Ilir Metës i garantohen intervistat për gazetarët nga burgu/ Blushi: Liria e fjalës dhe e dreja për informim, të pa negociueshme
Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është garantuar e drejta për të dhënë intervista për gazetarët nga qelia e burgut.
Vendimi është marrë pas ndërhyrjes së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili thekson se është një e drejtë e Metës për të komunikuar dhe për të dhënë intervista për gazetarët, një e drejtë themelore që sipas KSHH, prevalon mbi çdo kufizim tjetër të pajustifikuar.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi theksoi se intervistat e Metës do të garantohen me anë të mjeteve të teknologjisë së informacionit nga platforma digjitale si Zoom.
‘Një zgjidhje e tillë do të siguronte ushtrimin e plotë të së drejtës për komunikim me median pa cenuar sigurinë në ambientet e institucionit’, shkruan Blushi.
‘Liria e fjalës dhe e drejta për informim janë të pa negociueshme në një shoqëri demokratike’, përmbyll reagimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i PL.
Statusi:
Falenderojmë Komitetin Shqiptar të Helsinkit për gjetjet dhe konkluzionet e publikuara në raportin e dytë të misionit të monitorimit mbi kushtet e paraburgimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, veçanërisht për sa i përket garantimit të së drejtës së tij për komunikim me mediat.
Në emër të Partisë së Lirisë dhe të Presidentit Meta, përshëndesim qëndrimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi domosdoshmërinë e respektimit të së drejtës së Z. Meta për të komunikuar dhe për të dhënë intervista për gazetarët, një e drejtë themelore që prevalon mbi çdo kufizim tjetër të pajustifikuar.
Vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht sugjerimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit që, për të garantuar në mënyrë proporcionale si të drejtën e komunikimit të Z. Meta ashtu edhe sigurinë në IEVP “Jordan Misja”, të përdoren mjetet e teknologjisë së informacionit për realizimin e intervistave me mediat përmes platformave digjitale si Zoom. Një zgjidhje e tillë do të siguronte ushtrimin e plotë të së drejtës për komunikim me median pa cenuar sigurinë në ambientet e institucionit.
Duke falenderuar të gjithë gazetarët që kanë marrë autorizimin nga SPAK për të zhvilluar intervista me Presidentin Meta, por që deri më tani janë penguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dëshirojmë të ritheksojmë se, përveç ditës së nesërme kur zhvillohet Kongresi i PD-së, Z. Meta mbetet i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm të japë intervista përmes platformave digjitale.
Ftojmë të gjithë gazetarët që kanë marrë leje nga SPAK që, në përputhje me rekomandimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, t’i kërkojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mundësimin e realizimit të intervistave me Z. Meta përmes mjeteve digjitale.
Liria e fjalës dhe e drejta për informim janë të panegociueshme në një shoqëri demokratike.


