Intervista/ Atird Hoxha: Për qeverinë prioritet nuk është shërbimi ndaj qytetarëve, por tjetërsimi i pronave dhe pasurimi i klientelës së lidhur me pushtetin
Intervista/ Atird Hoxha, Kryetari i Këshilltarëve të PD-së në Bashkinë Vlorë
Praktikisht, Porti i Vlorës nuk ekziston më, pasi është kthyer në një kantier ndërtimi
Jakup B. GJOÇA

Atird Hoxha, Kryetari i Këshilltarëve të PD-së në Bashkinë Vlorë në intervistën për gazetën “TELEGRAF” pohon se në Hipotekën e Vlorës, përveç presionit politik, është shtuar gjithashtu edhe presioni i ushtruar nga subjekte të lidhura me qeverinë, si dhe nga grupe kriminale. Kryetari i këshilltarëve të PD-së pohon se tashmë nuk ekziston më Porti i Vlorës, por është një kantier ndërtimi i kryeklientit të qeverisë Saimir Mane. TEC-et lundruese të ankoruara në portin e Triportit janë një aferë e pastër korruptive.
– Zoti Hoxha, pse, pas vitit 2013, Hipoteka e Vlorës, ka patur kaq shumë probleme, që lidhen me drejtimin e saj, saqë drejtuesit e saj janë emëruar e shkarkuar, sa tashmë nuk mundemi t’i numërojmë dot?
– Vlerësoj se, pas vitit 2013, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme është trajtuar nga organet qeveritare dhe të emëruarit e tyre si një institucion me kompetencë për dhënien e titujve të pronësisë. Në fakt, kjo zyrë ushtron funksionin e administrimit të titujve të pronësisë, të cilët depozitohen nga qytetarët ose nga institucionet që, në bazë të legjislacionit në fuqi, kanë të drejtën për t’i lëshuar ato. Nuk mohohet se edhe më parë kanë ekzistuar raste abuzimi, por gjatë këtyre viteve abuzimet kanë qenë të vazhdueshme, kjo, në vlerësimin tim, përbën edhe një nga arsyet kryesore që ka çuar në dorëheqjen e shumicës së drejtuesve gjatë kësaj periudhe.

-Kriminale, vendimi për marrjen e tokave bujqësore për ndërtimin e parqeve fotovoltaike
– Ju si e vlerësoni, marrjen e tokave bujqësore ( me vendime qeverie), për t’u dhënë për ndërtimin e parqeve fotovoltaik?
– Kriminale, kështu e vlerësoj unë vendimin për marrjen e tokave bujqësore për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Këtu më lejoni t’ju them se këto parqe ndërtohen dhe do të ndërtohen nga njerëz të lidhur ngushtë me qeverinë dhe janë gati të përcaktuara lejet dhe vendndodhja se ku do të ndërtohen, natyrisht edhe ata që do t’i përfitojnë këto leje, si dhe përfitimet që janë në qindra miliona euro. Në këtë kontekst, krijohet përshtypja se procesi i vendimmarrjes dhe dhënies së lejeve nuk po zhvillohet mbi bazën e konkurrencës së hapur dhe interesit publik, por më shumë mbi marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike. Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën e procedurave dhe mbi mënyrën se si menaxhohen asetet publike, veçanërisht tokat bujqësore, që përbëjnë një burim strategjik për vendin.
– A mund të quhet një investim i tillë, si një investim strategjik?
– Jo nuk mund të quhet. Unë mund t’ju them me siguri se kuadri ligjor për statusin e investitorit strategjik është shumë kompleks, por nëse i qëndrohet strikt kritereve, është shumë i vështirë për t’u përfituar. Kjo është për t’u parë në të ardhmen, pasi nuk duhet të çuditemi nga kjo qeveri, të cilën e kemi parë t’u japë bonuse kompanive, që ende nuk ishin krijuar.

– A mendoni, se ndaj drejtuesve të Hipotekës së Vlorës, ka patur presione politike nga Udhëheqja, për të marrë vendime në interesa të caktuara personale dhe në kundërshtim me ligjin?
– Absolutisht, interesat politikë përbëjnë arsyen kryesore; megjithatë, vlerësoj se, përveç presionit politik, është shtuar gjithashtu edhe presioni i ushtruar nga subjekte të lidhura me qeverinë, si dhe nga grupe kriminale, për shkak të interesave shumë të mëdha që lidhen me sipërfaqe të konsiderueshme pasurish të paluajtshme në juridiksionin e ASHK Vlorë.
Është zhdukur edhe porti i Vlorës për t’i hapur rrugë kullave shumëkatëshe. Interesi i vetëm është ai i disa klientëve të qeverisë. Kryeklienti në këtë rast është Samir Mane

– Sipas jush, a është ushtruar presion (politik) për të falsifikuar dhe “noterizuar” nga Hipoteka e Vlorës prona të patundshme në zonat më të lakmuara turistike të Qarkut të Vlorës?
– Në lidhje me këtë çështje, nuk disponoj prova konkrete, megjithatë, në dritën e zhvillimeve të fundit dhe të informacionit që është bërë publik, përfshirë dokumentacionin e kufizuar, që lidhet me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë, lind një perceptim i arsyeshëm publik mbi mundësinë e përfshirjes së këtyre të fundit në praktika të paligjshme, që kanë të bëjnë me përvetësimin e pronave. Këto dyshime bëhen edhe më të theksuara, kur bëhet fjalë për zona me interes të lartë zhvillimi, veçanërisht për projekte ndërtimore dhe resorte luksoze, ku ndërthuren interesa të konsiderueshme ekonomike dhe politike.
– Po vendimin e qeverisë, që Hipoteka e Vlorës të shpërngulet tashmë në Tiranë, ju si e cilësoni? Cili është reagimi i vetë banorëve të Qarkut të Vlorës?
– Vendimi i centralizimit të shërbimeve, një tjetër goditje ndaj qytetarëve të Vlorës. Pas dështimit shumëvjeçar për t’u ofruar shërbim qytetarëve, qeveria e “Rilindjes”, përmes një urdhri absurd, ka vendosur t’i vërë drynin përfundimisht Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë. Ky vendim i papërgjegjshëm synon centralizimin e çdo shërbimi në duart e strukturave të lidhura me menaxhimin e pronave. Për Ramën dhe qeverinë e tij, prioritet nuk është shërbimi ndaj qytetarëve, por tjetërsimi i pronave dhe pasurimi i klientelës së lidhur me pushtetin. Reagimi i banorëve mendoj se ka qenë i dobët, me mendimin se janë të pafuqishëm për të ndryshuar një vendim të marrë tashmë, por mendoj se asnjë qytetar nuk mund të jetë i kënaqur për largimin e një tjetër institucioni shtetëror, që u shërbente pak minuta larg nga vendndodhja e tyre.
TEC-et lundruese të ankoruara në portin e Triportit janë një aferë e pastër korruptive. Të vendosura aty që në vitin 2022, pa asnjë eficiencë dhe me kosto shumë të larta.

– Ju si e cilësoni vendimet e qeverisë dhe të pushtetit vendor, që privatit t’i merret prona e patundshme, (me shpërblime edhe qesharake, pa vlerën reale të tregut të lirë) dhe t’i jepet privatit, gjoja për investime strategjike, të ndërtojë resorte turistike?
– Pyetja është shumë reale dhe shumë e debatueshme, sepse prek një ekuilibër shumë të ndjeshëm, interesin publik kundrejt të drejtës së pronës private. Por duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, në të vërtetë, interesi publik prevalon, por duhet të bëhet fjalë për një interes real publik dhe jo vetëm për përfitim privat. Fatkeqësisht, rastet, që janë shfaqur në publik, ose që janë pjesë e debatit, duken qartë se nuk kanë vetëm interes publik, por kryesisht interes privat, dhe që, sipas perceptimit publik, pas tyre mund të qëndrojë edhe ndonjë përfaqësues politik.
– A mund ta quani investim strategjik, dhënien e koncesionit të Portit ë Vlorës?
– Siç ju thashë, duhet të ketë një interes publik për të pasur statusin e investitorit strategjik. Në koncesionin dhe statusin e investitorit strategjik në Portin e Vlorës, vetë interesi publik nuk duket se ekziston, përkundrazi, duket e kundërta, sepse tashmë aty është zhdukur edhe porti i Vlorës për t’i hapur rrugë kullave shumëkatëshe. Interesi i vetëm është ai i disa klientëve të qeverisë. Kryeklienti në këtë rast është Samir Mane.
Gjatë këtyre viteve abuzimet (në Hipotekën e Vlorës) kanë qenë të vazhdueshme, kjo, në vlerësimin tim, përbën edhe një nga arsyet kryesore, që ka çuar në dorëheqjen e shumicës së drejtuesve.

– Çfarë është bërë deri tani këtë koncesion? A mendoni se fshihen afera korruptive në dhënien e Portit të Vlorës me koncesion?
– Deri tani, në këtë koncesion kanë marrë jetë 4 nga 18 kullat shumëkatëshe, që do të ndërtohen në të gjithë sipërfaqen e ish-Portit të Vlorës, në të cilat çmimi për metër katror shkon deri në 4–5 mijë euro për banesat dhe 12–15 mijë euro për njësitë e shërbimit. Praktikisht, Porti i Vlorës nuk ekziston më, pasi është kthyer në një kantier ndërtimi.
– Mendimi juaj për TEC- e anijeve të ankoruara në Vlorë? Sa është efektiviteti i tyre? Po dëmi ekologjik, në ndotjen e mjedisit, ca më keq, i një qyteti turistik, si është Vlora?
– Mendimi është që TEC-et lundruese të ankoruara në portin e Triportit janë një aferë e pastër korruptive. Të vendosura aty që në vitin 2022, pa asnjë eficiencë dhe me kosto shumë të larta. Këto dy TEC-e nuk janë vënë asnjë ditë në eficiencë me kapacitet të plotë. Nga sa jam informuar, në vitin 2025 prodhimi në këto dy gjeneratorë përbën vetëm 1% të prodhimit neto vendas. Kontrata për këto dy anije ka një kosto prej 94 mijë dollarë në ditë, me kontributin e “cumur”-it të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Për këto dy “mbeturina energjetike” janë paguar më shumë se 80 milionë euro, pa asnjë eficiencë për qytetarët, por me siguri eficient për qeveritarët.

– A keni munduar, si këshilltarë bashkiakë, që të dorëzoni në SPAK këtë aferë korruptive me TEC- e anijeve?
– Si përfaqësues i Partisë Demokratike, mund t’ju them se kjo parti i është drejtuar Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kallëzimin e depozituar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Bardhi.
– Faleminderit!


