Përhapja e lajmit për infektim me HIV/AIDS të zyrtarëve të bashkisë Gjirokastër, policia: Nën hetim 33-vjeçari, shpërndau informacione të rreme
Emin Kokalari është vënë nën hetim pasi sipas policisë shpërndau indormacione të rreme në rrjete sociale për aludimet se zyrtarë të bashkisë Gjirokastër janë infektuar me HIV/AIDS.
Procedohet penalisht një 33-vjeçar, pasi dyshohet se ka përhapur informacione të rreme në rrjetet sociale, duke shkaktuar panik te qytetarët, me pretendimin se kryetari i bashkisë dhe punonjës të bashkisë janë të infektuar me HIV/AIDS.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 33 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari i 33-vjeçarit.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

