PROFILI / Kush është “Salvatore”, “bosi i bosave” të kokainës që u arrestua në Rusi
Arrestimi në Rusi i 50-vjeçarit nga Elbasani, Shpëtim Aliu, i njohur me pseudonimin “Salvatore”, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, ka nxjerrë në dritë detaje nga dosja e SPAK-ut, ku ai cilësohet si personazhi më i fuqishëm i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike i hetuar ndonjëherë nga drejtësia shqiptare.
I konsideruar si “bosi i bosave” dhe kumbari i rrjeteve kriminale, Aliu dyshohet se mbante nën varësi emra të njohur të botës së krimit si Çopjat, Eldi Dizdari, Dritan Gjika, Armando Pacani e Jetmir Pepa. Ai mbikëqyrte çdo hallkë të trafikut nga Ekuadori drejt Evropës, që nga sigurimi i lëndës narkotike e deri te financimi i ngarkesave.
Detajet kryesore nga dosja hetimore e SPAK:
- Përmasa e trafikut (2019-2021): Rrjeti i tij dyshohet se ka futi në Evropë rreth 50 tonë kokainë. SPAK ka dokumentuar 5 episode të caktuara, ku janë sekuestruar gati 9 tonë lëndë narkotike.
- Pastrimi i 30 milionë eurove: “Salvatore” dyshohet se ka pastruar të paktën 30 milionë euro në Shqipëri. Si krah i djathtë shërbej vëllai i tij, Isa Aliu, i cili përmes 4 kompanive zyrtare investonte paratë në vila, apartamente, troje, ndërtime dhe hotele në zona turistike.
- Përgjimet në SKY ECC dhe “fuçitë me para”: Aliu përdorte nofka të ndryshme si Dala, Qero, Qerosi, Viktor apo Albo Pelon. Në gusht 2020, pasi i vëllai e njoftoi se kishte 6 milionë euro cash dhe priteshin edhe 20 milionë të tjera, “Salvatore” e udhëzoi ta fshehte paratë duke i groposur brenda fuçive 50-litërshe.
- Akuzat zyrtare: Në qershor 2026, Gjykata e Posaçme (GJKKO) caktoi ndaj tij masën “Arrest në burg” për Trafikim të narkotikëve, Pastrim të produkteve të veprës penale, Grup të strukturuar kriminal dhe Kryerje të veprave nga organizata kriminale.


