KLP, pranoi kërkesën e ILD për masën disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates A.K.-Korçë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), në seancën e zhvilluar sot, pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates A.K., prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Masa u kërkua nga ILD për shkelje të dispozitave që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, si edhe për shkelje të rregullave të konfidencialitetit dhe ndalimit të përhapjes së informacionit që lidhet me një hetim në zhvillim ose të përfunduar.
Ky procedim erdhi pas rishqyrtimit të vendimit të mëparshëm të KLP-së, të datës 2 tetor 2025, me të cilin ishte rrëzuar kërkesa e ILD-së për caktim masë disiplinore ndaj prokurores. Pas ankimit të ILD-së, Gjykata Administrative e Apelit pranoi padinë, duke i lënë detyrë KLP-së të shqyrtojë sërish kërkesën për procedimin disiplinor.
Sipas raportit hetimor të ILD-së, prokurorja A.K. ka nënshkruar shkresa pa pasur kompetencën përkatëse, si dhe ka nxjerrë e u ka dërguar personave të tretë kopje të akteve, që ishin pjesë e dosjes së një çështjeje ende në hetim. Sipas ILD-së, këto veprime kanë anashkaluar autoritetin e drejtuesit të prokurorisë, kanë cenuar imazhin institucional të organit të akuzës dhe kanë krijuar rrezik për mbarëvajtjen e hetimit. Gjithashtu, publikimi i akteve procedurale, vërehet në raportin hetimor të ILD-së ndaj A.K., mund të ndikojë negativisht në besimin e publikut, pasi prokuroria vepron në përputhje me ligjin dhe jo mbi bazën e vullnetit individual të magjistratit.
Gjatë rishqyrtimit të çështjes, ILD i kërkoi sërish KLP-së pranimin e kërkesës për vendosjen e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj prokurores A.K., për shkeljet disiplinore të parashikuara në nenin 102, pika 1, shkronjat “g” dhe “j” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. KLP vendosi ta pranojë këtë kërkesë dhe të vendosë masën disiplinore të propozuar nga ILD.

