Aktualitet

Prokuroria e Tiranës pritet të marrë në pyetje Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që mbeti i plagosur rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor në kryeqytet. I riu është rikthyer nga Italia, ku qëndroi për rreth tre javë për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.

Vishkulli do të thirret për të dëshmuar lidhur me rrethanat e plagosjes së tij, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur se si ndodhi ngjarja dhe kush mban përgjegjësi për dëmtimin e tij.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, përfshirë ato të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartelën mjekësore të të riut nga Spitali Universitar i Traumës.

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është kërkesa për të siguruar listën e efektivëve të Policisë së Shtetit që kanë qenë në shërbim gjatë protestës së 24 tetorit. Verifikimet po kryhen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Prokuroria po heton edhe dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të policisë gjatë protestës. Në të njëjtin procedim janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të tjerë që kanë mbetur të dëmtuar.

Ndërkohë, organi i akuzës është ende në pritje të dokumentacionit dhe letërporosisë nga autoritetet italiane për materialin e huaj që u nxor nga syri i Vishkullit gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën e specializuar “Gemelli” në Romë. Ky material pritet t’i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar përbërjen dhe natyrën e tij.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e plagosjes dhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm.