Aktualitet

Nga Budapesti në Tiranë: kriza e 4iG rrezikon One Albania, pasi qeveria e re bllokon kredinë 16 miliardë euro

Qeveria e re hungareze njoftoi se do të rishikojë aplikimin e kredisë 16 miliardë euro për sektorin e mbrojtjes nga Komisioni Europian për shkak të rreziqeve të korrupsionit. Lajmi është bërë publik nga Euroneës, i cili citon burime nga partia e kryeministrit të sapozgjedhur Magyar.

“Ne do ta shqyrtojmë në mënyrë kritike listën e paraqitur nga qeveria në largim dhe do të marrim vendime bazuar në nevojat reale dhe një vlerësim të rreziqeve të korrupsionit”, tha një burim brenda Partisë Tisza për Euroneës në kushte anonimiteti.Sipas Euroneës rreziqet e korrupsionit të përmendura kuptohen se lidhen me interesat industriale hungareze me lidhje me qeverinë në largim të Viktor Orbán. Dhe kompania kryesore që përfaqëson këto interesa është 4iG, e cila në Hungari konsiderohet si një nga shtyllat e korrupsionit të qeverisë së Orban.

Vitin e kaluar Komisioni Europian lançoi një skemë qindra miliardë euro për të mbështetur shpenzimet e mbrojtjes të vendeve anëtare. Paketa e financimeve bazohej në kredi me interesa të buta dhe ish-qeveria e Viktor Orban aplikoi për 16 miliardë euro.Por pas lançimit të skemës një pjesë e madhe e industrisë hungareze të mbrojtjes u privatizua nga 4iG, përmes disa procedurave që tashmë janë nën hetim për korrupsion.Sipas mediave hungareze, pjesën më të madhe të këtyre fondeve do ta përfitonte pikërisht kompania 4iG.Bllokimi i kredisë nga qeveria e Magyar dyshohet se lidhet kryesisht me 4iG, e cilësuar si kompania e oborrit të Orban. Për shkak të këtyre zhvillimeve, kontroll.hu, një media e afërt me partinë e kryeministrit Magyar, shkruan se 4iG mund të shkojë drejt falimentimit.

Rreziqe për ONE Albania

4iG është kompania mëmë, e cila zotëron One Albania, një nga dy aktorët e oligopolit celular në Shqipëri. Tronditjet financiare të 4iG pritet të kenë pasoja serioze mbi One.Të dhënat nga bilanci i kompanisë celulare tregojnë varësi të lartë financimi nga mëma e saj 4iG. Sipas të dhënave nga bilanci, në fund të vitit 2024 One Albania kishte rreth 9.1 miliarde lekë ose mbi 96 milionë euro hua të marra nga grupi mëmë.Aktualisht One Albania është duke negociuar marrjen e një kredie të madhe nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Por zhvillimet e fundit brenda grupit 4iG kanë rritur ndjeshëm rreziqet financiare për One, të cilat mund t’i përcillen sektorit bankar vendas në kushtet e financimeve të pakujdesshme.Tashmë One Albania dhe gjithë grupi 4iG klasifikohen si një korporatë me reputacion të damkosur për shkak të lidhjeve politike të kompanisë si dhe me risqe të larta financiare, jo vetëm për shkak të bllokimit të fondeve që grupi përfitonte nga ish qeveria e Orban, por për shkak edhe të pasojave të mundshme ligjore nga hetimet për korrupsion që ka parlajmëruar qeveria e Peter Magyar.

Mafia bullgare dhe qarqet ruse pas One Albania

Kompania “One Albania” ishte  në pronësi të hungarezit Gellért Zoltán Jászai, i njohur si ortak i kryeministrit Viktor Orban dhe i oligarkëve të Vladimir Putinit. Gellért Zoltán Jászai konsiderohet si një nga fijet e Moskës në Ballkan, për shkak se ai është prestanome i disa oligarkëve rusë të sanksionuar nga SHBA. Gellért Zoltán Jászai është i skeduar për pastrim parash dhe skema mashtrimi në SHBA, Hungari, Bullgari, Rumani, Serbi, Bosnje, Turqi, Mali i Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Në mars të vitit 2022, kompania hungareze 4iG, e kontrolluar nga Gellért Zoltán Jászai, mori zyrtarisht kontrollin e One Albania, duke blerë 100% të aksioneve të Albania Telecom Invest AD. 4iG është tashmë krahu teknologjik i interesave hungarezo-ruse në Ballkan dhe në Shqipëri, një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kibernetike kombëtare dhe integritetin e të dhënave të qytetarëve.Pse autoritetet shqiptare lejojnë këtë kompani të operojë lirshëm? Pse nuk vepron AKEP për bllokimin e një operatori që manipulon tregun? Pse Prokuroria nuk nis hetime për lidhje të dyshimta me krimin e organizuar dhe për vjedhje të të dhënave? A është Shqipëria kthyer në bazë logjistike për interesat e Putinit në Ballkan përmes një kompanie telefonike?