Aktualitet

Nga Avnija Hafuzi – Një nismë unike në Hungari: Tavolinat “Skanderbeg” sjellin sportin në hapësirat publike

Avnija Hafuzi, Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Hungari

Në vitin 2023 nisi një nismë e veçantë dhe unike, e cila sot ka pasuruar shumë hapësira publike në Hungari. Ideatori dhe mbështetësi kryesor i tavolinave të jashtme të mundjes së krahut “Skanderbeg” është Avni Hafuzi, i cili luan një rol kyç jo vetëm si dhurues, por edhe si nismëtar i një programi gjithëpërfshirës sportiv dhe argëtues për komunitetin.

NOA

Ideja mbështetet në rrënjë historike. Sipas traditës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar dhe udhëheqës i shquar ushtarak i shekullit XV, përzgjidhte vetë ushtarët përmes mundjes së krahut, si një mënyrë për të vlerësuar forcën e tyre për përdorimin e shpatës. Ky element historik ka shërbyer si frymëzim për konceptin që Avni Hafuzi e zhvilloi më tej: që mundja e krahut “Skanderbeg” të mos mbetet vetëm një sport garues në mjedise të mbyllura, por të bëhet pjesë e përditshmërisë, në një formë të lirë dhe të qasshme për të gjithë.

Nga ky vizion lindi ideja e tavolinave të jashtme të mundjes së krahut “Skanderbeg”.

Për realizimin e saj, Avni Hafuzi kontaktoi përmes internetit z. Läszlö Kelemen, një emër i njohur në këtë sport, kampion europian dhe botëror në mundjen e krahut “Skanderbeg”, i cili njëkohësisht merret edhe me prodhimin e pajisjeve sportive. Gjatë një takimi personal, Avniu i parashtroi idenë e tij dhe, si rezultat i këtij bashkëpunimi, u krijua tavolina e jashtme e mundjes së krahut “Skanderbeg”. Në këtë proces, Läszlö Kelemen kontribuoi jo vetëm si prodhues, por edhe me përvojën e tij të gjerë si sportist.

Stacioni i parë i programit ishte në vitin 2024, në Eger, ku tavolina e parë e jashtme u vendos në Sheshin “Skënderbej”, përballë statujës së heroit kombëtar shqiptar. Sipas Avni Hafuzit, kjo nismë është unike në botë, pasi në vende të tjera garat e mundjes së krahut “Skanderbeg” zhvillohen kryesisht në mjedise të mbyllura. Qëllimi është që sporti të dalë në hapësira të hapura dhe të krijojë mundësi për stërvitje në natyrë, duele miqësore dhe organizimin e garave të vogla.

Po në vitin 2024, programit iu bashkuan edhe Budapest-Soroksär dhe Fülöpszälläs. Në Fülöpszälläs, nisma mori një përmasë të veçantë: palestra sportive u emërtua “Skënderbeu”, në nder të heroit shqiptar dhe në përputhje me frymën e programit. Ajo u shndërrua shpejt në një nga qendrat kryesore të mundjes së krahut “Skanderbeg” në Hungari dhe më gjerë, duke fituar edhe profil ndërkombëtar. Pikërisht aty u zhvillua më 8 mars 2025 Kupa e Parë Ndërkombëtare e Mundjes së Krahut “Skanderbeg”, si dhe më 7 mars 2026 Kupa e Dytë Ndërkombëtare “Skanderbeg”, duke forcuar më tej rolin e kësaj nisme në promovimin e sportit dhe në gjallërimin e jetës komunitare.

Në vitin 2025 programi vazhdoi në Türkeve dhe Veröce, ndërsa në vitin 2026 u vendosën tavolina të reja edhe në qytetet Mezötür dhe Hatvan.

Në Mezötür, më 31 mars 2026, u zhvillua ceremonia zyrtare e përurimit përpara Gjimnazit “Teleki Blanka” dhe Kolegjit “Gäl Ferenc”. Në fjalimin e tij, Avni Hafuzi theksoi një nga qëllimet kryesore të kësaj nisme: që emri i heroit, të cilit i përket kjo traditë – Skënderbeut – të përhapet në shkolla dhe të bëhet pjesë e orëve të edukimit fizik, duke u dhënë të rinjve mundësinë ta provojnë dhe praktikojnë këtë sport.

Në Hatvan, më 21 prill 2026, nisma vijoi në Gjimnazin “Bajza Jözsef”. Gjatë kësaj ngjarjeje, sportistët zhvilluan demonstrime, ndërsa nxënësit morën pjesë aktivisht në ndeshjet e para. Në të gjitha vendet e përurimit, këto aktivitete u shndërruan në veprimtari të mirëfillta komunitare, ku sporti, tradita dhe miqësia ndërthuren në mënyrë të natyrshme.

Është e rëndësishme të theksohet se në realizimin e kësaj nisme, mbështetja e sportistëve hungarezë të mundjes së krahut “Skanderbeg” ka qenë thelbësore. Kontributi i tyre ka siguruar që këto tavolina të mos mbeten thjesht simbolike, por të funksionojnë si hapësira të gjalla sportive, të përdorura në mënyrë aktive nga komuniteti.

Kështu, tavolinat e jashtme të mundjes së krahut “Skanderbeg” përfaqësojnë njëkohësisht pajisje sportive, kujtesë historike dhe një forcë për bashkimin e komunitetit. Ideja dhe realizimi i tyre dëshmojnë përkushtimin e Avni Hafuzit, i cili, i frymëzuar nga tradita, ka krijuar një nismë unike dhe shembullore në Hungari.

Në fund, Avni Hafuzi shpreh mirënjohjen e tij për mikun e tij, Läszlö Kelemen, si dhe për të gjithë komunitetin e sportistëve të mundjes së krahut “Skanderbeg”, të cilët me përkushtimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive kontribuojnë vazhdimisht në suksesin e kësaj nisme.