Nevil Dede rikthehet në Superiore, emërohet trajner i Egnatias
Vetëm pak javë pas largimit nga KF Ferizaj, trajneri tiranas Nevil Dede është rikthyer në pankinë, duke u zyrtarizuar si trajner i ri i KF Egnatia.
Klubi nga Rrogozhina, kampion në fuqi në Kategorinë Superiore, njoftoi të hënën arritjen e marrëveshjes me Deden, duke i besuar drejtimin e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit dhe projektin në vijim.
Në njoftimin zyrtar, Egnatia e cilëson këtë lëvizje si fillimin e një etape të re, me synime të mëdha dhe ambicie të qarta për vazhdimësinë e suksesit.
“Një kapitull i ri fillon sot. Me firmosjen e kontratës dhe prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, Nevil Dede, ekipi ynë nis një rrugëtim të ri me ambicie, pasion dhe objektiva të qarta. Mirë se erdhe dhe suksese në këtë sfidë të re”, thuhet në komunikatën e klubit.
Dede rikthehet kështu në futbollin shqiptar pas një periudhe të shkurtër në Kosovë, ku drejtoi KF Ferizaj. Ai u shkarkua më 19 prill, pas një serie rezultatesh jo të mira që e lanë skuadrën në një pozitë të vështirë në tabelë.
Aktualisht, Ferizaj renditet në vendin e parafundit në Superligën e Kosovës dhe përballet me rrezik serioz për rënie nga elita, teksa mbijetesa në ligë mbetet objektivi kryesor në javët e fundit të kampionatit.
Në anën tjetër, sfida e radhës për Deden te Egnatia pritet të jetë ruajtja e standardit të lartë të ekipit dhe vazhdimësia e rezultateve pozitive, duke pasur parasysh se klubi hyn në fazën vendimtare të sezonit si kampion në fuqi dhe me objektiva të qarta për të mbrojtur titullin.

