Politikë

Këlliçi: Ferit Hoxha thellon skandalin me qendrimin e tij, duhet të shkarkohet menjëherë!

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Në një reagim publik, Këlliçi e cilëson të papranueshëm qëndrimin e Hoxhës, duke theksuar se minimizimi i deklaratës fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e thellon skandalin.
Ai shton se një kryediplomat duhet të kërkojë falje dhe të japë dorëheqjen, ndërsa akuzon se ministri nuk përfaqëson shtetin shqiptar, por interesat e kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i plotë:

Feriti thellon skandalin, duhet të shkarkohet menjëherë!

Ferit Hoxha ka bërë një hap përpara sot, duke pranuar se është autor i mesazhit fyes e të papranueshëm ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Por menjëherë ka treguar fytyrën e vërtetë që ka çdo bashkëpunetor i Edi Ramës, arrogacën dhe papërgjegjshmërinë totale! 

E cilëson etiketimin që u bëri shqiptarëve atje, si idiotë, si një gjë të parëndësishme, që ka kaluar, që duhet harruar.

Me këtë sjellje poshtëruese, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë e thellon edhe më shumë skandalin. Pranon se është ai autori, por thotë se është e parëndësishme, se nuk ja vlen të merremi me atë çështje.

Pra sipasj tij, t’i fyesh shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nga pozita e kryediplomatit, është normale dhe është çështje e vogël, e parëndësishme.

E vetmja gjë që duhet të bënte ky arrogant, është të kërkonte falje dhe të jepte dorëheqjen. Duke e thelluar edhe më shumë këtë skandal, Hoxha meriton shkarkimin e menjëhershëm.

Ai nuk përfaqëson as diplomacinë, as shtetin shqiptar. 

Përfaqëson vetëm interesat e Edi Ramës, si kukull e tij që është.