Nga Frank Shkreli – Petro Nini Luarasi: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”
Petro Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI
Nga Frank Shkreli*
Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Nëse brezi i Petro Nini Luarasit do të ishte dorëzuar, Shqipëria ndoshta nuk do ta kishte fituar kurrë të drejtën për të shkruar e për të mësuar në gjuhën e saj. Nëse ky brez i shqiptarëve sot dorëzohet përballë korrupsionit, padrejtësisë, polarizimit politik apo varfërisë, rrezikojnë të humbasin jo gjuhën, por edhe shpresën. Dhe një komb që humbet shpresën, fillon të zbrazë vetveten. Sepse pa u distancuar nga e kaluara komuniste, nuk fitohet as besimi për të ardhmen
“Shqiptarët nuk kanë shembuj për t’u ndjekur.” Kjo është një thënie që dëgjohet shpesh. Por nuk është e vërtetë. Nuk është historia e shqiptarëve që është e varfër me shembuj atdhetarësh. Shpesh është kujtesa jonë që është bërë më e varfër. Se shqiptarët kanë nxjerrë burra dhe gra që e deshën atdheun më shumë se veten. Kanë pasur luftëtarë që mbrojtën lirinë, mendimtarë që ndriçuan rrugën e kombit, shkrimtarë që ngritën gjuhën shqipe në majat e letërsisë dhe mësues që sakrifikuan gjithçka për dijen. Njëri prej tyre është Petro Nini Luarasi. Ai nuk u bë i pavdekshëm sepse mbajti pushtet, pasuri apo privilegje. U bë i pavdekshëm sepse i kushtoi jetën një ideali: gjuhës shqipe, arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare. Në një kohë kur të shkruaje e të mësoje shqip ishte akt guximi, ai zgjodhi rrugën e sakrificës dhe jo të heshtjes. Për këtë arsye, emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me martirizimin për gjuhën amtare. Por Petro Nini Luarasi nuk na la vetëm veprën e tij. Ai na la edhe një amanet që tingëllon sot po aq i fuqishëm sa më shumë se një shekull më parë: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Këto fjalë nuk janë vetëm një thirrje për qëndresë. Janë një program moral për çdo brez shqiptar. Ato na kujtojnë se rënia nuk është turp; turp është dorëzimi. Humbja nuk është fundi; fundi vjen vetëm kur humbet besimin!
Në 115-vjetorin e vdekjes së Petro Nini Luarasit (17 gusht 1911 – 17 gusht 2026)
Përkujtojmë sot 115-vjetorin e martirizimit të Petro Nini Luarasit, martir i Kombit
Në një kohë kur shumë shqiptarë shohin largimin si rrugën e vetme drejt një jete më të mirë, kur zhgënjimi shpesh zë vendin e shpresës dhe kur përçarja zëvendëson bashkimin, Petro Nini Luarasi na kujton se asnjë komb nuk ndërton të ardhmen duke hequr dorë nga vetvetja. Prandaj, kur dikush thotë se shqiptarët nuk kanë shembuj për t’u ndjekur, përgjigjja nuk duhet kërkuar larg. Ajo gjendet në faqet e historisë sonë, te ata që nuk kërkuan lavdi për veten, por liri dhe dinjitet për kombin. Petro Nini Luarasi është një prej atyre shembujve të shumtë. Ai nuk na kërkon të bëjmë gjëra të pamundura. Na kërkon vetëm të mos dorëzohemi. Sepse kombet nuk bëhen të mëdha nga mungesa e pengesave, por nga njerëzit që, edhe pasi rrëzohen shumë herë, gjejnë forcën të ngrihen përsëri. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Kjo thënie nga rilindasi i madh Petro Nini Luarasi nuk është thjesht një thënie e bukur. Është një filozofi mbijetese. Është testamenti moral dhe atdhetar i një njeriu që pa burgun, përndjekjen dhe flijimin, por nuk pa kurrë dorëzimin. Sot më shumë se një shekull më vonë, shqiptarët nuk përballen më me ndalimin e gjuhës shqipe. Ata nuk përballen me shkollat e mbyllura apo me ndalimin e alfabetit, si në kohën e Petro Nini Luarasai. Megjithatë, shqiptaria sot përballet me një rrezik tjetër, po aq të madh: humbjen e besimit. Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf. Në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, mijëra të rinj nuk e shohin më të ardhmen në vendin e tyre. Çdo ditë, avionët mbushen me djem e vajza që largohen jo sepse nuk e duan atdheun, por sepse nuk besojnë se mund të ndërtojnë një jetë me dinjitet në të. Emigrimi nuk është vetëm një zgjedhje ekonomike; shpesh ai është shprehje e një zhgënjimi të thellë ndaj institucioneve, politikës dhe mungesës së mundësive. Frank Shkreli: Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual | Gazeta Telegraf

Ky është rrëzimi i kohës sonë. Por Petro Nini Luarasi do të pyeste: A është largimi zgjidhja e vetme, apo është shenja se kemi pushuar së besuari se vendi ynë mund të ndryshojë? Ai nuk do t’i gjykonte ata që largohen për të siguruar jetën e familjes. Edhe vetë ai njohu mërgimin dhe veproi për çështjen kombëtare nga Shtetet e Bashkuara. Por ai do të na kujtonte se mërgimi nuk duhet të kthehet në dorëzim dhe se lidhja me atdheun nuk mbaron në kufi. Sot, shqiptarët nuk kanë aq nevojë vetëm për rrugë, ura apo pallate e ndërtesa, por kanë nevojë të rindërtojnë besimin në vetveten dhe në atdheun e vet. Sepse kur një popull humbet besimin, fillon të largohet jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht nga vendi i vet. Shqiptarët kanë kaluar pushtime, luftëra, diktaturën e egër komuniste, varfëri dhe mërgime të panumërta. Megjithatë, kanë mbijetuar sepse çdo brez ka gjetur forcën të ngrihet edhe një herë. Pikërisht, këtë na mëson Petro Nini Luarasi: rrëzimi nuk është fundi. Fundi vjen vetëm kur pranojmë të mos ngrihemi më. Prandaj thënia e tij është sot më aktuale se kurrë. Ajo sot u drejtohet sidomos qytetarëve, mësuesve, prindërve, të rinjve dhe diasporës. Ajo thënie na kujton se ndryshimi nuk lind nga dëshpërimi, por nga këmbëngulja dhe nga besimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Nëse brezi i Petro Nini Luarasit do të ishte dorëzuar, Shqipëria ndoshta nuk do ta kishte fituar kurrë të drejtën për të shkruar e për të mësuar në gjuhën e saj. Nëse ky brez i shqiptarëve sot dorëzohet përballë korrupsionit, padrejtësisë, polarizimit politik apo varfërisë, rrezikojnë të humbasin jo gjuhën, por edhe shpresën. Dhe një komb që humbet shpresën, fillon të zbrazë vetveten. Sepse pa u distancuar nga e kaluara komuniste, nuk fitohet as besimi për të ardhmen. Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes | Gazeta Telegraf
Petro Nini Luarasi nuk na la vetëm veprën e tij. Ai na la edhe një amanet që tingëllon sot po aq i fuqishëm sa më shumë se një shekull më parë: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Këto fjalë nuk janë vetëm një thirrje për qëndresë. Janë një program moral për çdo brez shqiptar. Ato na kujtojnë se rënia nuk është turp; turp është dorëzimi. Humbja nuk është fundi; fundi vjen vetëm kur humbet besimin!

Prandaj porosia e Petro Nini Luarasit mbetet një detyrë për çdo brez se edhe nëse rrëzohemi në përpjekjet për të ndërtuar një shtet më të drejtë, një shoqëri më të ndershme dhe një të ardhme që i mban të rinjtë pranë atdheut, shqiptarët duhet të ngrihen përsëri. Jo një herë, por nëntëdhjetë e nëntë herë, e nëse duhet, edhe të njëqindtën, citohet të ketë thenë Petro Nini Luarasi. Sepse kombet nuk maten me numrin e rrëzimeve, por me forcën për t’u ringritur. Ai do këshillonte se rënia nuk është humbje, por dorëzimi është! Shpesh thuhet se shqiptarët kanë kaluar shekuj të vështirë. Kjo është e vërtetë. Por ndoshta sfida më e madhe e kohës sonë nuk është varfëria, as emigrimi, as përçarja politike. Sfida më e madhe më duket se është është lodhja shpirtërore, lodhja me politikën e këtyre 35-viteve. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf. Një popull mund të përballojë shumë vuajtje, nëse beson se nesër do të jetë më mirë. Mirëpo, kur humbet besimin, ai fillon të largohet jo vetëm nga vendi, por edhe nga vetvetja. Kjo është drama që, fatkeqsisht, shohim sot në shumë vise shqiptare. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, shumë shqiptarë ndajnë të njëjtën pyetje: A ia vlen të qëndrosh këtu? Përgjigjet janë të ndryshme, por vetë pyetja është një tregues i një shqetësimi të thellë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Ajo nuk lind vetëm nga vështirësitë ekonomike. Ajo lind edhe nga ndjenja, sidomos në radhët e të rinjve, se përpjekja personale shpesh nuk shpërblehet, se e mira ecën ngadalë dhe se shpresa vonon – siç provojnë protestat prej pothuaj dy muajsh në Tiranë. Por historia shqiptare na mëson se brezat që ndërtuan kombin nuk jetuan në rrethana më të lehta. Ata nuk kishin shtet, nuk kishin universitete shqiptare, nuk kishin administratë kombëtare dhe, në shumë raste, nuk kishin as të drejtën të mësonin në gjuhën e tyre. Megjithatë nuk hoqën dorë nga ideja se Shqipëria dhe shqiptaria meritonin një të ardhme më të mirë. Petro Nini Luarasi nuk u ngrit vetëm kundër ndalimit të gjuhës shqipe. Ai u ngrit kundër dëshpërimit. Ai e kuptonte se pushtuesi më i rrezikshëm nuk është ai që merr tokën, por ai që të bind se nuk ia vlen më të luftosh për të. Ky është mesazhi që i flet edhe brezit të sotëm. Shqiptarët kanë ndërtuar komunitete të suksesshme në Amerikë, në Europë, në Australi e gjetkë. Ata kanë dëshmuar se me punë, dije dhe ndershmëri mund të arrijnë majat. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e aftësive. Sfida është si të krijohen kushte që kjo energji krijuese të ketë mundësi të lulëzojë edhe në trojet shqiptare. Në këtë kuptim, diaspora nuk duhet parë si një kapitull i mbyllur i historisë sonë, por si një pjesë e gjallë e kombit. Mërgimtari nuk pushon së qeni shqiptar kur kalon kufirin. Ai mbetet bartës i gjuhës, kujtesës dhe kulturës sonë. Por asnjë diasporë, sado e suksesshme të jetë, nuk mund ta zëvendësojë jetën që zhvillohet në trojet shqiptare. Kombet kanë nevojë për rrënjë, jo vetëm për degë. Prandaj thënia e Petro Nini Luarasit merr sot një kuptim të ri. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, nuk është një thirrje për optimizëm naiv. Është një detyrim moral për të mos e pranuar dëshpërimin si fat. Sepse historia nuk ecën gjithmonë në vijë të drejtë. Ka periudha kur duket se gjithçka ngec, kur idealet zbehen dhe kur largimi duket më i lehtë se qëndrimi. Por pikërisht në ato çaste provohet karakteri i një kombi. Periudha në të cilën jetojmë mund të jetë një ng ato. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf — Janë pikërisht, periudha të tilla kur duhet të na kujtohen fjalët e Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Shqiptarët nuk kanë nevojë të bindin botën se dinë të mbijetojnë. Këtë e kanë dëshmuar prej shekujsh. Sfida e shekullit XXI është tjetër: të ndërtojnë një shoqëri ku të rinjtë të mos largohen vetëm nga nevoja, por të kenë edhe lirinë reale për të zgjedhur të qëndrojnë. Ky do të ishte, ndoshta, triumfi më i madh i amanetit të Petro Nini Luarasit. Jo vetëm ta ruajmë gjuhën shqipe, por ta bëjmë atë gjuhën e një shoqërie që u jep bijve dhe bijave të saj arsye për të jetuar, për të krijuar dhe për të ëndërruar në vendin e tyre. Sepse një komb ringrihet jo vetëm kur kujton heronjtë e tij, por edhe kur gjen guximin të bëhet i denjë për sakrificat e tyre.
Më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi u nda nga jeta në rrethana që historiografia shqiptare i ka lidhur me helmimin e organizuar nga qarqe shoviniste greke, të cilat e konsideronin atë një pengesë për politikën e tyre të asimilimit të shqiptarëve ortodoksë. Për breza të tërë shqiptarësh, ai është nderuar si Martiri i gjuhës shqipe, sepse jetën e vuri në shërbim të shkollës, gjuhës dhe ndërgjegjes kombëtare.
Petro Nini Luarasin e helmuan sepse donte që shqiptarët të mos humbnin gjuhën e tyre. Një shekull më vonë, askush nuk na ndalon ta flasim shqipen. Por, lind pyetja: a po e lënë vetë shqiptarët pas dore atdheun, gjuhën dhe shpresën? Ky shkrim modest imi në kujtim të këtij rilindasi të madh nuk është një thirrje kundër dikujt, por një thirrje për ringritje për shqiptarët kudo, sidomos për shqiptarët në trojet shekullore iliro-arbërore — në 115-vjetorin e vdekjes së Petro Nini Luarasit (17 gusht 1911 – 17 gusht 2026). Besnikërisht, në frymën e porosisë së Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.”


