Lidl investon 100 milionë euro në Bosnjë, ndërsa projekti 105 milionë euro në Durrës mbetet në vendnumëro
Gjiganti gjerman i shitjes me pakicë, Lidl, ka inauguruar më 12 nëntor një qendër të re logjistike në Kiseljak, pranë Sarajevës, me një investim prej rreth 100 milionë eurosh. Objekti shtrihet në 64 mijë metra katrorë, ka mbi 100 rampa ngarkimi dhe aktualisht punëson rreth 400 persona.
Ndërkohë, në Shqipëri, projekti i kompanisë për ndërtimin e një qendre logjistike në Porto Romano të Durrësit, me vlerë të parashikuar mbi 105 milionë euro, vijon të mbetet pa nisur punimet në terren, sipas raportimeve mediatike.
Në prill të vitit 2025, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha projektit statusin e investitorit strategjik. Plani parashikon zhvillimin në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë dhe krijimin e rreth 2,500 vendeve të punës.
Sipas vendimit, vënia në dispozicion e tokës në Porto Romano lidhet me përfundimin e procedurave të shpronësimit dhe zbatimin e masterplanit për Portin e Ri Tregtar të Durrësit. Kjo ndërvarësi me projektin portual paraqitet si një nga pengesat kryesore për ecurinë e investimit.
Kontrasti mes investimit të përfunduar në Bosnjë dhe projektit ende të parealizuar në Durrës ka rikthyer debatet mbi efektivitetin e statusit të investitorit strategjik dhe vonesat administrative në Shqipëri.


