Pas disa orësh kërkimesh nga toka dhe ajri, shpëtohen tre turistët gjermanë të bllokuar në Malin e Çikës
Tre turistë gjermanë janë shpëtuar pas një operacioni të vështirë kërkim-shpëtimi në zonën e Malit të Çikës, ku kishin mbetur të bllokuar mes shkëmbinjve.
Operacioni zgjati rreth katër orë dhe u zhvillua në një terren tepër të vështirë. Pas lokalizimit të tyre, ndërhyrja me helikopter bëri të mundur nxjerrjen e turistëve nga zona e rrezikshme dhe transportimin e tyre drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës, ku morën ndihmën e parë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, tre të rinjtë kishin humbur orientimin gjatë eksplorimit dhe kërkuan ndihmë përmes sinjalit SOS, pasi nuk mund të dilnin nga terreni shkëmbor ku kishin mbetur të izoluar.
Operacioni përfundoi me sukses dhe pa pasoja për jetën e tyre. Ky është rasti i pestë në vetëm dy muaj që turistë të huaj bllokohen ose lëndohen gjatë eksplorimit të zonës së Malit të Çikës.


