Konflikti i biznesmenëve në Vlorë, Rama: Do të shpronësojmë të gjithë zonën
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për konfliktin e dhunshëm të një dite më parë mes dy biznesmenëve në zonën e Vlorës, duke bërë të ditur një vendim të qeverisë për shpronësimin e të gjithë hapësirës ku ndodhi përplasja.
Rama e cilësoi ngjarjen si një konflikt “banal dhe brutal” dhe tha se, pas shqyrtimit të rastit dhe analizimit të hartës së pronësisë së zonës, qeveria ka vendosur t’i japë fund situatës duke e kthyer pronën në një aset publik me funksion turistik.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund asaj historie, por duhet edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që nuk mund ta cenojnë me qasjet dhe me sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, zhvillimi i turizmit nuk lidhet vetëm me investimet dhe transformimin fizik të zonave turistike, por edhe me mënyrën se si sillen të gjithë aktorët që janë pjesë e këtij sektori.
“Misioni ynë i Shqipërisë turistike shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet, në radhë të parë nga investitorët e tek kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar. Edhe me njëri-tjetrin. Lëre pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi që rastet e dhunës, arrogancës apo cenimit të hapësirave publike në zonat turistike të marrin një përgjigje të fortë. Ai tha se këto sjellje duhet të shërbejnë si shembull i një “vije të kuqe” për modelin e turizmit që synon Shqipëria.
“Banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë mbi tjetrin, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike apo me akte arrogance ose me zhurma shurdhuese mbi komunitetin, duhet të bëhen shembull. Shembull i një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë turistike”, deklaroi ai.
Më tej, Rama bëri të ditur edhe destinacionin që parashikohet t’i jepet zonës ku ndodhi konflikti. Sipas tij, hapësira do të shpronësohet për interes publik dhe do të kthehet në një aset publik e turistik, me fokus te ulliri.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë. Ta shpronësojmë për interes publik. Të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë. Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë, ku do të mbillen dhe do të ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësueset të Mesdheut”, tha kryeministri.
Projekti, sipas Ramës, do të përfshijë edhe një hapësirë ku do të prezantohen vajrat e ullirit të prodhuar në Shqipëri, duke synuar që zona të shndërrohet në një pikë informimi, edukimi dhe turizmi të eksperiencës.
“Do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes, e turizmit të eksperiencës. Një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinj, duke pështirosur tërë Shqipërinë, do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje, nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes. Pemës së bekuar të ullirit”, përfundoi Rama.


