Aktualitet

Mbi 139 të vdekur në burgje në 6 vite, si ka mundësi nuk ka asnjë hetim penal apo përgjegjës?!

Numri i të burgosurve që kanë humbur jetën në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri i ngjan një bilanci lufte.

Në një informacion të dhënë nga Drejtoria e Burgjeve për Top News në tetor të vitit të kaluar, rezulton se për periudhën janar 2020- shtator 2025 kanë humbur jetën brenda mureve të qelive 134 persona, ndërkohë që 5 të tjerë janë deklaruar të vdekur në tre muaj e parë të 2026.

Për këtë çështje ka folur në emisionin “Breaking” në Top News me Dafina Hysën, drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Erida Skëndaj.

Drejtuesja e Komitetit të Helsinkit vuri në dukje se deri tani nuk ka pasur asnjë hetim dhe zero përgjegjësi për këto vdekje.

“Pushteti duhet të hetojë veten e tij për të parë a ka pasur raste të neglizhencës apo të kujdesisë, kur them veten e tij e kam fjalën nëpërmjet organeve kompetente”, tha Skëndaj.

Por a ka pasur përgjegjës për këto humbje jete në ambientet e paraburgimit ose të dënimit?

“Nuk ka pasur raste të tilla, madje ne kemi pasur dhe deklaratën e një shtetasi tjetër që edhe vdiq për shkak të një arresti kardiak

Dhe të shmangej qëndrimi i tij në paraburgim për shkak të gjithë problematikave që kishte dhe nuk pamë një hetim të mirëfilltë me informacionet që kemi për rastin në fjalë.

Drejtoria e burgjeve nxjerr shabllon, vdiq nga arresti kardiak.

Ky është buletini dhe asnjë rast të vetëm që shteti të bëjë një hetim administrativ pastaj penal për sa i përket vdekjeve në burg

Unë sot po ndeshem me dy çështje gjyqësore ku vjen ai i burgjeve dhe ministrisë së Drejtësisë, ne kërkojmë dëmshpërblim në fakt, dhe ngulmojnë që nuk i takon sepse sipas tyre, ai vdiq vetë aty, ne ia bëmë shërbimet e kështu me radhë”, tha Skëndaj.