Kur do zgjidhen problemet e e-Albania? Qytetarët ‘peng’ të sistemit online
Qytetarë të shumtë kanë ngritur shqetësime për mosfunksionimin e portalit e-Albania, duke deklaruar se prej disa ditësh nuk arrijnë të aplikojnë për dokumente dhe shërbime online.
Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë e JOQ, platforma shfaq probleme gjatë gjithë kohës, duke bllokuar aplikimet dhe aksesin e përdoruesve.
Një qytetar shprehet se situata është bërë shqetësuese, pasi shumë persona presin dokumente të rëndësishme dhe po mbeten “peng” të sistemit.
“Përshëndetje, kam një shqetësim me portalin e e-Albania. Ka ditë që nuk punon. E hidhni dot si problem, se ndoshta i vjen zor dhe e hapin, se na kanë lënë peng për dokumenta”, shkruan qytetari.
Një tjetër denoncues ironizon situatën, duke thënë se edhe aplikacionet “kanë marrë pushim në fundjavë”.
“Na e nxiu jetën kjo e-Albania, kam gjithë ditën që dua të aplikoj për një dokument. Kështu del… Çfarë dreqin bëhet? Me sa duket edhe aplikacionet paskan pushim në fundjavë”, thuhet në mesazhin tjetër.
Qytetarët kërkojnë reagim dhe ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin në funksion të platformës, pasi shumë shërbime shtetërore tashmë ofrohen vetëm online.

