Prof. Dr. Arben Cici: Polici dhe syri i humbur
Nga një natë kur ndërgjegjja mbeti pa strehë
Ishte i lodhur, i raskapitur, i pezmatuar dhe i uritur. Kishte pesë orë që qëndronte në këmbë, përballë një turme që nuk po shpërndahej, mes tymit, gazit, gurëve, molotovëve dhe thirrjeve që, ndonëse nuk i meritonte, binin mbi të sikur ai të ishte vetë fajtori për të gjitha fatkeqësitë e vendit. Mbi bulevard kishte rënë një muzg i rëndë, i përzier me pluhur dhe me atë dritën e zbehtë që marrin qytetet kur dita nuk ka më forcë të mbrojë njerëzit nga nata, ndërsa nata ende nuk ka guximin të marrë përsipër krimet e saj.
Ai kishte gjetur një çast për t’u ulur me një koleg, pas një automjeti policie. Këmbët i dhembnin, shpina i ishte bërë dru dhe stomaku i gryente nga uria. Për një moment, mes gjithë atij zjarri, i ishte dukur se mund të mbyllte sytë e të harronte se ishte polic, se kishte një armë në brez dhe se, në shtëpinë e largët, graja e dashur, një vajzë e re dhe një djalë ende fëmijë prisnin që ai të kthehej.
Por jeta e njeriut të varfër nuk është bërë të pushojë. Ajo i lejon vetëm aq kohë sa t’i kujtojë se është i lodhur, pastaj e ngre përsëri në këmbë, si një kalë të rrëzuar që nuk ka të drejtë të mbetet në tokë.
– Hajde këtu! – e çau ajrin si një goditje kamxhiku zëri i shefit.
Ai u kthye. Shefi po u drejtohej atij dhe kolegut që rrinte pranë, me nga një pushkë në secilën dorë. Fytyra i ishte skuqur, sytë i shkëlqenin nga zemërimi dhe nga ajo lloj frike që, te njerëzit e veshur me pushtet, shpesh merr pamjen e egërsisë.
– Ti dhe ti! Pas meje! – bërtiti ai.
– Si urdhëron, shef!
Të dy u ngritën menjëherë. Polici ndjeu një therje në gjunjë, por e fshehu. Në mes të botë ku jetonte, edhe dhimbja duhej të dinte të rrinte urtë.
– Lëvizni, mos rrini si bufa! – ulëriti shefi.
Ecën disa hapa. Ai ndaloi papritur, u kthye dhe u zgjati pushkët.
– Merrini këto! Ja edhe fishekët. Dhe hajdeni pas meje!
Qeset prej lecke ranë në duart e policit me një peshë që nuk i ngjante asaj të municionit. Ishte një peshë e ftohtë, e panjohur, një peshë që, pa e ditur ende pse, iu duk sikur mbante brenda diçka më të rëndë se metali.


Ai i vështroi fishekët. Pastaj pushkën. Pastaj shefin.
Nuk ishte toni i zërit që e kishte hutuar. Shefi nuk dinte të fliste ndryshe; në gojën e tij edhe fjala më e zakonshme bëhej urdhër, edhe heshtja e tjetrit dukej si mosbindje. Ishte ajo ftohtësi e armës, ajo prani e hekurt që papritur kishte marrë një kuptim tjetër.
– Unë… pse unë, shef? – belbëzoi ai.
Shefi u kthye ngadalë. Për një çast e pa sikur polici të kishte bërë një pyetje të pahijshme në një kishë, pikërisht në çastin kur prifti po bekonte të vdekurit.
– Po, po, ti! Bashkë me këtë k…n tjetër! – bërtiti ai, duke treguar kolegun. – Lëvizni!
Pastaj u nis me nxitim drejt zhurmës, drejt tymit, drejt atij vendi ku njerëzit po bërtisnin gjithnjë e më fort.
– Policia e krimit!
– Rama, jep dorëheqjen!
– Edi Rama, të q…a rrobt!
Thirrjet vinin nga të gjitha anët. Ishin të forta, të zemëruara, të mbushura me një mllef që dukej sikur kishte vluar prej vitesh nën lëkurën e qytetit. Polici i dëgjonte, por nuk arrinte t’i ndante nga zhurma e përgjithshme. I ngjanin një lumi të dalë nga shtrati, që mbartte baltë, gurë, kujtime dhe plagë të vjetra.
Ai ndiqte shefin me hapa të shkurtër, duke u përpjekur të mos pengohej nga kabllot, gurët, mbeturinat dhe policët që lëviznin me nxitim. Kur arritën pas një blindi, shefi ndaloi dhe nisi t’u tregonte ku duhej të qëndronin, si të uleshin dhe në ç’drejtim duhej të qëllonin.
Polici nuk dëgjonte pothuajse asgjë. Shihte vetëm fytyrën e shefit, e cila shndërrohej nga një shprehje në tjetrën, sikur brenda saj të ishin mbyllur disa kafshë që përpiqeshin të dilnin njëherësh. Gojën e hapte e mbyllte, krahët i lëvizte me vrull dhe gishtin e drejtonte nga turma.
Gjithçka duhej bërë menjëherë.
Gjithmonë menjëherë. Sikur njerëzit të ishin gurë që mund të zhvendoseshin me urdhër. Sikur një plumb të mund të ndalej më pas me një urdhër tjetër. Sikur dhimbja të kishte disiplinë ushtarake dhe të largohej nga trupi sapo t’i bërtisje.
– Unë të qëlloj?! – pyeti përsëri polici, kësaj here me një zë që mezi doli nga fyti.
– Po, po, ti! Ulu atje dhe qëllo pa pushim këta këlyshë k…sh!
Ai e tha këtë me atë lehtësinë e frikshme me të cilën disa njerëz flasin për gjëra që nuk do t’u ndodhin kurrë vetë.
Polici u ul në gjunjë.
Në duart e tij, arma ishte e rëndë dhe e ftohtë. I futi fishekët me gishta që nuk i bindeshin. Pastaj ngriti pushkën, mbylli sytë dhe qëlloi. Qëlloi lart.
Krismat u përzien me britmat.
Qëlloi përsëri.
Dhe përsëri.
Sytë i mbante të mbyllur, sikur errësira e qepallave të mund ta mbronte nga ajo që po bënte. Ishte hera e parë që qëllonte në një situatë të tillë. Edhe në stërvitje nuk kishte përdorur fishekë të tillë. U thoshin se ishin të shtrenjtë, se nuk duhej të shpërdoroheshin, se mjaftonte të merrnin shënjestër e të bënin sikur qëllonin.
Sa e çuditshme i dukej tani ajo stërvitje!
Atje, shënjestra ishte një objekt pa frymë, Një dërrasë e veshur me letër. Nuk kishte nënë, nuk kishte fëmijë, nuk kishte sy që shihnin botën, nuk kishte zemër që rrihte nga frika. Nuk kishte njeri që, pas njëzet vjetësh, mund të zgjohej në mes të natës me kujtimin e një krisme.


Këtu, përtej tymit, kishte njerëz.
Dhe njerëzit nuk janë shënjestra. Janë jetë të tëra që ecin në këmbë. Janë shpirtra që mendojnë, ëndërrojnë e dashurojnë.
– Qëllo drejt, o rrotë k…i! – ulëriti shefi.
Ai iu afrua dhe ia uli tytën në drejtim të turmës që avanconte përmes tymit e thirrjeve.
– Qëllo në mish, në kokë, në trup, ku të mundësh! Ta kuptojnë me kë kanë të bëjnë këta pabuksa! Vijnë nga periferitë për të na pushtuar!
Fjala pabuksa e goditi papritur policin më fort se britmat e shefit.
Pabuksa.
Për një çast, arma iu bë e padurueshme në duar. Ai e ndjeu veten të kthehej prapa në kohë, larg bulevardit, larg blindit, larg uniformës. U kthye në një fshat të varfër, në një shtëpi të vogël ku dimri hynte përmes dritareve të vjetra dhe ku buka ndahej në aq copa sa të mos mbetej askush pa ngrënë, edhe kur nuk kishte mjaftueshëm për të gjithë.
Ai e njihte urinë.
E njihte aq mirë, sa nuk kishte nevojë ta shihte për ta njohur fytyrën e saj. E kishte parë te nëna, kur ajo thoshte se ishte ngopur pa prekur lugën. E kishte parë te babai, kur kthehej nga puna me shpatullat e rëna dhe përpiqej të buzëqeshte, sikur varfëria të ishte një vizitor i përkohshëm që mund të largohej po të mos i kushtoje vëmendje.
Ai e njihte periferinë.
E njihte atë largësi të padukshme që ndan një njeri nga një tjetër, jo me kilometra, por me mundësi. E dinte se ç’do të thoshte të rriteshe duke parë të tjerët të kishin atë që ti as nuk guxoje ta kërkoje. E dinte se ç’do të thoshte të largoheshe nga vendi yt jo sepse kishe ëndërruar botën, por sepse toka ku kishe lindur nuk të jepte më as të drejtën për të mbetur aty.
Kujtoi emigracionin, vitet e vështira, punët e rënda, dhomat e ftohta dhe netët kur, për të mos menduar për shtëpinë, rrinte zgjuar deri në agim. Kujtoi vdekjen e të atit, lajmin që i kishte mbërritur larg dhe atë udhëtim të pamundur që nuk kishte mundur ta bënte në kohë. Nuk kishte qenë pranë tij në çastet e fundit. Nuk ia kishte mbajtur dorën. Nuk ia kishte mbyllur sytë. As nuk kishte mundur t’i kërkonte falje për të gjitha ato vite që kishte munguar.
Kishte mbetur vetëm amaneti i nënës: të mos i largonte fëmijët nga shtëpia, të mos i linte të shpërndaheshin nëpër botë, të mos e përsëritnin fatin e tij.
Por si mund ta mbante një njeri një amanet kur vetë jeta e shtynte çdo ditë drejt largimit?
Ishte martuar me një nga vajzat e fshatit. Ajo ishte e urtë, e përkushtuar, me atë butësinë e njerëzve që kanë mësuar të durojnë pa bërë zhurmë. Kishin dy fëmijë: një vajzë nëntëmbëdhjetëvjeçare, studente në vitin e parë të fakultetit, dhe një djalë shtatëmbëdhjetëvjeçar, në maturë.
Vajza punonte pasdite si kameriere. Shpesh kthehej vonë, me këmbët që i dhembnin dhe me duart që i mbanin ende erën e kafesë. Megjithatë, sapo hynte në shtëpi, buzëqeshte. Përpiqej t’ua fshihte prindërve lodhjen, sikur edhe ajo të kishte marrë mbi vete një pjesë të varfërisë së familjes dhe të mos donte t’ua shtonte peshën.
Djali punonte të shtunave në një kantier ndërtimi në periferi. Ishte rritur shpejt, kishte trup të fortë, shpatulla të gjera dhe fytyrën e bukur të moshës kur fëmijëria ende nuk është larguar krejt, por burrëria ka filluar të trokasë në derë. Duart i kishte të mëdha, por ende të papjekura për peshat që mbante. Në to dukej një e ardhme që ai nuk e dinte sa shumë do t’i kushtonte.
Ai punonte për të fituar pak para, ndoshta për një palë këpucë, ndoshta për të mos ia kërkuar të gjitha të atit. Ndoshta sepse, në moshën e tij, njeriu dëshiron të besojë se mund ta ndihmojë botën të bëhet pak më e lehtë.
Gruaja, mësuese me profesion, kishte mbetur pa punë pasi ishte mbyllur shkolla e fshatit. Që atëherë, burri lutej e kërkonte gjithandej një vend pune për të në Tiranë. Nuk kërkonte ndonjë mrekulli. Vetëm një pagë të rregullt, një mundësi që ajo të mos ndihej e tepërt në shtëpinë e vet.
Paga e saj do të ishte një ndihmë e madhe për qiranë e apartamentit të ngushtë në periferi dhe për shlyerjen e mikro-kredisë që kishte marrë për regjistrimin e vajzës në fakultet. Ai e dinte sa i rëndë ishte ai borxh, por e kishte marrë me një lloj krenarie të heshtur. Për herë të parë, kishte ndier se po investonte në diçka që nuk do të zhdukej me dimrin, që nuk do të thahej në arë, që nuk do t’ia merrte dot as varfëria, as emigracioni.
E ardhmja e fëmijëve.
A nuk ishte kjo arsyeja për të cilën një njeri duronte gjithçka?
– Qëllo! – e zgjoi zëri i shefit.
Polici hapi sytë. Përballë kishte përsëri tymin, turmën dhe tytën e armës.
– Qëllo tani, që të mos më qyravitesh nesër në zyrë për t’i gjetur gruas punë në Tiranë! – e kërcënoi shefi.
Këto fjalë nuk ishin më një urdhër. Ishin një dorë që i ishte futur nën këmishë dhe po i shtrëngonte zemrën.
Ai e kuptoi se shefi e dinte. E dinte se ai kërkonte një punë për të shoqen. E dinte se ai kishte një familje që duhej ushqyer, një kredi që duhej shlyer, dy fëmijë që duhej t’i mbante larg asaj varfërie prej së cilës ishte përpjekur të shpëtonte. Dhe tani, pikërisht ajo nevojë, ajo dashuri e thjeshtë për njerëzit e vet, ishte kthyer në një zinxhir me të cilin mund ta tërhiqnin drejt një krimi.
Ai e ngriti përsëri armën.
Mbylli sytë.
Qëlloi.
Në atë çast, ai nuk po lutej më për veten. As për vendin e punës së gruas, as për kredinë, as për pagën që mezi u mjaftonte deri në fund të muajit. Ai lutej që plumbat të mos preknin asnjë fëmijë, asnjë student, asnjë të ri, asnjë prind. Që të mos binte askush në asfalt. Që askush të mos dëgjonte klithamt e nënës së vet të mbushnin një korridor spitali.
Dhe, ndërsa qëllonte me sytë e mbyllur, bulevardi përballë iu duk më i madh se kurrë.
Nuk ishte më një rrugë.
Ishte një humnerë mes asaj që njeriu urdhërohej të bënte dhe asaj që ndërgjegjja e tij mund të duronte.
………………………………………………………………
Kur gjithçka mbaroi, ose të paktën kur urdhrat i lanë vendin një tjetër vale urdhrash, policët u larguan me një furgon drejt repartit. Askush nuk fliste. Kishte lodhje, nervozizëm, mallkime të përtypura dhe atë heshtje të rëndë që mbetet pas zhurmës së madhe, kur njeriu fillon të dëgjojë përsëri mendimet e veta.
Ai ishte i raskapitur, i drobitur, i përhumbur. Në vesh i qëndronin ende britmat e bulevardit, ndërsa në mendje i përsëritej kërcënimi i shefit. Përpiqej të kujtonte nëse kishte qëlluar drejt njerëzve, nëse dikush ishte rrëzuar, nëse ndonjë fytyrë kishte dalë për një çast nga tymi. Por kujtesa e tij ishte bërë si një pasqyrë e mbuluar me avull: shihte forma, jo fytyra; dëgjonte krisma, jo fjalë.
Ajo që i kthehej vazhdimisht ishte zhurma e thatë e armës.
I dukej se krisma kishte mbetur brenda trupit të tij, se e mbante në kraharor si një zog të zi që përplaste krahët pa gjetur dalje.
Në repart, ata mund t’i mbanin celularët deri në mëngjes, përpara se të niseshin sërish drejt Kryeministrisë, ku bëhej grumbullimi fillestar. Ai e nxori telefonin me ngut. Kishte dëshirë të dëgjonte vajzën. Ajo kujdesej për gjithçka dhe, me zërin e saj të ëmbël, i tregonte çdo mbrëmje çfarë kishte ndodhur në familje: nëse kishin paguar ndonjë faturë, nëse djali kishte ardhur nga puna, nëse nëna e tij kishte telefonuar, nëse kishte mbetur diçka për të nesërmen.
Ajo i tregonte edhe gjërat më të vogla, sikur t’i mblidhte ato në një trastë të ngrohtë dhe t’ia dërgonte të atit përmes telefonit. Për të, zëri i saj ishte shtëpia. Një shtëpi pa mure, pa çati, por që mund ta merrte me vete kudo.
E hapi ekranin.
U step.
Thirrje të humbura. Njëra pas tjetrës. Nga gruaja, nga vajza, nga motra, nga vëllai, nga mësuesi kujdestar i djalit. Kishte edhe numra që nuk i njihte.
Një ankth i ftohtë i përshkoi trupin.
Për disa sekonda nuk guxoi të prekte asgjë. Iu duk se ekrani ishte kthyer në një dritare nga ku po e vështronte një fatkeqësi që nuk kishte hyrë ende, por që e dinte adresën e tij.
Pastaj pa mesazhin e gruas.
Djali është në spital. Ku dreqin je futur?!
Ai e lexoi një herë.
Pastaj përsëri.
Fjalët nuk ndryshuan. Nuk u bënë më të buta, nuk u kthyen në një keqkuptim, nuk u zhdukën sikur të ishin shkruar nga dikush tjetër. Qëndruan aty, të zeza mbi ekran, si një lajm i gdhendur mbi gurin e një varri.
Djali është në spital.
Në ato pak fjalë, bota e tij u shemb pa bërë zhurmë. Nuk pati tërmet, as krismë, as thirrje alarmi. Vetëm një heshtje e tmerrshme, brenda së cilës ai ndjeu se diçka e shenjtë, diçka që kishte menduar se do ta mbronte për gjithë jetën, ishte thyer.
Flaku helmetën e rëndë. E mallkoi me një zemërim që nuk dinte ku të drejtohej dhe doli me vrap, pa i dhënë askujt shpjegim. Vraponte sikur mund të arrinte përpara lajmit, sikur, po të mbërrinte mjaft shpejt, do të gjente djalin të padëmtuar, duke qeshur, duke i thënë se gjithçka kishte qenë një gabim.
Në rrugë ndaloi një taksi. Shoferi e pa fytyrën e tij dhe nuk bëri pyetje. Ndoshta kishte parë shumë njerëz të tillë, njerëz që futeshin në automjet me pamjen e atyre që po përpiqen të shpëtojnë nga një zjarr që u digjet brenda kraharorit.
– Te Trauma! Të lutem, shpejt!
Tirana kalonte përpara xhamave si një film i grisur. Semaforët, kryqëzimet, dritat, njerëzit në trotuare, gjithçka i dukej e huaj. Ai shihte fytyra, por nuk shihte njerëz. Dëgjonte zhurma, por nuk kuptonte fjalë. Kishte vetëm një mendim, të cilin e përsëriste pa pushim, si një lutje që nuk dinte nëse po ia drejtonte Zotit apo vetes:
Jo djali. Të lutem, jo djali.
Kur mbërriti në spital, korridori e priti me zhurmën e një bote të plagosur. Prindër që bërtisnin, gra që qanin, njerëz me fytyra të zbardhura nga frika, mjekë që lëviznin me nxitim, policë me uniforma dhe civilë me muskuj të tendosur e maska që ua fshihnin fytyrat.
Spitali ishte i mbushur me njerëz, por askush nuk dukej se kishte vend. Të gjithë qëndronin në këmbë, të mbështetur pas mureve, të ulur në dysheme ose të përkulur mbi telefonat, duke pritur një lajm që mund t’ua ndante jetën në dy pjesë: përpara dhe pas.
Ai pa gruan, vajzën, motrën, vëllanë dhe mësuesin kujdestar të djalit, të strukur në një qoshe. Ata rrinin pranë njëri-tjetrit, por dukej sikur secili ishte mbyllur në një vetmi më të thellë se spitali.
Vajza e pa e para.
Ajo u ngrit menjëherë. Sytë i kishte të skuqur, fytyrën të zbehtë, buzët që i dridheshin. Nuk iu afrua si një bijë që kishte pritur të atin. U afrua si një njeri që kishte pritur të vinte përpara saj dikush që duhej t’i jepte përgjigje një pyetjeje të pamundur.
– Përse? – i tha.
Ai hapi gojën, por nuk nxori zë.
– Përse, babi? Përse e vesh atë rrobë të ndyrë? Përse dhunoni fëmijë? Përse qëlluan vëllanë tim? Cila ishte ajo dorë e mallkuar që e qëlloi?
Fjala babi e goditi më thellë se çdo akuzë.
Sepse vajza nuk po fliste me një polic. Po fliste me njeriun që i kishte mbajtur dorën kur kishte mësuar të ecte, që i kishte blerë librat me para të huazuara, që ishte kthyer nga puna me duar të çara për t’i siguruar asaj një të ardhme. Po fliste me atë që, në sytë e saj, duhej të ishte streha e fundit e botës.
Dhe tani streha kishte veshur uniformë.
– Bijë… – arriti të thoshte.
– Mos më thuaj bijë! – klithi ajo. – Më thuaj ku është vëllai im! Më thuaj pse është këtu! Më thuaj kush ia bëri këtë!
Ajo po qante, por lotët nuk e zbusnin zemërimin. Përkundrazi, dukej sikur çdo lot ishte një fjalë që nuk mund ta thoshte më.
Gruaja nuk bërtiti.
Kjo ishte edhe më e rëndë.
Ajo e pa me një vështrim të qortueshëm, të lodhur, të thellë, sikur përpara saj të mos qëndronte burri me të cilin kishte ndarë jetën, por një i huaj që kishte hyrë në shtëpinë e tyre duke sjellë pas vetes një fatkeqësi të paemër.
Në sytë e saj nuk kishte vetëm zemërim. Kishte frikë, zhgënjim, trishtim dhe atë dhimbje të heshtur që lind kur njeriu nuk di më nëse duhet ta përqafojë tjetrin apo të largohet prej tij.
– Ku ishe? – e pyeti më në fund.
Ai uli kokën.
– Ku ishe kur djali yt ishte atje, mes atyre njerëzve? Ku ishe kur u qëllua? Ku ishe kur ne të kërkonim dhe nuk dinim nëse ishte gjallë?
Ai deshi të thoshte se kishte qenë në bulevard. Deshi të tregonte se kishte qenë i urdhëruar, se nuk kishte pasur zgjidhje, se e kishin kërcënuar. Deshi të shpjegonte se kishte mbyllur sytë, se ishte lutur, se nuk donte t’i bënte keq askujt.
Por si mund t’i shpjegosh një nëne se e ke dashur fëmijën e saj edhe kur dora jote ka qenë pjesë e së njëjtës makineri që e ka plagosur?
Si mund t’i thuash se ke qenë i pafuqishëm, kur ajo sheh vetëm pasojën e fuqisë që kishe në duar?
Motra dhe vëllai i tij iu afruan. Edhe ata i flisnin, por fjalët e tyre i mbërrinin si përmes një muri të trashë. E pyetën çfarë kishte ndodhur, e pyetën nëse dinte diçka, e pyetën pse nuk ishte përgjigjur në telefon. Ai nuk mund t’u përgjigjej. Ishte aty, përballë tyre, por një pjesë e tij kishte mbetur diku tjetër, në një vend ku koha nuk ecte dhe ku një krismë vazhdonte të përsëritej pa pushim.
– Ku është? – bërtiti papritur. – Ku është djali im? Çfarë i ka ndodhur? Kush e bëri?
Zëri i tij u përplas në muret e korridorit dhe u kthye drejt tij, më i zbrazët, më i dëshpëruar.
Djali im.
Deri atëherë kishte qenë polici, punonjësi, burri që duhej të sillte bukën në shtëpi. Tani ishte vetëm një baba. Një baba që kërkonte djalin e vet në një ndërtesë të mbushur me plagë.
Mësuesi kujdestar u shkëput nga grupi. Ishte një burrë i lodhur, me fytyrë të zbehtë dhe me sytë e atij që kishte parë më shumë se ç’mund të mbante. U afrua, i vuri duart mbi shpatulla dhe e përqafoi.
Ai përqafim ishte i butë, por polici u drodh sikur ta kishin goditur.
– Qetësohu, – i tha mësuesi.
– Ku është djali?
Mësuesi uli sytë.
– Ishte në protestë.
Polici ndjeu se dyshemeja po largohej nga këmbët e tij.
– Në protestë? Çfarë proteste? Ai është fëmijë…
Nuk e përfundoi dot fjalinë. Në të vërtetë, e dinte shumë mirë se djali ishte në moshën kur njeriu nuk mund të qëndrojë përgjithmonë pas shpinës së prindërve. Në moshën kur fillon të dalë në rrugë, të bëjë pyetje, të kërkojë të drejtën e vet dhe të zbulojë se bota nuk është ajo që i kanë treguar në shtëpi.
– Ishte mes të rinjve, – vazhdoi mësuesi. – Kur policia ndërhyri, u godit në sy nga një plumb gome.
Për një çast, askush nuk lëvizi.
Fjalët e mësuesit ranë mbi ta si dheu mbi një arkivol të hapur.
Një plumb gome.
Sa e vogël dukej fjala gomë përpara fjalës sy. Sa e pafajshme, sa e padëmshme, sa gënjyese. Një fjalë që i përkiste sendeve, jo trupit të njeriut; oborrit të një shkolle, jo syrit të një djali që ende nuk e kishte parë jetën.
Polici e vështroi mësuesin. Pastaj gruan. Pastaj vajzën.
Nuk kuptonte më asgjë.
Në kokën e tij, bulevardi u shfaq përsëri. Blindi. Shefi. Pushka e ftohtë. Qeset prej lecke. Zëri që i ulërinte të qëllonte. Dora që i kishte drejtuar armën nga turma.
Ai nuk e dinte nëse plumbi që kishte goditur djalin ishte i tiji. Nuk e dinte nëse arma e tij kishte qenë ajo që kishte marrë dritën e syrit të fëmijës. Nuk e dinte nëse duhej të pranonte një faj që nuk mund ta provonte apo të kërkonte strehë pas një pasigurie që nuk mund ta duronte.
Por, për herë të parë, e kuptoi se ekziston një faj që nuk ka nevojë të ketë emrin tënd mbi të për të të shkatërruar.
Ndonjëherë, mjafton të kesh qenë pjesë e dorës.
…………………………………………………………….
Spitali iu shemb mbi kokë.
Nuk u shembën muret, nuk u fikën dritat, nuk u ndalën njerëzit. Gjithçka vazhdoi si më parë. Një infermiere kaloi me nxitim. Një fëmijë qau diku. Një telefon ra. Dikush thirri emrin e një pacienti. Por për të, bota kishte humbur formën e saj. Ai ndjeu se diçka e padukshme po e tërhiqte drejt një humnerë të thellë, drejt një vendi ku njeriu nuk mund të zbriste pa humbur një pjesë të vetes.
Iu kujtua Danteja, udhëtimi nëpër errësirën e mëkatit, rrethet ku shpirtrat mbanin përgjithmonë mbi vete peshën e asaj që kishin bërë. Por atje, në faqet e librit, ferri kishte kufij, emra, udhërrëfyes. Këtu, ferri ishte një korridor spitali dhe një baba që nuk dinte nëse duhej të qante për djalin apo të kërkonte falje për veten.
Ai ndjeu se kishte hyrë në një purgator pa fund, ku asnjë lutje nuk e fshinte atë që kishte ndodhur dhe asnjë heshtje nuk e bënte të padëgjuar krismën.
Për herë të parë në jetën e tij, u ul në gjunjë.
Nuk e dinte nëse u ul nga dobësia, nga frika, apo sepse këmbët nuk mund ta mbanin më. Duart i ranë mbi gjunjë. Koka iu përkul. Dhe, mes njerëzve që kalonin pranë tij, nisi të lutej.
Nuk kishte qenë kurrë besimtar. Në fshatin e tij, Zoti ishte përmendur në dasma, në vdekje, në netët e gjata të dimrit dhe kur nuk kishte më çfarë të kërkoje nga njerëzit. Ai e kishte menduar gjithmonë se Zoti ishte larg, i lartë, i heshtur, i zënë me hallet e mëdha të botës.
Tani i dukej se Zoti ishte aty, poshtë, në dyshemenë e ftohtë, mes gjunjëve të tij dhe lotëve që nuk po arrinin t’i dilnin.
– O Zot… – pëshpëriti.
Zëri iu këput.
Nuk kërkoi para. Nuk kërkoi punë për gruan. Nuk kërkoi që kredia të shlyhej, as që varfëria të largohej nga shtëpia. Nuk kërkoi as që djali të mos e urrente.
Kërkoi vetëm që djali të jetonte.
Pastaj kërkoi që të mund ta shihte përsëri me të dy sytë.
Pastaj, kur e kuptoi se edhe kjo mund të ishte tepër për t’u kërkuar, nuk kërkoi më asgjë. Vetëm qau.
Qau për fëmijën që kishte qenë vetë, për babanë që nuk e kishte parë të vdiste, për nënën që i kishte kërkuar të mos i largonte fëmijët nga shtëpia, për gruan që kishte mbetur pa punë, për vajzën që tani e shihte me urrejtje dhe për djalin që mund të mos e shihte më kurrë siç e kishte parë deri atë mbrëmje.
Qau edhe për veten, por jo nga mëshira.
Qau sepse, për herë të parë, e kuptoi se njeriu mund të humbasë gjithçka pa i dalë asnjë pikë gjaku nga trupi.
………………………………………………………………
Ardhja e mjekut e ndërpreu lutjen.
Ai ishte një burrë me fytyrë të lodhur, me sy që kishin parë shumë net të tilla. Mbante në duar disa letra dhe dukej sikur kërkonte fjalët e duhura përpara se të fliste. Por disa lajme nuk kanë fjalë të duhura. Ka vetëm fjalë më pak të rënda dhe fjalë që e bëjnë dhimbjen të padurueshme.
– Familjarët e djalit?
Të gjithë u ngritën njëherësh.
Polici u mbështet te muri. Ndjeu se zemra po i rrihte në fyt.
Mjeku i vështroi me kujdes.
– Djali është gjallë. Është nën kujdesin tonë.
Për një sekondë, polici ndjeu se ajri u kthye në mushkëritë e tij. Gjallë. Fjala e vetme që mund ta mbante ende në këmbë.
Por mjeku nuk kishte mbaruar.
– Fatkeqësisht, dëmtimi i syrit të djathtë është shumë i rëndë. Ai e ka humbur syrin. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur syrin tjetër. Do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Gruaja lëshoi një klithmë që nuk i ngjante zërit të saj. Vajza i mbuloi fytyrën me duar. Motra e policit u mbështet te vëllai, ndërsa mësuesi uli kokën.
Polici nuk bërtiti.
Nuk qau.
Nuk u rrëzua.
Ai qëndroi i palëvizur, sikur trupi i tij të ishte bërë një guaskë e zbrazët dhe lajmi të kishte kaluar përmes tij pa gjetur më asgjë për të shkatërruar.
Djali kishte humbur syrin.
Syrin e djathtë.
Atë sy me të cilin kishte parë për herë të parë fytyrën e nënës. Atë sy që kishte ndjekur të atin kur ai largohej për në punë. Atë sy që kishte parë shokët, librat, qiellin, rrugët e qytetit dhe ndërtesat që një ditë mund t’i ndërtonte vetë. Atë sy që, deri pak orë më parë, kishte qenë pjesë e një fytyre të re, të bukur, ende të paprekur nga plagët e botës.
Një sy nuk është thjesht një organ.
Është një dritare. Dhe kur një dritare mbyllet përgjithmonë në fytyrën e një fëmije, errësira nuk mbetet vetëm brenda tij. Ajo hyn edhe në shtëpinë e prindërve, në kujtesën e motrës, në duart e nënës dhe në çdo ditë të së ardhmes.
Polici kujtoi uniformën.
Kujtoi helmetën që kishte flakur.
Kujtoi zërin e shefit.
Kujtoi qeset prej lecke dhe fishekët e ftohtë që i ishin dukur aq të rëndë.
Kujtoi pushkën që kishte mbajtur në duar.
Dhe, befas, dëgjoi përsëri krismën.
Nuk ishte më krisma e përgjithshme e bulevardit. Nuk ishte zhurma e largët e një arme në mes të qindra britmave. Ishte një krismë e vetme, e thatë, e qartë, që dilte nga një pikë e caktuar e kujtesës dhe shkonte drejt e në syrin e djalit.
Pastaj erdhi klithma.
Ai nuk e dinte nëse e kishte dëgjuar vërtet atë klithmë në bulevard apo nëse mendja po ia krijonte tani, por zëri ishte aty, i gjallë, therës, i pamëshirshëm. Ishte klithma e një fëmije që nuk e dinte se jeta e tij po ndahej në dy pjesë: para plumbit dhe pas plumbit.
Dhe ai, babai i atij fëmije, kishte qenë në anën tjetër të armës.
Ndoshta nuk kishte qenë dora e tij që kishte shkaktuar plagën. Ndoshta kishte qenë dora e një polici tjetër. Ndoshta plumbi kishte ardhur nga një drejtim që ai nuk mund ta njihte. Por çfarë rëndësie kishte tani kjo pasiguri? Çfarë mund t’i sillte ajo djalit? A mund t’ia kthente syrin? A mund t’ia kthente asaj fytyre të re pamjen e mëparshme? A mund ta bindte vajzën se babai i saj nuk kishte qenë pjesë e asaj nate?
Drejtësia do të kërkonte prova.
Ndërgjegjja nuk kërkonte prova.
Ajo e kishte nisur gjyqin.
…………………………………………………….
Polici doli nga spitali si një somnambul.
Askush nuk e ndaloi. Askush nuk e pyeti ku po shkonte. Ndoshta të gjithë menduan se kishte nevojë për ajër, se duhej të largohej pak nga ajo dhomë e dhimbjes, se do të kthehej sapo të mblidhte veten.
Por ai nuk po largohej nga spitali.
Po largohej nga njeriu që kishte qenë deri atë natë.
Gruaja dhe vajza e ndiqnin me zërat e tyre, me të qarat, me pyetjet që mbeteshin pa përgjigje. Motra e thërriste. Vëllai përpiqej ta arrinte. Mësuesi kujdestar qëndronte pak më pas, i hutuar, sikur të mos dinte nëse duhej ta ndalte apo ta linte të ecte.
Ai nuk i dëgjonte.
Ecën nëpër korridor, kaloi derën e spitalit dhe doli në natë. Ajri ishte i ftohtë. Tirana vazhdonte të jetonte me atë indiferencën e madhe të qyteteve, ku dritat e dyqaneve ndizen e fiken, makinat kalojnë dhe njerëzit kthehen në shtëpi, ndërsa diku, në një dhomë, një familje mëson se asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Ai ecte pa e ditur se ku po shkonte, ndonëse pyetjet që e torturonin i njihte shumë mirë.
Pse ndodhte kjo?
Pse ky mllef?
Pse kjo urrejtje që e kthente qytetarin në armik dhe policin në një mur përpara tij?
Pse duhej që ai dhe shokët e tij të shtyheshin drejt një tragjedie që nuk e kishin zgjedhur, por në të cilën kishin marrë pjesë?
Pse duhej të thyheshin barbarisht këmbët e bijve të nënave? Pse duhej që të rinjtë, në moshën më të bukur të jetës, të mësonin se një sy mund të humbet përpara se të kenë mësuar të kuptojnë botën?
Për kë duhej kjo dhunë?
Për kë duhej kjo natë, kjo masakër e rrugëve, këto uniforma që lëviznin nën urdhra dhe këto familje që prisnin pas dyerve të spitaleve?
Për kë duhej të qëllonin?
Për pushtetin? Për frikën e atyre që nuk donin të humbnin karriget e tyre? Për njerëz që nuk do t’i shihnin kurrë në sy, që nuk do t’ua dinin emrat, që nuk do të pyesnin kurrë se si ishte djali i një polici të varfër?
Dhe, mbi të gjitha, pse kishte heshtur?
Ai e dinte se nuk ishte autori i urdhrit. Nuk e kishte shpikur dhunën. Nuk e kishte ndezur zemërimin që kishte mbushur bulevardin. Nuk ishte ai që kishte vendosur se duhej të qëlloheshin njerëzit.
Por e kishte mbajtur armën.
E kishte ngritur.
Kishte tërhequr këmbëzën.
Dhe tani një djalë shtatëmbëdhjetëvjeçar ishte shtrirë në një shtrat spitali, me një sy të humbur dhe me tjetrin që mjekët përpiqeshin ta shpëtonin.
Në atë natë, ai e kuptoi se urdhri mund të shpjegojë një veprim, por nuk mund ta fshijë pasojën e tij. Se frika mund ta bëjë njeriun të bindet, por nuk mund ta kthejë bindjen në pafajësi. Se varfëria mund ta shtrëngojë shpirtin si një darë, por nuk mund t’ia heqë plotësisht njeriut përgjegjësinë për atë që bën me duart e veta.
Dhe pikërisht kjo e shkatërronte.
Nuk mund të strehohej as pas pafuqisë, as pas fajit të të tjerëve. Të dyja ishin të vërteta. Asnjëra nuk e shpëtonte nga tjetra.
Ai ndaloi në një rrugë anësore.
Ngriti kokën drejt qiellit. Nuk kishte yje. Tirana ishte mbuluar nga një re e ulët, e zbehtë, sikur edhe qielli të kishte ulur sytë përpara asaj që kishte ndodhur.
– Pse? – pëshpëriti.
Nuk iu përgjigj askush.
– Pse ma more syrin e djalit?
Fjala i doli nga goja përpara se të kuptonte se kujt po i fliste. Zotit? Fatit? Shefit? Pushtetit? Turmës? Vetvetes?
– Pse më vure në atë vend? Pse më dhe këtë uniformë? Pse më le të bëhesha pjesë e kësaj?
Ai priti.
Por qielli mbeti i heshtur.
Dhe në atë heshtje, zemërimi iu kthye në një dëshpërim më të thellë. Sepse kishte menduar se, po të vuante mjaftueshëm, dikush do ta lironte nga barra. Se vuajtja mund të ishte një lloj pagese, një dënim që e shlyente fajin. Por kuptoi se dhimbja e tij nuk ia kthente djalit syrin. Lotët e tij nuk ia ndryshonin kujtimet vajzës. Pendimi i tij nuk ia hiqte gruas atë vështrim të ftohtë me të cilin e kishte pritur.
Ai mund të vuante deri në fund të jetës.
Dhe përsëri, djali do të kishte vetëm një sy.
Kjo ishte padrejtësia më e tmerrshme e fajit: ai që e mbart mund të ndëshkojë veten sa të dojë, por njeriu i plagosur nuk shërohet prej kësaj.
…………………………………………………………
Një krismë e thatë arme erdhi nga jashtë spitalit.
Në fillim, njerëzit menduan se ishte një tjetër krismë e natës, një tjetër shenjë e dhunës që nuk kishte mbaruar. Pastaj dikush bërtiti. Një infermiere doli me vrap. Disa policë u kthyen nga hyrja, ndërsa njerëzit që prisnin në korridor u ngritën të gjithë njëherësh.
Gruaja, vajza, motra, vëllai dhe mësuesi kujdestar dolën jashtë.
Në trotuar, pak larg hyrjes, një trup ishte shtrirë në një pellg gjaku.
Për disa sekonda, askush nuk e njohu.
Pastaj vajza lëshoi një klithmë.
– Babi!
Ai ishte polici.
Trupi i tij qëndronte i palëvizur, me njërin krah të shtrirë anash. Në dorë mbante pistoletën me plumba të vërtetë. Pranë tij, mbi asfalt, digjej një zjarr i vogël. Në flakët e tij po përpëlitej uniforma e policit.
Zjarri ishte i vogël, pothuajse i turpshëm, por drita që lëshonte dukej sikur ndriçonte një tragjedi të tërë.
Pëlhura e uniformës u mblodh, u nxi dhe u shkri në vetvete. Simbolet që kishin qenë të qepura mbi të u zhdukën mes flakëve. Metali i vogël i një kopse shkëlqeu për një çast, pastaj u mbulua nga hiri.
Uniforma po digjej.
Por njeriu që e kishte veshur nuk mund të digjej bashkë me të.
Gruaja u gjunjëzua pranë tij. Nuk bërtiti menjëherë. E preku në fytyrë, sikur të donte ta zgjonte nga një gjumë i rëndë. Pastaj i doli nga kraharori një vajtim që nuk ishte më fjalë, por një tingull i lashtë, i njëjtë me atë që kanë nxjerrë nënat dhe gratë që nga fillimi i botës, kur vdekja u ka marrë njeriun pa u dhënë kohë t’i thonë lamtumirë.
Vajza u hodh pranë trupit të të atit.
– Jo, babi! Jo! Çohu! Çohu, të lutem!
E kapi për shpatullash, e tundi, e thirri. Nuk donte ta besonte. Pak minuta më parë e kishte akuzuar, i kishte kërkuar përgjigje, e kishte parë si një njeri që duhej të shpjegonte të pashpjegueshmen. Tani do të jepte gjithçka për ta dëgjuar edhe një herë zërin e tij, qoftë edhe për t’i thënë se e kishte urryer, se nuk donte ta shihte më, se nuk mund ta falte.
Vetëm të fliste.
Vetëm të merrte frymë.
Por vdekja nuk negocion. Ajo nuk kthehet pas për të korrigjuar një fjali, për të zbutur një zemërim, për të dhënë edhe një minutë. Ajo vjen si një derë që mbyllet nga ana tjetër dhe lë të gjallët të trokasin përjetë.
Mësuesi kujdestar e tërhoqi vajzën me kujdes. Ajo u përpoq t’i shpëtonte nga duart, duke bërtitur emrin e të atit.
Motra e policit qante me duart mbi fytyrë. Vëllai qëndronte i ngrirë, me sytë te pistoleta, sikur të mos kuptonte si kishte mundur ajo armë, që pak orë më parë ishte një mjet pune, të kthehej në fundin e një njeriu.
Dhe në mes të gjithë atij dëshpërimi, në një dhomë të spitalit, djali vazhdonte të luftonte për syrin që i kishte mbetur.
Ai nuk e dinte ende se i ati kishte vdekur.
Nuk e dinte se, në të njëjtën natë kur kishte humbur një pjesë të dritës së vet, kishte humbur edhe njeriun që, pavarësisht gjithçkaje, kishte qenë një nga shtyllat e jetës së tij.
Nuk e dinte se babai kishte dalë nga spitali duke kërkuar një përgjigje dhe kishte gjetur vetëm heshtjen.
As se, përpara se të vdiste, ai kishte parë në mendjen e tij fytyrën e djalit, fytyrën e vajzës, duart e gruas dhe shtëpinë e vogël ku kishin jetuar me shpresën se një ditë do të mund të jetonin më mirë.
Nuk e dinte se babai i tij kishte qenë njëkohësisht një njeri i varfër, një punonjës i frikësuar, një baba që donte të mbronte familjen dhe një polic që, në një çast të errët, kishte marrë pjesë në dhunën që tani po e shkatërronte.
Këto të vërteta nuk e përjashtonin njëra-tjetrën.
I mbanin të gjitha brenda një njeriu të vetëm, si plagë që nuk mund të mbulohen me të njëjtin fashim.
Pranë trupit, zjarri vazhdonte të digjte uniformën.
Askush nuk mendoi ta shuante menjëherë. Ndoshta sepse të gjithë po shihnin diçka më shumë se një rrobë që po merrte flakë. Po shihnin një simbol që po shuhej bashkë me njeriun që e kishte veshur; po shihnin se si një uniformë mund ta mbrojë trupin nga gurët, por nuk mund ta mbrojë shpirtin nga ajo që ai ka bërë, nga ajo që ka lejuar, nga ajo që nuk ka mundur të ndalojë.
Flakët u ngritën edhe një herë, të vogla, të kuqe, të uritura.
Pastaj uniforma u bë hi.
Dhe në tokë mbeti trupi i një babai.
……………………………………………………………………..
Nuk dihet nëse, në çastet e fundit, polici kishte menduar për Zotin, për shefin, për djalin apo për veten. Ndoshta kishte menduar për të gjitha njëherësh. Ndoshta mendja e tij, e lodhur nga një natë që nuk mund ta mbante më, ishte kthyer në atë shtëpinë e vogël ku e prisnin dikur fëmijët. Ndoshta kishte dëgjuar përsëri zërin e së bijës, pyetjen e saj që nuk do të merrte përgjigje: Përse e vesh atë rrobë të ndyrë?
Ndoshta kishte dashur t’i thoshte se e kishte veshur për të siguruar bukën. Se kishte shpresuar të gjente punë për të shoqen. Se kishte dashur t’ia paguante shkollën asaj dhe t’i hapte rrugën të vëllait. Se nuk kishte dalë nga shtëpia për të plagosur djalin e dikujt, aq më pak djalin e vet.
Por jeta nuk matet vetëm me qëllimet e njeriut.
Ajo matet edhe me gjurmët që lë pas.
Dhe gjurma që kishte lënë ajo natë ishte e tmerrshme: një djalë me një sy të humbur, një vajzë që do të kujtonte përjetë klithmën e vet mbi trupin e të atit, një grua që do të duhej të mësonte të jetonte pa burrin dhe pa përgjigjen e pyetjes që e kishte munduar, një familje e varfër që tani kishte mbetur pa njeriun që mbante mbi supe barrën e saj.
Dhe, përtej tyre, një shoqëri e tërë që do të vazhdonte të pyeste se kush e kishte dhënë urdhrin, kush kishte qëlluar, kush kishte heshtur, kush kishte parë dhe nuk kishte ndërhyrë.
Sepse tragjeditë e mëdha vërtet që lindin gjithmonë nga njerëz të mëdhenj e të këqij. Por më shpesh ato kalojnë përmes duarve të njerëzve të zakonshëm, njerëzve që kanë frikë të humbin punën, që kanë borxhe, që duan të ushqejnë fëmijët, që u binden urdhrave sepse u duket se nuk kanë rrugë tjetër.
Por pikërisht këtu nis përgjegjësia e qeverisë: të mos i detyrojë njerëzit të zgjedhin mes bukës dhe ndërgjegjes. Të mos e kthejë uniformën në strehë për frikacakët e pushtetit. Të mos e bëjë varfërinë zinxhir me të cilin tërhiqen duart e të varfërve drejt dhunës.
Sepse një shtet që e detyron njeriun të zgjedhë mes familjes dhe njerëzimit ka ngritur një gjykatë të padrejtë përpara se të fillojë krimi.
Por as varfëria, as urdhri, as frika nuk mund ta kthejnë syrin e humbur në sy të gjallë.
As pendimi nuk mund ta kthejë babanë nga vdekja.
Në mëngjes, qyteti do të zgjohej përsëri. Autobusët do të niseshin, dyqanet do të hapeshin, njerëzit do të blinin bukë, fëmijët do të shkonin në shkollë. Gazetat do të shkruanin për protestën, për policinë, për të plagosurit, për viktimat. Dikush do të kërkonte përgjegjësi, dikush do të mohonte, dikush do të justifikonte, dikush do të heshtte.
Por në një dhomë spitali, një djalë do të zgjohej me një sy më pak.
Dhe në një shtëpi, një nënë do të priste të dëgjonte çelësin në derë, edhe pse e dinte se ai nuk do të kthehej më.
Këto janë dy fytyrat e së njëjtës tragjedi: një fëmijë që duhet të mësojë të jetojë me errësirën në gjysmën e shikimit dhe një baba që nuk arriti të jetojë me errësirën që iu hap brenda shpirtit.
Nuk kishte fitues atë natë.
As në bulevard, as në spital, as në rrugën ku u dogj uniforma.
Kishte vetëm njerëz që kishin humbur diçka që nuk mund të blihej, nuk mund të porositej dhe nuk mund të kthehej.
Dhe mbi ta, si një qiell i ulët prej guri, qëndronte pyetja që askush nuk kishte guximin ta mbante deri në fund:
Sa sy duhet të humbasin fëmijët, sa nëna duhet të qajnë dhe sa baballarë duhet të shkatërrohen, përpara se pushteti të kuptojë se njerëzit nuk janë armiqtë e tij?
Atë natë, një uniformë u dogj në trotuarin e një spitali.
Por uniformat e djegura mund të zëvendësohen.
Një sy i humbur nuk kthehet.
Një baba i vdekur nuk kthehet.
Dhe ndërgjegjja e një njeriu që ka parë se çfarë mund të bëjë dora e tij, nëse mbijeton, nuk e harron kurrë krismën.
Ajo vazhdon të dëgjohet edhe kur qyteti fle.
Sidomos atëherë.
Një histori e dhimbshme nuk është e madhe vetëm sepse na bën të qajmë, por sepse, pasi e kemi lexuar, nuk na lejon më të shohim vuajtjen e tjetrit me të njëjtët sy.


