Politikë

Marrëveshja ushtarake me SHBA, Berisha: PD gati ta votojë nëse rikthehet në përputhje me Kushtetutën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Grupi Parlamentar i PD-së është i gatshëm të votojë pro marrëveshjes ushtarake me Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve të mbrojtjes, nëse procedura e miratimit të saj rikthehet në përputhje me Kushtetutën.

Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se opozita nuk ka kundërshtime ndaj vetë marrëveshjes, por ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese procedurën e ndjekur nga mazhoranca për miratimin e saj.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për modernizimin e kapaciteteve ushtarake, veçanërisht në një periudhë me tensione dhe konflikte të shumta në botë. Berisha falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen financiare që i mundëson ushtrisë shqiptare blerjen e pajisjeve moderne të mbrojtjes.

Sipas tij, kërkesa e opozitës ishte që votimi të zhvillohej pas përfundimit të afatit të parashikuar, ndërsa vendimi për ta kaluar votimin më herët ishte një shkelje procedurale.

“Ne nuk kemi asnjë kundërshti me marrëveshjen. I kemi bërë të ditur palës amerikane se jemi të gatshëm në çdo kohë që, nëse ajo rikthehet dhe vendoset në shinat kushtetuese, deputetët e PD-së janë të gatshëm ta votojnë”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se vendimi për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhet vetëm me mënyrën e miratimit të marrëveshjes dhe jo me përmbajtjen e saj. Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese në raste të mëparshme ka evidentuar probleme me procedurat e ndjekura në procese të ngjashme.