Parkimi në Tiranë është kthyer në një nga problemet më të mëdha të përditshmërisë për qytetarët
*Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa.*
Përshëndetje!
Parkimi në Tiranë është kthyer në një nga problemet më të mëdha të përditshmërisë për qytetarët. Çdo ditë mijëra drejtues automjetesh humbasin kohë të çmuar duke kërkuar një vend parkimi, paguajnë tarifa gjithnjë e më të larta dhe përballen me një shërbim që mbetet larg standardeve që u është premtuar.
Në vend që Bashkia e Tiranës të investojë për të zgjidhur mungesën e vendeve të parkimit, për të ulur kostot për qytetarët dhe për të modernizuar realisht shërbimin, vëmendja vazhdon të përqendrohet tek tenderat me vlera marramendëse. Sipas raportimeve mediatike, ndërsa SPAK po heton një sërë procedurash në Bashkinë e Tiranës, “Tirana Parking” ka hapur një procedurë tenderuese me vlerë rreth 485 mijë euro për blerjen e 18 kasave automatike, një zhvillim që ngre pikëpyetje serioze për prioritetet e administrimit të parave publike.
Ky është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, më shumë tendera, më shumë pagesa për qytetarët dhe asnjë zgjidhje për problemet reale.
Prej vitesh, tarifat e parkimit janë rritur vazhdimisht, duke e kthyer parkimin në një barrë të rëndë financiare për familjet shqiptare. Qytetarët paguajnë më shumë se kurrë, por nuk marrin më shumë shërbim. Nuk ka më shumë vende parkimi, nuk ka lehtësim të trafikut dhe nuk ka një strategji serioze për menaxhimin e lëvizjes në kryeqytet.
Tirana është shndërruar në një qytet ku është më e lehtë të gjesh një tender sesa një vend parkimi.
Kjo është pasoja e një modeli qeverisës që nuk planifikon, nuk ndërton infrastrukturë publike në funksion të qytetarëve dhe nuk jep llogari për mënyrën se si shpenzohen fondet publike. Ndërkohë që qytetarët paguajnë çdo ditë më shumë për parkimin, ata vazhdojnë të humbin orë të tëra në trafik, të përballen me mungesën e hapësirave dhe me një shërbim që nuk justifikon kostot e larta.
Partia e Lirisë dënon këtë mënyrë administrimi të Bashkisë së Tiranës dhe i bën thirrje organeve kompetente të hetojnë me transparencë çdo procedurë për të cilën ekzistojnë dyshime apo indicie për shkelje të ligjit. Fondet publike duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo të ushqejnë një kulturë të pafund tenderash.
Qytetarët e Tiranës nuk kanë nevojë për propaganda dhe as për tendera pa fund. Ata kanë nevojë për parkime funksionale, tarifa të përballueshme, transparencë dhe një administratë që punon në interesin e tyre.
Faleminderit!


