Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë
Kreu i shtetit shqiptar Prof.As.Dr. Bajram Begaj, priti në një takim të veçantë z. Gordan Grlić-Radman, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis dy vendeve, si edhe forcimin e partneritetit strategjik.

Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.
Kreu i Shtetit falënderoi Kroacinë për avokatinë e vazhdueshme që i bën Shqipërisë dhe procesit integrues të saj në të gjitha tryezat ndërkombëtare dhe mori edhe një herë sigurinë dhe gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të vijuar me mbështetjen në çdo aspekt të këtij procesi.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës dhe vlerësoi se bashkëpunimi ynë mbetet i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.


