Ndryshojnë rregullat në Policinë e Shtetit, kryepolici mund të lëvizë drejtorët dhe shefat pa konkurs
Duke nisur nga sot, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka dorë të lirë të kryejë ndryshimet në nivel drejtorie qarku dhe komisariati, nëse ai e sheh të arsyeshme se i japin impulse të reja rendit dhe qetësisë publike. Prej shtatorit 2024, një praktikë e tillë ishte e pamundur, me ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit të asaj kohe, i cili i hapi rrugë konkurrimit për nivelet më të larta drejtuese te blutë.
Për 2 vite me radhë, kjo mënyrë, edhe pse në dukje garantonte garë mes drejtuesve apo shefave të komisariateve, më shumë krijoi burokraci dhe efektiviteti në terren la debat për diskutim. Tashmë, pas 2 vitesh, me kartonët “pro” të mazhorancës qeverisëse në seancën e 23 korrikut, policia ka një ligj të përditësuar dhe që hyn në fuqi këtë të hënë, 24 gusht.
I paprekur mbetet zgjedhja e kryepolicit me konkurs, edhe në vijim. Po ashtu, e udhës është parë që edhe drejtuesit e departamenteve të zgjidhen me konkurs, pavarësisht se në draftin fillestar u parashikua të hiqej gara për këtë kategori. Një ndryshim shumë i rëndësishëm është qëndrimi sërish në detyrë i kryepolicit pas përfundimit të mandatit.
Skënder Hita pritet të jetë drejtori i parë me gradën “drejtues madhor”, që pas përfundimit të detyrës, do të jetë sërish në radhët e bluve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë për ish-drejtuesit që kanë komanduar blutë më herët.
Sistemi i gradave, aq shumë i diskutuar në polici, kësaj here ka disa lëshime. Për shembull, për të kaluar nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues”, nuk është më 5 vjet, por 4. Ky ndryshim bëhet me argumentin se punonjësit e policisë që japin rezultate nuk duhet të presin gjatë vetëm për shkak të procedurave formale.
Rritja në gradë mund të bëhet edhe nëse një polic kryen një veprim që tejkalon pritshmërinë në situata të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Kjo bëhet me vendim të kryepolicit si shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje.


