Marash Gilaj: Besa e dhënë është përgjegjesi, por po e theve, të zhburrëron dhe mbetet një borxh i papaguar, që shkon deri në tradhëti
Kushdo që kërkon besë, pas shumë premtimeve të pambajtura nder vite, kur ato nuk i ka plotësuar as në minimum, siç ndodh me keqqeverisjen tek ne, duke i kthyer në gënjeshtra, turpe dhe shkelje ligjesh pa fund, nuk ka as të drejtë morale ta kërkojë përsëri. Në anën tjetër, të krijohet përshtypja se nuk ia ka idenë çfarë kuptimi ka kjo fjalë ose bën sikur. KM, para se të fliste për këtë temë, para se ta kërkonte përsëri, pas qindra skandaleve, duhet ta kishe mësuar se besëprerja, në kohëra më të hershme, kur kishte vlerë dhe zbatohej, ishte krim i rëndë. Kur shkelej besa nga dikush, ai humbiste nderin për vete dhe fisin, nuk quhej burrë dhe fjala e tij nuk kishte asnjë vlerë në kuvend. Atij i bëhej izolim total sa nuk hante kush bukë me të, nuk i jepte kush vajzë për grua dhe nuk i shkonte njeri për vizitë në raste gëzimesh apo hillërimesh. Këto lloj dënimesh ekstreme i takojnë një kohe tjetër, por edhe sot, nëse e kërkojmë, nuk duhet nënvlerësuar e tallur sikur po bëjmë hajgare. Besa ishte fjala e nderit, fjalë e dhënë, besa e burrit, e shqiptarit, një zotim që të ngarkon me përgjegjësi, dhe kur nuk e mban, është si një borxh i papaguar që shkon deri në tradhëti. Borxhi duhet paguar edhe me ligj. Nëse nuk e ndien dhe nuk e vlerëson, ajo të zhvlerëson. Kuptohet se ky e ka për propagandë, që do të thotë për mashtrim. Besën nuk mund t’ua japësh kriminelëve dhe popullit njëkohësisht, edhe pse të parët mund t’i nderosh e lartësosh në dëm të njerëzve të ndershem. Duhen ndarë dhëntë nga dhitë. Rregulli e ka që kur dikush të gënjen një herë, nuk duhet besuar më. Por këtu bëhet fjalë per qindra e mijëra gënjeshtra. Kësaj i thonë të veshësh petkun e gënjeshtarit. Fatkeqësisht, çdo gënjeshtar është edhe hajdut, siç na mëson urtësia franceze. Dy turpe të mëdha dhe të dyja të dënueshme edhe nga ligjet tona në fuqi. Të shkelësh ligjet, të abuzosh me pushtetin vetëm se arrite të kesh 83 deputet me vota të blera e shantazh bandash, kjo nuk të jep të drejtë të mburresh as të luash me ligjet sipas interesave partiake të çastit. Të vish në pushtet me ndihmën e qindra horrave, trafikantëveve e kriminelëve, siç doli pas verifikimit nga Ligji i dekriminalizimit, duke filluar me deputet, kryebashkiakë, drejtorë apo zyrtarë të tjerë, kjo përbën krim të rëndë. Dhe në vazhdim të marrësh katër mandate me të njëjtat metoda antiligjore, kjo duhej dënuar në ekstrem. Dihet, që krimi i lejuar nga shteti, financon shtetin dhe po nuk e dënove, do të thotë se je duke e nxitur që ai të veprojë lirshëm. Kam parasysh atë shprehjen e Vlora Hysenit: “për ty fiki të gjithë radarët.” Pra, keni bërë marrëveshje me krimin e organizuar, në vend që t’i shpallnit luftë të pamëshirshme. Por çdokush kënaqet me të ngjashmin e vet dhe e lavdëron atë. Kjo histori ende s’ka mbaruar, sidomos me kryebashkiakë të akuzuar për korrupsion, drejtorë, e deri tek drejtoresha e SHISH – it, sepse si nisi u bitis. Duhet nënvizuar se po nuk e luftove të keqen, kjo tregon se ti do që ajo të bëhet. Këto lloj allishverishesh të mbajnë në pushtet më gjatë, padrejtësisht. Drejtësia, pasi e shëmbe, me demek “e reformove”, por mund të themi pa i hyrë në hak se “u mbars mali dhe polli një mi të zi”. Dhe më e çuditshmja është se ju që i ngarkoni vetes meritën e kësaj reforme, tani nuk i besoni më dhe e kundershtoni dhe shantazhoni herëpashere, e këshilloni ose e ndërseni siç ndodh me zv. Kryemistren Balluku, me Kryebashkiakun Veliaj etj. Mungesa e zbatimit të ligjeve e mbushi vendin me krime në çdo qelizë të shtetit. Kjo është arsyeja që nuk kemi zgjedhje të ndershme, të lira as të barabarta. Pa zgjedhje të lira s’ka demokraci. Pastaj vjen droga, korrupsiaoni galopant, vjedhjet dhe shperdorimi i taksave të popullit nga pushtetarët e niveleve të ndryshme. Janë miliona të bëra rrush e kumbulla me hecet e Vlorës, me satelitët, me Diellën ministre robote, me rrugët e florinjta që shemben fill pas inagurimeve. Mbetët duke luftuar mediat e padëshiruara, gazetarët që i kanë pyetjet me spec dhe vazhdoni të paguani gjoba për vetingun e gabuar me disa gjyqtarë. Gjykata e Strasburgut ose gjykata të tjera nderkombëtare ju kanë vënë gjoba të majme që shkojnë në qindra miliona euro. Nesër mund të ndodh e njëjta gjë me aeroportin e Vlorës, i ndertuar pa kritere ligjore. Kur pyeteni për këto skandale, nuk shqetësoheni fare dhe na thoni se këto janë normale. Ajo që është më e papranueshmja në këtë histori ka të bëjë me mungesën e përgjegjësisë, të fajit dhe transparencës. Shtireni se nuk keni faj asnjëherë as dijeni çfarë ndodh rreth jush. Keni personalizuar gjithçka. Shqipërinë e trajtoni si pronën tuaj personale. Jeni bërë shumë të pasur pa mundur ta justifikoni, por prokurorët dhe drejtësia në përgjithësi nuk po ndjekin paranë që të zbulojnë hatanë që ka ndodhur me pasuritë e vendit. Dihet se kapoja i gjen deputetët, kryebashkiakët, drejtorët etj., por pasi i gradon dhe i përdor, kur bëjnë krime, që s’ mund t’i fshehin, u thotë se përgjegjsia është individuale. Fillimisht i lavdëron e pastaj, kur gabojnë përpiqet t’i mbrojë, duke mos përfillur as gjykatat. Ai do të na thotë se shteti e ligji jam unë. Heshtja ndaj së keqes është tradhëti. Kur sunduesi apo drejtuesi nuk i njeh as nuk i pranon gabimet, ai nuk i korrigjon kurrë ato. Nuk ka ndërmend të përmirësohet. Kur i përsërit gabimet do të thotë se e ke zgjedhur vetë me dëshirë këtë rrugë. E gjithë kjo është fatkeqësi kombëtare. Kur qeveria e Kosovës shkarkon një kuadër me rëndësi si Vlora Hyseni për faje të rënda, e merr ky dhe i jep detyrë të rëndësishme. Ky veprim më ngjan me një të varfër të skajshëm që përpiqet të gjejë rroba ose ushqim në kazanët e plehrave dhe i përdor ato nga halli që e ka zënë, por pa menduar dy herë sa të dëmshme mund të jenë ato, sidomos ushqimi. Nga Kosova pat marrë ministrin e jashtëm dhe të arsimit, por nuk ia plotësuan kërkesat dhe i largoi. Lere pastaj me këshilltarë dhe opinionistë si Batoni dhe Albatrosi. Kjo është aq e dëmshme sa lidhjet dhe krushqitë me Vuçiçin, McGonigal, Sorosin, Ron Yeffet apo me rrosha , gjusha, e gjithfarë kodoshash. Dhe mburret se kur erdhi në pushtet mori 1 000 000 vota, pastaj i dëboi po aq kundershtarë dhe krijoi një mijë probleme për ata që mbeten, me fukarallëk, taksa të shumta e të larta, me çmime, me pensione qesharake, ushqime të helmatisura si në asnjë vend tjetër. Në vazhdimësi kemi reforma të dështuara në arsim, shëndetësi apo atë territoriale e kudo tjetër që kanë sjellë vetëm pasoja të këqija deri në shpopullim. Meritokracia nuk ekziston. Kjo bën që njerëzit të marrin rrugët e kurbetit. Kemi ministre me mesatare note 5 – 6, deputet që kanë mbrojtur doktoraturën me plagjiaturë. Ju i përdorni dhe pastaj i hidhni si limonin e shtryllur, duke u dhuruar ferrin si shpërblim. Sepse kush shkon pas brumbullit, përfundon në pleh, thotë një fjalë e urtë popullore.
Pra, përse duhet të besojnë shqipëtarët? Për patronazhistët që na mbajnë në survijim, që shantazhojnë miletin dhe si të paaftë që janë i ke vëndosur në poste drejtuese? Pra, jeni i rrethuar me pyka, do të thoshte F. Noli. Kuptohet sa vlerë kanë për popullin dhe sa dëm sjellin në çdo fushë ku punojnë. Ju mund të thoni se i vlejnë pushtetit tuaj si paterica, se mbledhin vota për ju, prandaj i paguani edhe kur nuk punojnë askund. Por mos harro, se pas çdo karriere të pamerituar fshihet një maskarallëk i madh. I hoqët komunat, po përpiqeni të paksoni bashkitë, digjitalizuat ekonominë, por numrin e punonjësve që marrin rrogën kot e rritët me 150%. Të gjitha këto në dëm të ekonomisë, të rrogave e pensioneve. Para e shkuar dëm që ligji nuk duhet ta lejonte, po të ekzistonte. Paska pasur të drejtë V. Hygo, kur thoshte se “mjeti më i mirë kundër ligjit është paturpësia.” Ndryshe, si mund të arrinim në këtë derexhe?! Pushteti i madh shtrëmbëron të vërtetën, kufizon liritë e popullit dhe kjo lloj qeverisjeje quhet fashizëm.
Edhe po të ishe tranjer futbolli, kur nuk ke rezultat, do të jepje dorëheqje dhe nuk mund të thoje se do të heq ata që luajtën keq dhe t’i zëvendsojë me të tjerë. Kështu ndodh në çdo vend normal. Sepse aty del paaftësia jote. Kur nuk ecin punët mirë do të thotë se je në vendin e gabuar dhe duhet hapur krahu. Kështu po thonë të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi përmes protestave 4 muajore, duke mos përjashtuar edhe diasporën. Kështu ka thënë edhe ajo që, pak kohë më parë të quante Skenderbé. Kështu thonë mediat që s’ke arritur t’i blesh. Tashmë, PS – ja si parti dhe qeveri e skandaleve është kthyer në mbështetje të karteleve të drogës dhe në mike të armiqëve të Shqipërisë, sepse nuk funksionon demokracia as shteti i së drejtës. Njerëzit e këqinj nuk i durojnë ligjet. Qeveri bordello. Republikë bananesh. Shqipëria në shitje si dhuratë për hajdutët. Kur shikon çfarë ndodh në qeveri dhe në partinë tuaj, me të drejtë mund të bësh pyetjen: “Si është e mundur që u çmendën të gjithë njëherësh?”


