Pazaret me reformën, pas Olsi Komicit dhe Holta Zaçajt, PS shpërblen edhe Genta Bungon
Kur u shpall Reforma në Drejtësi, qytetarëve iu tha se për herë të parë do të ndodhte një “spastrim moral” i elitës gjyqësore. Në shoqëri u ngjall shpresa se më në fund do të dilte në pah një brez i ri gjyqtarësh e prokurorësh, i përzgjedhur sipas integritetit dhe transparencës.
Mirëpo tani që ka përfunduar procesi i Vetingut, vijojnë të shtohen pikëpyetjet se sa i drejtë ka qenë ai proces.Olsi Komici, anëtar i KPK sot është deputet i Partisë Socialiste. Ai u katapultua nga Komision i Pavarur i Kualifikimit te salla e Parlamenti. Pra një lloj shpërblimi.Holta Zaçaj, ish anëtare e Gjykatës Kushtetuese, u emërua nga Partia Socialiste anëtare e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.Ndërkohë një tjetër emër ka dalw në dritë: Genta Tafa Bungo, ish-anëtare e KPK. Ajo është propozimi i Partisë Socialiste për Komisionerin për Mbrojtje nga Diskriminimi. Ky propozim vjen pas dështimit të saj për t’u bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.Pranë Kuvendit aplikuan edhe ish-kreu i KLP Alfred Balla, si dhe Rozeta Ivanova nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por PS ka mbështetur Genta Bungon.
Në shkresën dërguar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, PS shkruan: “Ne vlerësojmë se kandidatura e propozuar, me përvojën e saj profesionale në fushën e ligjit si dhe me aftësitë e spikatura në ushtrim të profesionit, gëzon besimin e të gjithë deputetëve dhe plotëson të gjitha kriteret që kërkon ligji.”Në sipërfaqe, ajo paraqitet si një profesioniste me karrierë në drejtësi, ish-përmbaruese dhe pedagoge, e votuar nga Kuvendi për të qenë pjesë e filtrit më të rëndësishëm të tranzicionit. Por në prapaskenë, një sërë të dhënash, dokumente dhe raportime mediatike, hedhin hije të forta dyshimi mbi pasurinë dhe integritetin e saj.
Nga ana tjetër po dëshmohet se një pjesë e emrave që kanë qenë pjesë e drejtësisë, po shpërblehen me poste nga politika. Kjo tregon se reforma nuk ka qenë dhe aq e pastër.

