Mijëra protestues marshojnë në Tiranë në ditën 26 të protestave
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar me marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit duke përsëritur thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në ditën e 26-të të protestës së vazhdueshme në Tiranë, mijëra qytetarë janë rreshtuar dhe kanë nisur marshimin nëpër rrugët kryesore të qytetit, menjëherë pas përmbylljes së tubimit para godinës së Kryeministrisë.
Turma është shtrirë në disa akse kryesore dhe po lëviz nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa protestuesit kanë vijuar me thirrje të vazhdueshme “Rama jep dorëheqjen” dhe slogane të tjera kundër qeverisë.
Gjatë tubimit, organizatorët kanë përsëritur platformën e tyre politike, e cila përfshin kërkesën për largimin e qeverisë aktuale dhe ngritjen e një qeverie teknike tranzitore jopartiake, që sipas tyre do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

