Rama-fasonëve: Krahu i lirë i punës ka marrë fund. Ndryshoni lojën, s’mund të vazhdoni me paga të ulëta!
“Duhet të ndryshoni lojën.” Me këtë mesazh kryeministri Edi Rama iu drejtua industrisë fason, duke thënë se modeli i ndërtuar mbi krahun e lirë të punës nuk është më konkurrues dhe se bizneset nuk mund të vazhdojnë të mbështeten te pagat e ulëta.
Gjatë takimit prezantues tw ecurisw sw programit ‘Dyfisho Sipwrmarrjen Twnde’, Rama tha se vështirësitë me të cilat po përballet industria lidhen me ndryshimin e tregut të punës dhe rritjen e kostove në vend.
“Është e vërtetë që biznesi juaj, fasoni si kategori është me risk. Është e vërtetë që situata e vështirë e kësaj kategorie lidhet me faktin që themeli mbi të cilin u ndërtua ky biznes ishte krahu i lirë i punës dhe krahu i lirë i punës nuk është më një kapacitet konkurrues, pasi nuk ka më krahë të tjerë pune dhe insistimi për të vazhduar me fason me paga të ulëta është një insistim për ta bërë ëndërr diçka që është realitet dhe ka vetëm një mundësi. Unë besoj që banka juve do t’ju mbështesë nëse ju plotësoni dy kushte. Mos keni një historik të keq me BSH dhe kushti i dytë lidhet me mundësinë, që ju duhet të ndryshoni lojën”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, rruga për të mbetur konkurrues është kalimi nga prodhimi me material porositës te krijimi i produkteve me markën “Made in Albania”, duke investuar në teknologji dhe duke shfrytëzuar eksperiencën e krijuar ndër vite.
“Pra duhet të kaloni nga industria me material porositës gjysmë të gatshëm duhet të kaloni në ‘Made in Albania’. A është e mundur kjo? Nuk është e lehtë, por është e mundur sepse ju keni eksperiencë, dije se si bëhen ato procese, keni njerëz që dinë ta bëjnë, keni një treg të caktuar që e njihni dhe duhet të mendoni që ju të financoni, të investoni në teknologji, në mënyrë që të bëni ‘Made in Albania’. Po e arritët këtë ju keni dalë në një tjetër nivel. Është sektor i vështirë. Kemi shembuj që po e kapërcejnë atë epokën kur ishte krahu i lirë i punës. Shqipëria ka ndryshuar kërkesat, standardet, kostoja e jetesës, të gjitha bashkë. Mënyra e vetme është të ndryshojë edhe sistemi juaj i funksionimit”, u shpreh Rama.


