Aktualitet

Largimi i ministres, Ahmetaj: Rama tha në grup se Evis Sala iku pasi nuk firmosi “KAYO-n” në shëndetësi

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë akuza të reja ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke u ndalur te largimi nga detyra i ish-ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

Në një intervistë për emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj pretendoi se kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një mbledhje të grupit parlamentar socialist se Sala u largua nga detyra pasi nuk pranoi të firmoste një marrëveshje që, sipas tij, lidhej me modelin “KAYO” në sektorin e shëndetësisë.

“E ka thënë në grup që ministrja iku se nuk firmosi. Më erdhi brenda grupit, që ka thënë do bëjmë një gjë fantastike pa tender me izraelitin, prandaj ka ikur ministrja”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit, bëhet fjalë për një model të ngjashëm me atë që ai e ka lidhur më herët me kompaninë shtetërore KAYO.

Ahmetaj pretendoi se një skemë e tillë mund të aplikohet edhe në shëndetësi, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve dhe kontraktimit.

Ahmetaj iu drejtua edhe deputetëve socialistë, duke i kritikuar për mungesën e reagimit ndaj këtyre pretendimeve.

“Unë nuk i kuptoj deputetët e partisë time që nuk bëjnë zë për plaçkitjen. Bëjnë zë për asgjë, por nuk flasin për kalibrin ndërkombëtar të grabitjes dhe për këto që janë praktikisht mafia shtetërore”, u shpreh ai.

Në deklaratat e tij, Ahmetaj përmendi edhe biznesmenin Ron Yeffet, të cilin e ka lidhur më herët me pretendimet e tij për mënyrën se si po funksionon modeli KAYO.

Akuza të ngjashme lidhur me një model të kompanisë KAYO në sektorin e shëndetësisë janë artikuluar edhe më herët në diskursin politik.

Ahmetaj vijoi duke e cilësuar situatën si një rast të asaj që ai e quan “mafia shtetërore”, ndërsa u bëri thirrje deputetëve socialistë të reagojnë publikisht ndaj këtyre çështjeve.

Një pjesë tjetër e deklaratave të Ahmetajt lidhet me zonën e Delvinës. Ai pretendoi se prej disa muajsh po tentohet që kjo zonë t’i kalojë biznesmenit Ron Yeffet përmes një modeli që ai e ka cilësuar si “koncepti Kayo”.

“Prej 9-10 muajsh tentojnë që të grabisin Delvinën, që t’ia japin Yeffet-it me konceptin Kayo. Shteti krijon një kompani, siç ka krijuar Kayo-n. Këtu nis: marrin vemjet 80% dhe 20% shteti i shkretë”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri.

Ahmetaj pretendoi se ky model parashikon krijimin e kompanive ku pjesa më e madhe e përfitimeve, sipas tij, përfundon te subjekte private, ndërsa shteti mbetet me një përqindje më të vogël.