Prof. Dr. Enver Bytyçi: Shkaku i dështimit për zgjedhjen e presidentit është “Plani C” i Rama-Vuçiç
Kosova dështoi ta zgjedhë kreun e shtetit. Në një vend normal, ku shumicën absolute parlamentare e ka mazhoranca, nuk ndodh një dështim i tillë. Por Kosova është konsideruar “siu generis” në çdo aspekt. Kësisoj kanë filluar ta shohin edhe segmente të politikës dhe institucioneve shqiptare. Madje në ligjin kushtetues, si dhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese. Kosova është i vetmi vend në botë ku kërkohet që presidenti të zgjidhet në raundin e tretë me shumicën absolute të votave, por me një kusht: – Të jenë në sallë 80 deputetë, ose dy të tretat e tyre. Praktikisht kjo do të thotë se neni kushtetues, sipas të cilit presidenti zgjiidhet në raundin e tretë me 50 përqind plus një votë, nuk vlen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë të pavlefshëm vetë kushtetutën. Një djall është kujdesur që kjo të kalkulohet kësisoj, sepse djallit i është dashur të krijojë artificën për krizë institucionale në Kosovë.
Por dështimi i të hënës së kaluar për ta zgjedhur kreun e shtetit lidhet edhe me një shkak tjetër të rëndësishëm. Askush, as Albin Kurti, nuk dëshiron ta përmendë faktin se opozitën e Kosovës e komandon Edi Rama. Ashtu siç kryeministri i Shqipërisë komandon dhe kontrollon koalicionin politik të Ali Ahmetit kundër “idiotëve” politikë që e kundërshtojnë atë. Ashtu siç mbështet kumbarën e Vuçiq në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, ose një farë Shqiprim Arifi në Luginë për t’ia kundërvënë Shaip Kamberit dhe Albin Kurtit. Pra, politikat e Tiranës zyrtare me shqiptarët kudo kanë implementuar qëndrimin “O me mua, ose përballë (kundër) meje”. Kjo nuk ka dilemë.

Tani të vijmë të raportet Rama-Opozita e Kosovës. Eshtë kryeministri i Shqipërisë ai që nxiti ish-presidenten e Kosovës t’i kundërvihej kryeministrit Kurti. Eshtë po ky kryeministër që nxit Ramushin, Bedriun dhe Lumirin për ta bojkotuar institucionin e parlamentit edhe kur votohet kreu i shtetit. Madje që këta të tre të refuzojnë edhe propozimet konkrete për kandidatë për president. Partia Demokratike e Kosovës e kishte shansin që ta propozonte p.sh akademikun Arsim Bajrami si kandidat për president. Por as që i shkoi ndërmend ta bënte këtë. Sepse qëllimi është shkatërrimi I institucioneve, jo ndërtimi I tyre. Sepse urdhëri që kishte marrë nga kryeministri shqiptar ishte i prerë: – Kurti duhej të “dështonte” në zgjedhjen e presidentit të vendit dhe vendi duhej të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Po kështu ndodhi edhe me Lumir Abdixhikun, i cili u tall me Vjosa Osmanin dhe emrin e saj, duke e keqpërdorur ekstremisht djallëzisht në procesin e zgjedhjes së numrit një të Kosovës.
Gjithkush ka të drejtë të pyesë, pse Edi Rama qenka kaq i interesuar për ta bllokuar zgjedhjen e presidentit? Përgjigja është e qartë: – E njëjta gjë ndodhi edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2025. Qeveria nuk u zgjodh për tri-katër vota. Ndaj dhe Kosova shkoi në zgjedhje të radhës të parakohshme më 28 dhjetor të atij viti. Duke bllokuar zgjedhjen e presidentit, sërishmi Kosova do të shkojë në zgjedhje në qershor. Dhe pritshmëritë e Edi Ramës e të opozitës në Kosovë janë që këto zgjedhje të mos japin zgjidhje. Për pasojë të thellohet kriza e formimit të institucioneve të vendit. Kjo përkthehet automatikisht në paaftësi të klasës politike për t’u vetëqeverisur. Ky është qëllimi final i Edi Ramës. Sigurisht që në fillim e kryesisht është qëllim edhe i Beogradit. Por në këtë rast Rama është ndërmjetës si zjarrvënës i Beogradit në Kosovë. Prapë gjithkush ka të drejtë të pyesë, pse Edi Rama qenka kaq i interesuar për asgjësimin e institucioneve të Kosovës?! Pse pranon të jetë zjarrvënës i Kosovës?!
Eshtë vërtet e çuditshme pse duhet që kryeministri i Shqipërisë të ketë një interes si ky. Por para kësaj do të duhet të sqarojmë disa momente. Pse Edi Rama u investua në ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës në vitet 2016-2020?, ku angazhoi gjithashtu ish-presidentin, Hashim TRhaçi?! Pse ai e çoi Kosovën gati në izolim total, duke e kërcënuar Albin Kurtin, kur ky i fundit refuzoi të bëhet pjesë e Open Balkan?! Pse Edi Rama bëri thirrje në krah të Macron në qershor dhe nëntor 2023 që Kosova të ndëshkohet me anullimin e liberalizimit të vizave dhe me sanksione europiane?! Pse Edi Rama ishte kundër Kurtit kur ai ndërmori aksione politike dhe policore për të eleminuar praninë e shtetit të Serbisë në veri e në rajone të tjera të Kosovës, deri në Drenicën e Lushtakut?! Pse Edi Rama i kërkoi Këshillit të NATO-s që ta “mëshirojë” dhe ta falin Aleksandër Vuçiq, nëse ai nuk vendoste sanksione kundër Rusisë?! Pse Edi Rama pas asgjësimit të grupit terrorist të Banjskës e quajti territorin e veriut të Kosovës, “tokë e askujt”?! Pse kryeministri i Shqipërisë e promovoi presidentin e Serbisë si “njeriun e paqes” në çdo samit rajonal, europian dhe ndërkombëtar, ndërkohë që Albin Kurtin e kritikoi si “shkaktar të destabilizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e të rajonit?! Ktheni pak kokën pas e do të shihni se ajo që po ndodh sot në Kosovë është pasojë e intrigave kësaj here djallëzore e të padukshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili bashkëpunon ngushtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Rama e ka thënë vazhdimisht se kur kundërshtarët e tij gjenden akoma te plani A, ai ka shkuar te plani C. Tani ai vërtet është te plani C. Plani A ishte ndarja e Kosovës në mënyrë klasike, me marrëveshje. Nuk ia arriti kësaj për shkak të kundërshtive të Gjermanisë, Britanisë së Madhe e Turqisë. Por edhe për shkak të opozitarizmit brenda shqiptarëve, ku u shquan Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Sali Berisha e të tjerë. Dështimi i marrëveshjes nuk do të thoshte heqje dorë nga projekti. Bashkë me Vuçiq, Edi Rama sajoi Planin B, krijimin e Minishengenit Ballkanik, ose Open Balkan. Përmes kësaj iniciative të Beogradit dhe Tiranës zyrtare, do të zhbëhej njohja e Kosovës, do të izolohej dhe madje Kosova do të bëhej sanduiç midis Serbisë dhe Shqipërisë së Vuçiqit numër dy të Tiranës. Edhe këtë plan nuk mundën ta realizojnë.
Tani u ka ardhur “fati në derë”! Duan zhbërjen e institucioneve të Kosovës përmes bojkotit dhe dështimeve për zgjedhjen e kreut të shtetit. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë në këto 25 vite, që kur Kosova zgjedh në liri presidentin e vendit. Ndodh tani. Sepse tani është aktivizuar Plani C i Rama-Vuçiq. Mund të ketë edhe Plan D. Ta shohim se çfarë do të sjellin këta dy partnerë dhe aleatë në dobi të Serbisë dhe kundër Kosovës. Por ata gjithmonë do të jenë aty për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. Ndërkaq ka edhe një pyetje të fundit, e cila kërkon përgjigje. Pse Rama ka interes shpërbërjen e Kosovës? Sepse me shpërbërjen e Kosovës ai synon ta shpallë “krijimin e Shqipërisë së Madhe”, në fakt të një Shqipërie me të cilën bashkohet gjysma e Kosovës. Kështu që Rama është në kërkim të lavdisë “skenderbegiane”, por ama duke i falur gjysmën e Kosovës Serbisë. Pasuritë e Kosovës i shkojnë në këtë rast Serbisë, ndërsa vreshtat e Rahovecit dhe Suharekës, Shqipërisë. Megjithatë Rama e shpall veten “hero i bashkimit kombëtar”! Skenar mitomanësh, të cilin e vuajnë shqiptarët në të gjithë breznitë e ardhshme.
Dhe në fund: – A janë kaq të paaftë politikanët në Prishtinë, sidomos ata të opozitës, që ta kuptojnë se cila është intriga e radhës e Edi Ramës në bashkëpunimin e tij të drejtpërdrejtë dhe nën rrogoz me Aleksandër Vuçiq?! Pavarësisht kësaj, do të gjendet ilaçi për të mos funksionuar asnjë nga planet që ka hartuar Beogradi me Tiranën zyrtare. Ose qytetarët do të votojnë një mazhorancë që zgjedh kreun e shtetit, ose ata do të rebelohen kundër planit A, B, C, etj të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç!

