Opinion

Prof. Dr. Lush Susaj: Tejkalimi i dozës, përdorimi i preparateve të palejuara, farërat kontrabandë, korrupsioni i institucioneve dhe mosrespektimi i periudhës së sigurisë, helmojnë popullin

-Një nga dështimet spektakolare për bujqësinë mbetet dështimi me sistemin kombëtar të prodhimit dhe të certifikimit të farërave dhe fidanëve dhe kontrabanda e tyre

– Kontrabanda bën që patatja apo misri i konsumit të përditshëm, t’ju shitet fermerëve si material mbjellës e me një çmim abuzues rreth 20 herë më të lartë

– Agronomët janë mënjanuar e lënë pa punë, e për pasojë edhe siguria ushqimore është e kërcënuar pasi hidhen doza mbi normë të pesticideve

– Shqipëria nuk ka sistem funksional të prodhimit, certifikimit dhe kontrollit të materialit mbjellës.

– Kompanitë që kanë monopolin e prodhimit farërave, përmes inxhinierisë gjenetike, kanë prodhuar farëra që mund të përdoren vetëm në brezninë e parë, pra vetëm njëherë

– Gjithë sistemi që funksiononte që nga ministri i bujqësisë, që nga doganat e deri në fshatin dhe fermën më të largët të Shqipërisë, u shkatërrua

Bujqësia e Shqipërisë është viktima më e madhe e korrupsionit të partisë dhe patronazhistëve pa emër

– Kontrabanda realizohet nga vendkalimet dhe doganat e vendit tonë, duke korruptuar kontrollorët që kanë për detyrë kontrollin e imët të bagazheve dhe të ngarkesave nga jashtë

 

Albert Z. ZHOLI

Problemet në bujqësi nuk kanë të sosur pasi shteti hesht përpara tyre. Në Shqipëri ekziston realisht shqetësimi për përdorimin e pesticideve mbi normat e lejuara, sidomos në kultura intensive si perimet, bostanoret dhe frutat e hershme. Arsyeja kryesore lidhet me presionin ekonomik për të dalë më shpejt në treg dhe për të përfituar çmime më të larta. Problemi nuk është vetëm tejkalimi i dozës, por edhe përdorimi i preparateve të palejuara ose mosrespektimi i periudhës së karencës (sigurisë) para vjeljes së prodhimit. Në kësi rastesh Enti Shtetëror i Farërave dhe Fidanëve ose hesht ose ka bërë kompromise. Ja si shprehet Prof. Lush Susaj për këto probleme…

–Në Shqipëri futen nga eksporti shumë farëra. Shumë prej tyre janë jashtë standarteve. Pse nuk kontrollohen që në doganë dhe kush e ka detyrë që ti kontrolloj?

Një nga dështimet spektakolare e me pasojat më të rënda për bujqësinë shqiptare ka qenë dhe mbetet dështimi me sistemin kombëtar të prodhimit dhe të certifikimit të farërave dhe fidanëve, që është dështimi me materialin mbjellës. Në vitet 1986-1992, unë kam punuar edhe si specialist dhe kryespecialistë në ekonomitë e mëdha bujqësore të para viteve 1992. Kam patur fatin që të punoj direkt në fidanishtet dhe në koleksionet e testimit dhe të ruajtjes së kultivarëve, aty ku sigurohej, ruhej dhe prodhohej materiali mbjellës i certifikuar. Nga ku me përgjegjshmëri të lartë shkencore e ligjore, fermerit i garantohej lloj i farës apo i kultivarit, e kudo me 100% e pastërti varietore dhe fitosantitare. Gjithë ky sistem që asokohe funksiononte që nga ministri i bujqësisë, që nga doganat e deri në fshatin dhe fermën më të largët të Shqipërisë, u shkatërrua. Bashkë me shkatërrimin e strukturës këshillimore, drejtuese e monitoruese të bujqësisë, u shkatërruan edhe koleksionet e germoplazmës, stacionet dhe parcelat eksperimentale, fushat e prodhimit, testimit dhe shumimit të materialit mbjellës, u mënjanuan dhe u dëbuan shkencëtarët dhe specialistët e mirëfilltë të farave dhe fidanëve, të cilët u zëvendësuan me pesanjoset dhe militantët e politikës. Në këtë vazhdë ka ndodhur edhe shkatërrimi i institucioneve shkencore të bujqësisë sikurse ishin katedrat dhe institutet e bujqësisë, dhe zëvendësimi i tyre me ngrehina bosh e në shërbim të korrupsionit me pronat dhe me fondet e shkencës dhe të teknologjisë, të cilat nuk arritën kurrë tek specialistët, as tek fermerët e as tek shkencëtarët e mirëfilltë.

Në këtë mënyrë, duke filluar nga viti 1994 e deri në këtë moment që po shkruajmë, pavarësisht nga propaganda me fotografitë dhe dosjet fiktive të korrupsionit, bujqësia shqiptare e vuan mungesën e dramatike të specialistëve dhe të sistemeve funksionale të prodhimit, kontrollit dhe certifikimit të farërave dhe fidanëve.

As tani që po flasim dhe shkruajmë, Shqipëria nuk ka sistem funksional të prodhimit, certifikimit dhe kontrollit të materialit mbjellës. Në këto kushte fermerët janë të kërcënuar nga mungesa e sigurisë së materialit mbjellës, nga ku varet gjithë puna dhe suksesi i tyre.

Akoma më keq është situata me farërat e perimeve, të patates, të drithërave dhe të foragjereve, për shkakun se kompanitë që kanë monopolin e prodhimit të këtyre farërave, përmes inxhinierisë gjenetike, kanë prodhuar farëra që mund të përdoren si material mbjellës vetëm në brezninë e parë, pra vetëm njëherë. Në këtë mënyrë, blerësit dhe përdoruesit e tyre, në asnjë rast nuk mund ta prodhojnë vetë farën e tyre, e për pasojë janë të detyruar që ta blejnë gjithmonë tek kompania. Sa herë që injorantët dhe abuzuesit guxojnë të gabojnë për ta shitur prodhimin e konsumit për farë, gjithmonë do të ju dalë misri me koçan pa kokrra, apo lakra pa kokë ose me dy koka, apo patatja me gjethe e pa kokrra (zhardhokë), apo perimet me lule shterpë e pa prodhim. Këto punë janë shumë delikate e prandaj duhet të drejtohen, të kontrollohen e të menaxhohen nga institucione që kanë për bazë agronomet dhe shkencat bujqësore mbi fidanët, farërat dhe kultivarët. Në Shqipëri, të tilla struktura ekzistojnë në dosje dhe letra, ndërsa puna në terren nuk është si duhet të ishte.

-Kush i lejon farërat kontrabandë të kalojnë dhe kush e nxitë kontrabandën? A e dinë rrezikun edhe për familjet e tyre?

Kontrabanda realizohet nga vendkalimet dhe doganat e vendit tonë, duke korruptuar kontrollorët që kanë për detyrë kontrollin e imët të bagazheve dhe të ngarkesave nga jashtë.

Përkundrejt heshtjes dhe mbylljes së syve, kontrabandistët paguajnë ryshfet.

Ka edhe raste kur importohen p.sh patate apo misër i konsumit të përditshëm, ndërsa fermerëve ua shesin si material mbjellës e me një çmim abuzues rreth 20 herë më të lartë.

Në këtë lojë me pasoja për ekonominë e vendit tonë, rrol të madh kanë edhe kompanitë që zotërojnë tregjet e frutave dhe perimeve, të cilët janë të interesuar që të reduktojnë dhe të paralizojnë prodhimin vendas, punë që realizohet shumë lehtë përmes futjes së farërave dhe fidanëve me karakteristika të dobëta prodhuese dhe adaptive. Farërat dhe fidanët vijnë nga importi dhe duhet të kontrollohen që në doganë nga inspektoriati fitosanitarë ku ka agronom të farërave dhe fidanëve, të cilët veprojnë në kuadër të entit Shtetërorë të Farërave dhe Fidanëve. Specialistët agronom të ESHFF, kontrollojnë dokumentacionin mbi origjinën e farës dhe marrin kampinin për të provuar treguesit fitosanitarë dhe varietorë të cilësisë, e më pas lejojnë apo jo futjen dhe përdorimin në tregun e brendshëm. Asgjë nuk e dëmton bujqësinë më shumë se sa moszbatimi i ligjeve dhe protokolleve mbi materialin mbjellës. Cilësia e ulët e farërave dhe fidanëve e shkatërron prodhimin dhe eksportet bujqësore. Detyra dhe përgjegjësia për cilësinë e farërave dhe fidanëve është e shtetit. Prandaj fermerët duhet të mbjellin gjithmonë farë të certifikuar nga shteti, përmes të cilës sa herë që fermeri të dëmtohet nga infeksionet virusale, nga shterpësia apo edhe nga degjenerimi varietorë i farërave dhe fidanëve, Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë vlerësimin e demit, e të bëjë zhdëmtimin e menjëhershëm të fermerëve, një punë që akoma nuk e ka bërë si duhet.

-Kur hidhen pesticide mbi normën që të piqen shpejt prodhimi çfarë ndodh? A helmohet populli?

Në praktikën bujqësore, përveç rregullatorëve organikë të rritjes vegjetative, përdoren edhe disa preparate inorganike që ndikojnë në përshpejtimin dhe uniformitetin e pjekjes së frutave. Edhe kjo është një detyrë funksionale që duhet të kontrollohet vetëm nga agronomi i terrenit. Pa agronom nuk ka dhe kurrë nuk mund të ketë siguri ushqimore. Ndërsa në Shqipëri, duket që agronomet janë mënjanuar e lënë pa punë, e për pasojë edhe siguria ushqimore është e kërcënuar. Më konkretisht, p. sh tek domatja që shpesh trajtohet me Karbidin Kalciumi (CaC₂), që është një nga substancat më të përdorura tradicionalisht për përshpejtimin e pjekjes. Preparati në kontakt me lagështinë, çliron gazin acetilen, i cili vepron në mënyrë të ngjashme me etilenin dhe stimulon proceset e pjekjes, duke stimuluar ngjyrosjen më të shpejtë të kokrrave. Ama ky preparat është kufizuar ose edhe i ndaluar për shkak se cenon sigurinë ushqimore, sepse mund të përmbajë substanca të rrezikshme për shëndetin (p.sh arsenik)

-Pestdicidet mbi dozën kush duhet ti kontrolloje, që të mos helmohet populli e të mos kthehen prodhimet nga doganat, e të dali name i keq (kështu prishen marrëveshjet e negociuara)

Unë punoj pothuajse çdo ditë me pesticidet që përdorën në vreshta, ullishte, agrume dhe pemë frutore. Si agronom me mbi 40 vite përvojë, gjithnjë mbaj me vete listën me PMB (Produktet e Mbrojtjes së Bimëve) të lejuara për tu përdorur në bujqësinë shqiptare. Ndërsa ndjek me saktësi të jashtëzakonshme protokollet specifike të trajtimeve, për të mos gabuar në lidhje me kohën dhe mënyrën e trajtimit, me dozën e preparatit e sidomos me karencën e preparatit. Këto janë punë për agronomët, e nuk mund ti bëjë askush tjetër.

Kujtoj faktin që për nga mënyra e veprimit të PMB mbi bakteret, kërpudhat, insektet, etj, pesticidet ndahen në 8 grupe që duhen njohur. P.sh në grupin e parë (A) bëjnë pjesë ato pesticide që veprojnë mbi sintezën e acideve nukleike tek kërpudhat e bakteret, e nëse nuk respektohet teknologjia dhe periudha e karencës, këto mund të ndikojnë edhe tek njeriu. Apo pesticidet e grupit B që veprojnë mbi skeletin e qelizave dhe proteinat motorike. Apo preparatet që veprojnë mbi frymëmarrjen dhe sintezën e aminoacideve dhe proteinave. Apo preparatet e grupit F që veprojnë mbi sintezën dhe transportin e lipideve, apo përbërësit e bakrit, të squfrit, të potasit, të natriumit, etj. Që të gjitha, nëse nuk përdorën si duhet e nën mbikëqyrjen e agronomit, shkaktojnë pasoja në organet jetësore, e ku pasojat më të rënda shfaqën me helmimet, me cerozat, me dëmtime të lëkurës, syve, etj. Dëmtimi i shëndetit shkaktohet kur nuk respektohet periudha e karencës së preparatit, që është koha që i duhet për t’u biodegraduar si rezultat i veprimit metabolik të qelizave bimore. P.sh nëse bëjmë spërkatjen kundër kalbëzimit me Matalaxyl M + Folpet, i lejuar që të përdoret deri në vitin 2035, për tu biodegraduar tek kungulli duhen 7 ditë, tek fasulja 14 ditë, tek sallata 20 ditë, tek molla 30 ditë, në agrume 40 ditë, e tek luleshtrydhja duhen 150 ditë. Që do të thotë që nga dita e trajtimit të agrumeve, nuk duhet bërë vjelja pa kaluar 40 ditë. Përndryshe në analizën që bëhet në momentin e eksportit, agrumet dalim që përmbajnë fungicidin sistemik, e kthehen mbrapshtë menjëherë. Ky budallallëk me brirë, përveç dëmit ekonomik, shkatërron marrëveshjet e negociuara, si dhe tregun dhe imazhin e eksporteve të Shqipërisë. Prandaj shteti duhet të bëhet serioz, e të respektojë profesionin dhe punën e agronomit, përndryshe dëmi që bëhet do të jetë shumë i madh.