Sport

Maran: Jemi krenaria e shqiptarëve, synojmë Evropianin 2028! Trajneri sqaron edhe çështjen e Caprile

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dhënë një intervistë për median italiane “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për ecurinë e kuqezinjve, objektivat e së ardhmes dhe ambiciet për kualifikimin në Kampionatin Evropian 2028.

Maran u shpreh krenar për përfaqësimin e Shqipërisë dhe vlerësoi entuziazmin që Kombëtarja ka rikthyer te tifozët, pas një periudhe jo të lehtë. Sipas tij, Shqipëria ka cilësi teknike dhe morale për të konkurruar në nivele më të larta.

Pas sigurimit të vendit të parë në grupin C1 dhe ngjitjes në Ligën B të Nations League, trajneri italian kërkon të shkojë edhe më tej, duke vendosur si objektiv kualifikimin në Evropianin e vitit 2028.

I pyetur për mundësinë që Shqipëria të përballet me Italinë në eliminatoret e ardhshme, Maran u shpreh se do të ishte një përballje e veçantë dhe emocionuese, por theksoi se dëshira kryesore mbetet kualifikimi, pavarësisht kundërshtarit.

Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe portierit Elia Caprile, i cili së fundmi është pajisur me pasaportë shqiptare. Maran sqaroi se portieri i Cagliarit e ka marrë dokumentin për arsye familjare dhe se deri tani nuk ka përfunduar procedurat për të qenë i disponueshëm për Shqipërinë.

“Caprile mori pasaportën shqiptare për arsye familjare. Ai nuk e ka përfunduar ende procesin, kështu që nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Megjithatë, nëse do të ishte i disponueshëm, sigurisht që do të na shërbente”, deklaroi Maran.

Trajneri foli gjithashtu për Cristian Shpendin, i cili po kalon një formë të mirë në Serinë B italiane, duke lënë të kuptohet se sulmuesi mund të marrë mundësitë e tij në Kombëtare.

Në përfundim, Maran tregoi se ndihet i mirëpritur në Shqipëri dhe se mbështetja që merr nga tifozët në rrugët e Tiranës e mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi për të ardhmen e kuqezinjve.