Aktualitet

Nga inxhinieri i Arlis, te Razia e Big Marketit të Sinajt! Emrat e të arrestuarve pas zjarrit

Katër persona janë arrestuar në lidhje me zjarrin që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis” pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Në pranga kanë përfunduar inxhinieri Enver Admi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, menaxherja e Big Marketit ku dyshohet se nisën flakët Razie Sula, si dhe administratori i pallatit Agron Cara. Ndërkohë, është shpallur në kërkim ndërtuesi i kompleksit, Armand Lilo. Zjarri shpërtheu pasditen e së martës dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë godinën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Paraprakisht dyshohet se rreth 30 apartamente janë shkatërruar plotësisht, ndërsa dhjetëra të tjera kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Flakët mendohet të kenë nisur në katin e parë, në ambientet e një marketi, dhe më pas janë favorizuar nga materiali i përdorur në fasadë.Forcat zjarrfikëse punuan për rreth katër orë për neutralizimin e flakëve, ndërsa në operacion u përfshi edhe një helikopter. Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor vijon verifikimet në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë.