Aktualitet

Pagat e magjistratëve në SPAK, Prokuroria e Beratit shpall moskompetencën

Çështja e pagave të magjistratëve ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi Prokuroria e Beratit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e saj.

Dosja lidhet me konfliktin mes gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Ministrisë së Financave për mënyrën e llogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në sistemin e drejtësisë.

Më herët, përfaqësues të gjykatave dhe shoqatave të magjistratëve depozituan një kallëzim penal në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë dhe drejtuesve të degëve të Thesarit.

Në kallëzim pretendohet se janë kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës, pengimit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës.

Përplasja nisi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me formulën e pagave të magjistratëve dhe mosmarrëveshjeve për zbatimin e tij. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkuan aplikimin e një page të re referuese, ndërsa Ministria e Financave kundërshtoi mënyrën e përllogaritjes.

SPAK ka nisur hetimet për këtë çështje dhe ka administruar dokumentacionin përkatës pranë Ministrisë së Financave.

Tashmë, me shpalljen e moskompetencës nga Prokuroria e Beratit, çështja i kalon Prokurorisë së Posaçme për vijimin e procedurave përkatëse.