

Gogu ka detyrime më të mëdha se Avokati i Popullit, detyrim kushtetues, personal, profesional dhe partiak për të pasur informacion të saktë mbi anëtarin e PS dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Ndreca.