Presidenti Begaj priti Ambasadoren e re të Bregut të Fildishtë, Znj. Nogozene Bakayoko
Tiranë, më 22 korrik 2026
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti në një ceremoni zyrtare Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Bregut të Fildishtë, me rezidencë në Romë, Znj. Nogozene Bakayoko, e cila i paraqiti Letrat Kredenciale.
Presidenti Begaj i uroi Ambasadores Bakayoko suksese në përmbushjen e misionit të saj diplomatik, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Bregut të Fildishtë.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se ekziston potencial për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, veçanërisht në ekonomi, tregti, bujqësi dhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e plotësimit të kuadrit ligjor dypalësh për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Bregu i Fildishtë.

