Rama paralajmëron Byronë e Kontrollit të të Ardhurave, formular i ri për individët me të ardhura të larta! Do të deklarojnë pasurinë siç bëjnë zyrtarët
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në kuadër të paketës së re fiskale, ka bërë me dije se pranë Ministrisë së Financave do të krijohet një strukturë e re, e quajtur Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave.
Sipas kreut të qeverisë, krijimi i kësaj strukture lidhet me ndryshimet që pritet të pësojë formulari i deklarimit të të ardhurave, i cili synohet të përafrohet me formatet që përdoren në vendet e Bashkimit Evropian.
Rama sqaroi se formulari i ri do të prekë veçanërisht individët me të ardhura relativisht të larta, të cilët do të duhet të deklarojnë të ardhurat sipas një modeli më të detajuar, të ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që plotësojnë çdo vit funksionarët publikë.
“Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave. Kjo për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të BE-së. Ose, e thënë më thjesht, për individët me të ardhura relativisht të larta, ai do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që plotësojnë çdo vit të gjithë funksionarët publikë“, deklaroi Rama.


