Opinion

Klara Buda: Vajzat në barikata, «çunat» në rrëfim

«Jeni vajza…[që nënkupton: largohuni]!» Përse të qenët vajzë duhet të shërbejë si arsye për t’u tërhequr nga një hapësirë ku qytetarët ushtrojnë të drejtën për të protestuar? Edhe nëse shqiptohet si këshillë mbrojtëse, kjo thirrje e vendos vajzën në pozitën e asaj që duhet të largohet, ndërsa djali mbetet figura e pritshme e përballjes. Ndoshta sepse, më pas, më lehtë mund të akuzohen djemtë si të shitur, apo të paguar ?

Më pas, në një video të publikuar së fundmi, nga vetë zërat që flasin në mbështetje të protestës propozohet emërtimi «protesta e çunave». Sqarohet se «çunat» është një emër simbolik që përfshin vajzat, të moshuarit dhe të gjithë pjesëmarrësit. Por «çun» është sinonim i fjalës «djalë». Përse një protestë ku marrin pjesë vajza dhe gra, djem dhe burra të moshave të ndryshme duhet të përmblidhet nën një emër mashkullor? Përse vajzat duhet të gjenden te sqarimi që pason emërtimin, kur janë tashmë të pranishme në vetë protestën?

Njëra thirrje u kërkon të largohen fizikisht; emërtimi tjetër ua zbeh praninë në rrëfimin e ngjarjes. Këto dy veprime nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtin qëllim, por mund të përforcojnë të njëjtën pamje: protesta u përket djemve, ndërsa vajzat shfaqen si prani dytësore. Kjo mënyrë përfaqësimi e ngushton protestën, pavarësisht se kush e përdor dhe çfarë synon me të.

Pamjet tregojnë vajza që flasin përpara mikrofonit, qëndrojnë përballë mburojave dhe ngrenë dorën mes turmës. Ato nuk kanë nevojë të përfshihen simbolikisht te «çunat»: janë pjesëmarrëse më vete, me zërin, kërkesat dhe përgjegjësinë e tyre. Po sa prej këtyre zërave mbërrijnë në studiot televizive?

Të shfaqesh në një kronikë nuk është e njëjta gjë me të pasurit hapësirë për të zhvilluar një mendim në studio. Në rrugë, kamera regjistron një thirrje, një gjest, një çast përballjeje; në studio, pjesëmarrësja mund të shpjegojë çfarë i ka paraprirë atij çasti dhe çfarë kërkon të ndryshojë. Përfaqësimi mediatik mbetet i cunguar kur vajzat shihen si pjesë e ngjarjes, por nuk dëgjohen me të njëjtën vëmendje si bashkëbiseduese.

Pyetja është konkrete: sa hapësirë u jepet vajzave të ndryshme që protestojnë dhe mbi çfarë kriteresh përzgjidhen ato që ftohen nëpër studi? Për t’iu përgjigjur, duhet shqyrtuar përbërja e paneleve, shpeshtësia e ftesave dhe koha që u jepet pjesëmarrëseve për të folur.